Sa shpejt kalojnë vitet! Partia Socialiste “mbushi 20 vjeç”. Urime! Nga ekrani dallova themelues, kontribuues dhe përfitues. Mungonin dhe shumë nga themeluesit e kontribuuesit e vërtetë. Por ky është një detaj i pavlerë për drejtuesit e sotëm të PS. Përvjetori nuk dukej i gëzueshëm për socialistët. Madje, sipas kryetarit, evenimenti përkoi me një orë të vështirë dhe për Shqipërinë! Po përse Shqipëria kalon orë të vështira?! Kryetari pretendon se socialistët i fituan zgjedhjet lokale. Prandaj është e pakuptimtë dhe alogjike që socialistët të kalojnë orë të vështira kur kanë fituar…Përkundrazi, presupozohet se ata duhet ta shijojnë fitoren në të gjitha dimensionet. Me sa kuptohet, orët bëhen të vështira po nuk mbajti Bashkinë kryetari! E çuditshme kjo logjikë. Po pse, nga një individ përcaktohen fatet e Shqipërisë? Në konferencën e shtypit, pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, kryetari la të kuptohet se e humbi Bashkinë. Humbës në përvjetorin e 20-të! E dhimbshme dhe dëshpëruese. Në fakt, socialistët kanë me se ngushëllohen. Kryetari mund të humbë Bashkinë, por ai ka ende partinë. Kryetari, siç e deklaron dhe vetë, nuk është politikan, por do të vazhdojë të merret me politikë. Si misionar do të vazhdojë misionin (më 27 korrik 2009, në një shkrim te “Panorama”, e kam quajtur – “Mision i dështuar”). Ai ka një ëndërr! Dhe ëndrra vazhdon! (për kryeministër). Sipas llogarive të tij, ai kurdoherë është fitues. Por atij ia vjedhin fitoren. “Na e vodhën mandatin kanibalët, si në 2009-n”, – po thonë tani kryetari dhe mbështetësit. Por mos u mërzitni, o socialistë! Me zgjedhje të parakohshme do të vijmë në pushtet! Edhe po nuk mundëm t’ia dalim, bëni durim, ja mbërriti 2013-ta! “Saliun s’e voton njeri në 2013-n”, – do kumtojë kryetari! “Saliun s’e voton më njeri” – do vazhdojë kori i humbësve. Kështu mendonte për Saliun edhe para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005, kur kryetari kishte objektiv rrëzimin e Nanos. Fatkeqësisht, prej vitit 2005, kur ai ka marrë drejtimin e PS, atë e shoqërojnë humbjet, e, me sa duket, kjo histori do të vazhdojë gjatë. E bëj këtë parashikim pasi në prononcimin e parë, pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, Rama shprehu vendosmërinë për ta çuar deri në fund betejën! Mirëpo betejat e tij kanë rezultuar humbëse. Problemi bëhet paksa më i ndërlikuar tani që kryetari nuk do të jetë më kryetari i Bashkisë. Paskëtaj do të shohim sa “përfituesit” do të ecin në gjurmët e tij. Më 27 tetor 2009, në një analizë te gazeta “Panorama”, e titulluar “Rënia e Fylarkëve”, kam parashikuar se kryetari do ta humbiste Bashkinë në zgjedhjet lokale të 2011-s. Në atë shkrim kam parashikuar se pas kësaj humbjeje do të përfundojë edhe kontrata me fylarkët dhe “përfituesit” do të largohen paksa prej tij. Në këtë konkluzion më çonte politika e vjetër e Edi Ramës dhe konstatimi se grupet përfituese, lidhjet nuk i kanë pasur me kryetarin e partisë, por me kryetarin e Bashkisë. Të shohim sa do të vërtetohet parashikimi i dytë.
E vërteta mbi krijimin e Partisë Socialiste
Është bërë zakon që në prag përvjetorësh të Partisë Socialiste bëhen komente e jepen intervista mbi faktin se kush është themeluesi dhe protagonistët e saj. Në kulturën moderne perëndimore sundon realizmi. Ngjarjet fiksohen në celuloidin e historisë ashtu si kanë ndodhur. Në historiografinë komuniste ka dominuar subjektivizmi. Madje, për ta shtrembëruar historinë janë retushuar edhe fotografitë e personaliteteve, në mënyrë që ata jo vetëm të mos kujtohen, por mundësisht t’i mbulojë pluhuri i harresës. Por, historia ka një karakteristikë të patjetërsueshme. Ajo “bëhet” dhe vetëm shkruhet, ose rishkruhet kur në mënyrë subjektive i është larguar së vërtetës. Për interesa shkencore dhe politike po punoj për doktoraturën, me tezë studimi: Institucionet politike dhe format e qeverisjes së shtetit shqiptar prej vitit 1912 deri në 1925-n. Në arkiva gjen shumë fakte të panjohura dhe konstaton se shumë ngjarje janë deformuar. Për rrjedhojë, shumë ngjarje historike duhet të rishkruhen. Interesante janë përshkrimet e protagonistëve politikë të kohës. Një i tillë është Sejfi Vllamasi, një personalitet i elitës politike të viteve ‘20, pak i njohur, për arsye politike, por një narrator i shkëlqyer i historisë politike. Aty gjen vlerësime për elitën politike të atyre viteve me një realizëm të admirueshëm edhe për ato figura politike që ai i konsideron kundërshtarë të tij. Shikoni se si po zhvillohen ngjarjet në PS. Themeluesit janë bërë për t’i ftuar. Dhe nga kush ftohen? Nga ata që e godisnin me gurë këtë parti kur themeluesit e krijuan! Asnjë fjalë për kryetarin dhe drejtuesit e kësaj partie në 20 vjet. E çuditshme është me ne shqiptarët. Sa të theksuar e kemi prirjen për të mohuar çdo vlerë të kujtdo që e konsiderojmë kundërshtar. Edi Ramës i është mbushur mendja se historia e kësaj partie fillon nga dita kur atë e bënë kryetar. Njëkohësisht të bën përshtypje edhe kur disa flasin për ngjarje të pajetuara, por të treguara nga të tjerët dhe veten e vendosin në rolin e protagonistit kryesor. Por, më ulëritëse është kur dëgjon disa që nuk e pranonin pluralizmin politik dhe sot recitojnë si baballarët e demokracisë, sikur të ishin Aleksandër Hamilton, Xhon Xhej apo Xhejms Medisonët e SHBA.
Disa ditë para përvjetorit të 20-të të PS po diskutoja me mikun tim, Rapush Meta, i cili drejtonte burimet njerëzore për përgatitjen e Kongresit X. Duke rikujtuar ngjarjet folëm edhe për kolegët tanë: Arqilenë, Hasanin, Andonin, Ollga Naunin, Xhepin, Dhimon etj. (të më falin që nuk po i citoj të gjithë). Historia e Partisë Socialiste nuk mund të kuptohet pa e ditur si janë zhvilluar ngjarjet në fillim të viteve ‘90, deri në Kongresin X. Përgatitjet e Kongresit u bënë kur kishte rënë Muri i Berlinit dhe në Europën komuniste po ndodhnin përmbysje të mëdha, me ndikim edhe në vendin tonë. Për organizimin e Kongresit u krijuan grupe pune për çështjet filozofike, programore e ekonomike, ku bënin pjesë: Vasillaq Kureta, Artan Fuga, Maqo Lakrori, Moikom Zeqo, Foto Çami, Musa Ulqini, Shaban Sinani, Fatmir Zanaj, Zija Çela, Selaudin Kuça, Shkëlqim Cani, Leontiev Çuçi, Bardhyl Minxhozi, Abdyl Backa, Xhelil Gjoni, Spiro Dede, Nexhmedin Dumani etj. Kongresi ishte një shfaqje e përgatitur deri në detaje minimale. Por ai doli jashtë kornizave për meritën e shumë aktorëve që kërkonin ndryshime më të shpejta politike. Më vjen mirë kur në përvjetorin e 20-të kryetari vlerësoi Dritëroin. Edhe unë do ta veçoja qëndrimin e Dritëro Agollit, i cili nga ngacmimet e disa delegatëve u detyrua të pohojë se kjo parti (Partia e Punës) ishte e destinuar të vdiste pikërisht nga fryma mbytëse që u reflektua edhe ndaj Dritëroit gjatë fjalës së tij. Me vlera ishte edhe diskutimi i intelektualit Moikom Zeqo dhe e ndonjë tjetri. Më duken shumë intriguese citimet e këtyre personaliteteve, sepse edhe sot ata bëjnë në thelb të njëjtat kritika për Partinë Socialiste sikur të ishim në vitin 1991. Tani nuk ka më një Byro Politike që zbatonte vetëm porositë e Ramiz Alisë, por është një Kryesi që, me përjashtime të vogla, i shërben kryetarit. Rrapushi më kujtoi dhe projektin për udhëheqjen ekzekutive që do t’i paraqitej forumit. Ramiz Alia mund të ketë menduar edhe për ndonjë kandidat tjetër për kryetar të partisë. Por në qarqet intelektuale më i lakuar ishte Fatos Nano, dhe ai u propozua, pasi kishte shfaqur edhe publikisht nevojën për ndryshime. Nano shihej si një liberal dhe trajtimi si liberal atëherë nuk kishte kuptimin dhe vlerësimin e sotëm. Me qëndrimet e tij ai shkaktonte pakënaqësi te disa drejtues të kohës, veçanërisht kur ai deklaronte te “Zëri i Amerikës” nevojën për ndryshime, të cilat do të sillnin përmirësime në jetën ekonomike dhe sociale. Nënkryetarët u propozuan duke pasur si synim vlerat e tyre dhe gjithashtu përfaqësimin gjeografik. Kandidatët për nënkryetarë ishin: Servet Pëllumbi, profesor filozofie me origjinë nga Korça; Spiro Dede, ish-sekretar, njeri me prirje liberale nga Gjirokastra; si dhe Ismail Lleshi, profesor filozofie nga Dibra. E vërteta është se Nano nuk donte të bëhej kryetar i partisë, pasi formimi i tij si intelektual dhe prirjet e tij liberale binin ndesh me psikologjinë e dogmatikëve të kohës. E ç’rëndësi ka të themi kush është themeluesi i partisë?! Partinë Socialiste nuk e krijoi një njeri, por një organ kolegjial. Partinë Socialiste e krijoi Kongresi, si një nevojë politike e zhvillimeve demokratike. Nano ka meritën e madhe për transformimin e mentalitetit të partisë dhe forumeve të saj, së bashku me një grup të madh kontribuesish. Dhe ky nuk ka qenë një proces i lehtë, si trajtohet rëndom sot nga “politikanët e inkubatorit” në Partinë Socialiste. Nano u shndërrua në një simbol edhe për shkak të vuajtjes së dënimit me burg. Partia Socialiste kishte mbi supe barrën e madhe si trashëgimtare e Partisë së Punës. Nuk dua të bëj polemikë me askënd që kërkon të dimensionojë vlerat e veta si kontribute të veçanta për kohën që flasim. Nuk dua të analizoj as ecejaket e disave jashtë vendit, se në fund të fundit kualifikoheshin në një kohë kur këtu situata ishte mjaft e vështirë. Egërsia që manifestonin edhe për arsye objektive (nga lufta e çmendur e klasave) shtresat e përndjekura ishte e tejskajshme. Partia Socialiste evoluoi me një shpejtësi të pazakontë edhe për faktin se Nano instaloi kulturën e dialogut. Individët ishin aq të lirë, sa merreshin edhe me pikat dhe presjet e materialeve që vinin në forumet e partisë, që tani janë krejt formale ose nuk ekzistojnë. Vendimet në atë kohë merreshin brenda forumeve. Më kujtohet se është bërë nami në një mbledhje të Komitetit të Përgjithshëm Drejtues për arsyen se Fatos Nano propozoi për anëtarë të KPD pa vendimin e Kryesisë: Ben Blushin, Shpëtim Idrizin, Andis Harasanin, Arben Ahmetajn, Dhimitër Raftin e ndonjë tjetër. Ata iu nënshtruan një procesi me votim të fshehtë, nga i cili rezultuan fitues vetëm gjysma e tyre. Ndërsa tani Edi Rama nuk i vlerëson fare institucionet e partisë. As kandidaturat për deputetë nuk i diskutoi dhe as i votoi në Asamblenë e Partisë, edhe pse kjo është një procedurë e përcaktuar në statutin e PS. Forumet e PS janë shndërruar thjesht në grupe njerëzish që vendosen në mjedisin ku do të bëjë monologun televiziv kryetari. Nano është i vetmi politikan në Shqipëri që futi kulturën e dorëheqjes si kryetar partie dhe si kryeministër. Çuditërisht ai është sulmuar edhe për këto sjellje moderne kur duhej vlerësuar nga e gjithë shoqëria. Unë atë kohë kam bërë një shkrim te gazeta “Sot”, ku e kritikoja mënyrën se si Nano e dha dorëheqjen. Dorëheqja si kryetar i partisë duhej bërë jo në Kryeministri, por në Kongresin e Partisë, aty ku e mori edhe mandatin e kryetarit. Personalisht, për shkaqe të tjera, që i vlerësoja të rëndësishme për një lider me fuqi ekzekutive, kam votuar kundër tij në garën për kryetar të PS në vitin 1999. Ndërsa në vitin 2001 i konsideroja të gabuara veprimet e tij dhe të një grupi deputetësh kundër qeverisë së drejtuar nga Ilir Meta. Madje Rama atëherë më bënte pyetje se ku e gjeja unë kurajën për të kritikuar Nanon. Partia Socialiste, pikërisht për realizimin e proceseve demokratizuese u pranua edhe në Internacionalen Socialiste dhe qëndroi 8 vjet në pushtet. E, çuditërisht, Nano, që iku vetë nga drejtimi i partisë, nuk propozohej nga Edi Rama dhe Kryesia e Partisë Socialiste as si kandidat për President në vitin 2007. Prandaj e kam kundërshtuar këtë politikë sa mediokre, aq dhe jonjerëzore, duke i dhënë firmën për të kandiduar për President Nanos jashtë vullnetit të Ramës dhe Kryesisë së PS. Sipas Ramës, Nano përfaqësonte politikën e vjetër, kurse Kryesia 15-vjeçare e drejtuar nga Nano e më pas nga Rama, përfaqësonte “politikën e re”! Kur ne krijuam Partinë Socialiste, Rama aspironte për një parti nacional-socialiste, dhe kjo ishte arsyeja, sipas drejtuesve të PD, që ata e larguan nga PD. Kur ne luftonim për demokratizimin e Partisë Socialiste, Edi bënte librin, “Refleksione”, ku aspironte nxjerrjen jashtë ligjit të partisë që tani e drejton. Kjo është, sipas meje, e vërteta që duhet thënë.
© Panorama.al












