Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka parë pjesë në inaugurimin e godinës së Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore të Tiranës, për administratën e Njësisë Administrative Nr. 7.
Gjatë fjalës së tij, Veliaj ka deklaruar se kjo është një hapësirë e re, e cila i shtohet aseteve të rëndësishme të qytetit, duke përmirësuar kushtet për punonjësit dhe qytetarët.
Më tej ai shtoi se “ambicia e bashkisë është që në fund të këtij mandati të ketë numrin më të madh të aseteve shtetërore”.
“Ambicia ime është që ta lë këtë qytet, në fund të këtij mandati, me numrin më të madh të aseteve që kemi pasur ndonjëherë në 103 vite si kryeqytet i Republikës së Shqipërisë. Një qytet që ka asete imobiliare, që ka mënyra për të marrë kredi për të hipotekuar kapitalin e vet, është një qytet i fortë, që mund të bëjë punë të jashtëzakonshme”, theksoi Veliaj.
Po ashtu, kryebashkiaku Veliaj zbuloi edhe disa prej institucioneve kryesore publike, të cilat do të vendosen në lagjet e reja të rindërtuara në Tiranë.
“Jemi në fazën finale të miratimit të projektit për ndërtimin e një godinës së re të Bashkisë së Tiranës në Bulevardin e Ri, ku bashkia është edhe pronarja më e madhe, por edhe qiramarrësi më i madh. Një pjesë e disa drejtorive do të transferohen në lagje si “5 Maji” dhe “Kombinati”, për t’u siguruar që institucionet të jenë më afër qytetarëve, por edhe sjellin ekonomi për zonën.
Sigurisht, selinë tradicionale të bashkisë do ta kemi në qendër të Tiranës, por ndërkaq duhet të jemi të pranishëm edhe në pika të ndryshme të qytetit. Te Bulevardi i Ri do të jetë edhe Poli i Drejtësisë”, sqaroi Veliaj.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al