Personalitet i çoroditun, mendje e smurë

May 15, 2012 | 12:08

SAMI REPISHTI

Këto ditë lexova në “Panorama” (Tiranë) “intervistën” dhanë nga “shoqja N.” për Dr. Janos Bugajski, analisti i njohun hungarezo-amerikan, në të cilën ajo i cilëson ish-të përndjekunit politikë si “…vjedhës lopësh dhe vrasës”. Si ish-i burgosun politik ndjehem shumë i fyer. Dëshmorët dhe viktimët e tiranisë komuniste që sakrifikuen aq shumë për lirinë dhe demokracinë shqiptare janë heronjt e mi; unë jam nxanësi i tyne.
Si qenie njerëzore ndihem i vramë nga fymjet banale – dhe krejtësisht të padrejta – që u bahen dhjetëra mijëra të përndjekunve politikë nga tirania komuniste, të pushkatuemve me gjyq e pa gjyq, të gjithë atyne që vuejtën e u shuen në 23 burgjet komuniste dhe afër 50 kampet e internimit rreth e rrotull Shqipërisë për ma shumë se dyzet e pesë vjet si rrjedhim i helmit të shpërndamë nga “shoqja N.” dhe xhelatët e saj.
Si qytetar i lirë, unë protestoj vrasjet dhe persekutimet e bashkatdhetarëve të mi, mohimin e vuejtjeve të tyne dhe poshtënimin e tyne të fundit, mohimin e sakrificës supreme e baltosjen e idealeve të tyne për liri e demokraci.
“Shoqja N.”! Ish-të përndjekunit politikë nga tirania komuniste nuk janë “…vjedhës lopësh dhe vrasës”.
* * *
Kam pasë fatin e mirë me bashkëpunue me Dr. Bugajski-n. Kam admirue ndershmëninë intelektuale dhe profesionalizmin e tij. Së bashku kemi dëshmue para Kongresit Amerikan dhe në konferenca e seminare ku janë trajtue problemet e Ballkanit dhe sidomos problemi shqiptar në hapësinën ballkanike. Së bashku kemi denoncue kriminalitetin e diktatorëve lokalë dhe krimet e tyne në Shqipëri dhe Kosovë.
Nuk kam asnji dyshim se qëllimi i Dr. Bugajski-t me marrë nji intervistë nga “shoqja N.” ka qenë nji përpjekje e sinqertë me hjedhë dritë mbi errësinën e terrorit 45-vjeçar në Shqipëri, ku “shoqja N.” ka luejtë nji rol qenësor. Dr. Bugajski ka qenë dhe mbetet nji specialist i botës komuniste të Europës Lindore. Për natyrë ai ashtë realist që informohet, mendon dhe gjykon pa paragjykime.
Por ajo që i jep nji ngjyrë të padëshirueshme këtij episodi ashtë natyra e pariparueshme e çoroditjes së “shoqes N.” deri në atë shkallë sa të mos jetë në gjendje me pa viktimët e krimit të planifikuem e të zbatuem nga ajo me sistem, të mos jetë në gjendje me ndigjue vajin e mijëra familjeve që humbën të dashtunit e tyne, viktima të krimit që ajo kreu për afër 50 vjet dhe paaftësia e saj me përballue qoftë kujtimet e së kaluemes së tmerrshme që përgatiti me duert e veta, qoftë realitetin e ditëve që jeton. Kjo verbëni e plotë ashtë ndoshta edhe mallkimi i fundit që ajo mban në kurriz për mungesën e plotë të nji ndërgjegjje njerëzore. Personalitet i çoroditun; mendje e smurë. Ky duhet të ketë qenë edhe përfundimi i Dr. Bugajski-t.
Përshkrimi i historisë të së kaluemes komuniste në Shqipëri nga “shoqja N.” ashtë nji deformim i ngjarjeve dhe nji interpretim “simbas dëshirës” që në thelb përmban mohimin e së vërtetës dhe nji përpjekje të pandalueshme të egos së saj me rikrijue nji botë fiktive që ajo dëshiron të besojë, dhe që pa dyshim rrjedh nga shtypja shpirtënore që ushtron pesha e krimit të kryem që nuk e duron. Ajo jeton në nji atmosferë deluzioni ku realiteti nuk ekziston dhe ku andrrimet e nji fantazie të smurë predominojnë.
Çdo gja, simbas saj, ka qenë perfekte. Eliminimi i ajkës së lëvizjes komuniste në Shqipëri “sans bruit, sans tambour” ka qenë nji nevojë urgjente e kohës. Vrasjet masive me qëllim terrorizimi të popullsisë i ka imponue koha. Arrestimet, torturat, gjykimet me burgje të përjetëshme, pushkatimet e varjet në litar kanë qenë vendime gjyqsore të parapame me “ligje” për konsolidimin e “diktaturës së proletariatit”. Puna e detyrueshme në kampe e qendra internimi kanë shërbye me krye punime të vështira në këneta e miniera për plotësimin e planeve të çmenduna pesëvjeçare. Kolektivizimet që mohuen edhe qumshtin e fëmijve të ushqyem keq kanë qenë domosdoshmëni kategorike për suksesin që largohej çdo ditë e ma shumë nga horizonti. Ndërsa frika e përgjithshme që mbuloi vendin ishte atmosfera e përshtatshmne për nënshtrim të plotë të popullsisë. E gjithë kjo në shërbim të revolucionit socialist dhe ndërtimit të nji shoqënie të re “ku do të ketë çdo plotësim nevoje dhe dëshire”.
Gjithçka pranohet për hir të “Revolucionit”. Çdo vuejtje shikohet si “abstraksion” – evitohet me qëllim përballimi me të dhe shihet si fazë kalimtare që siguron fitoren e “luftës së klasave” dhe “socializmit”. Ndërkaq, ai ka humbë kuptimin. Kjo prirje për “abstraksion”, nji akt që nuk përfillë dhe izolon “sakrificat” për qëllimin final të “Revolucionit”, kërkon largimin e tyne nga mendjet tona, mospërfilljen e tyne në llogaritë tona, përpjekjen tonë kundër realitetit. Kjo prirje kërkon tërheqjen tonë nga bota objektive dhe fluturimin në botën e andrrave që do të vijnë…! Në Shqipëri, kundërshtarët kanë qenë nji “abstraksion” – nuk kanë ekzistue, zhdukja e tyne nuk ka paraqitë ndonji problem…. Përpara për “Revolucion”!
Ndërkaq, për tre milionë shqiptarë kjo ka qenë fëtyra e Sizifit, të dënuem me shtye shkambin deri në maj të kodrës dhe me shikue si rrokulliset, vit mbas viti për katër dekada e gjysmë – ose për shumë fatzez deri në vdekje. Albert Camus spjegon këtë gjendje: “Jemi dëshmitare të gënjeshtrës, poshtërimit, vrasjeve, internimit dhe torturës, dhe në çdo rast ka qenë e pamundun me bindë xhelatët e akteve të këtilla mos me veprue kështu, sepse ata xhelatë ishin të bindun në vete dhe se nuk ka mundësi me u bindë para nji ‘abstraksioni’”.
Nuk ka ndryshim në mes të kampeve të vdekjes në krematorët nazistë e gulagëve sovjetikë dhe burgjeve mesjetare të tiranisë komuniste në Shqipëri. Akoma edhe ma shumë: nuk ashte roli i jonë me qenë xhelatët e vëllazënve dhe motrave tona, as me qenë viktima të marrëzisë së madhe që na rrethon, as me sakrifikue jetët tona sot për hir të nji vrapi drejt utopisë që reflektohet në nji të ardhme – që nuk vjen kurr!”.
Sensi i përgjegjsisë për aktet tona, i përkujdesjes për njeni-tjetrin, përparimit gradual, i humanitetit përbuzës nga hovi revolucionar i katër kuajve të Apokalipsit komunist: gënjeshtrës, pabesisë, urrejtjes dhe hakmarrjes!
Ajo që duhet të ketë impresionue Dr. Bugajski-n duhet të ketë qenë injoranca e thellë e “shoqes N.”, paaftësia e saj me kuptue momentin historik dhe rolin e saj udhëheqës në këtë moment. Në Europën Perëndimore ziente, mbas L2B, dialogu mbi rolin e Bashkimit Sovjetik. Mjaft intelektualë europianë, dhe sidomos francezë – J. P. Sartre ka qenë ma i dalluesi – u përpoqën me kuptue, me spjegue ose me justifikue terrorin e sovjetëve në Europën Lindore. Sartre u përpoq edhe të “humanizojë” terrorin e kuq në sajë të nji “abstraksioni”, dhe hodhi poshtë idetë e iluminizmit francez të shekullit 18, i cili zhvilloi temën e “humanizmit” ku çdo akt individual ka rezonancë dhe kuptim. Ndërsa A. Camus e kundërshtonte që në ditët e para të çlirimit nga nazistët. Ai qortonte fanatikët se liria e fitueme duhet të na sjellë nji ankth metafizik si dhe  sensin e nji përgjegjsie të re: jo urrejtje, jo retorikë e thatë, jo mediokritet që mbytë iniciativën çlirimtare të gjeniut, e jo shkatërrimin e vlerave tona njerëzore dhe kombëtare.
E kundërta ngjau në Shqipërinë e re të “shoqes N.”: nuk ka ankth të shkaktuem nga çmenduria e L2B, nuk ka përgjegjsi për aktet kriminale, ushqehet urrejtja, flasim dhe flasim pa asnji kuptim, gënjejmë, vrasim elitën, glorifikojmë mediokritetin, mbysim çdo iniciativë individuale të talenteve tona, shkatërrojmë çdo vlerë njerëzore dhe kombëtare! Rroftë diktatura e masave të çmenduna, të dehuna nga marrja në dorë e pushtetit dhe nga udhëheqja që nuk ka asnji ide për përgjegjsinë historike të momentit.
Ky ka qenë qëndrimi pa princip dhe i rrezikshëm që i dha me kuptue Amerikës dhe Europës Perëndimore se trashëgimtarët e totalitarizmit nazifashist mbas L2B ishin “komunistët” dhe përkrahësit e tyne, dhe prandej duhej rezistue me çdo kusht vala e tyne ekspansioniste në botë. “Lufta e ftohtë” këtu e ka burimin dhe këtu gjeti frymëzimin e saj: me shpëtue botën nga Bashkimi Sovjetik dhe stalinizmi i çmendun. Dhe ma në fund triumfoi!
Ky botëkuptim perëndimor nuk ka nevojë për errësinën, torturën, dënimet kapitale me gjyq e pa gjyq, dhe burgje të pafund me sigurue të drejtët e qytetarëve dhe të atyne që sistemi shoqënor i harron ose i shtypë. Përvoja e mbas L2B ka provue se të ashtuquejtunat “legjislacionet social-demokrate” me frymë kristiane mund të votohen dhe aplikohen me sisteme parlamentare të lira në nji kohë kur mbretnon paqja. Ky ashtë edhe shembulli ma i shkëlqyeshëm i Europës Perëndimore, bërthamë e Bashkimit Europian që synojmë edhe na shqiptarët. Dhe me plot të drejtë!

© Panorama.al

Te lidhura