ELSA BALLAURI
Ky behar vazhdon të jetë shumë i nxehtë dhe pas stërlodhjes politike që pësuam, natyrshëm shumë ngjarje dhe evenimente humbasin, sidomos nën temperaturat e larta që nuk dimë se sa do të vazhdojnë kësisoj. Më kishte humbur tërësisht aktiviteti i para disa ditëve i një botimi për Piramidën, ku disa autorë kishin shprehur mendimet për rrëzimin apo jo të kësaj vepre, e cila në mënyrën se si ne po i kushtojmë rëndësi, si i jemi përkushtuar dhe si po e përjetojmë, është kthyer në një “kryevepër”. Një ndjesi tjetër, një përzierje e dhimbjes me pezmatimin m’u soll vërdallë kur përfytyrova se sa kohë, para, vullnet, pasion, fuqi, frymëzim, inat u shpenzua për ta realizuar librin për Piramidën. Pastaj, si vetëtimë më erdhi ndër mend se nëse do të kishte vërtet një revoltë antikomuniste të drejtuar nga elita disidente në vitin 1990, Piramida ose nuk do të ishte sot e kësaj dite në këmbë, ose do të shihej me indiferentizmin që të sjell një godinë që e ka rrëfyer historinë e vet dhe s’ka ç’thotë më. Nuk dua të përsëris gjëra që i kam thënë edhe më parë dhe që do të bezdisesha nga vetja duke u fokusuar në një opinion më se të thjeshtë se a duhet prishur apo jo një vepër madhështore për nga përmasat dhe fuqia ideologjike në kohën e sistemit të diktaturës dhe e lënë pas dore, por jo e harruar tërësisht në kohën e sistemit demokratik. Tashmë dihet që Piramida është një barrikadë mes dy palëve. Për fat të keq, të dyja palët janë të pakuptueshme ende në teoritë që ndjekin, sepse të dyja fshihen pas historisë së parrëfyer. Të dyja palët kanë mëkatet e një procesi të papërfunduar, madje shpesh të filluar keq, që është ai i rishikimit të historisë, të dyja palët mbajnë nga një maskë. Një palë flet nën emrin e përgjegjësisë qytetare dhe ruajtjes së objekteve (e përzierë kjo edhe me nostalgji të kohës së kaluar, pala tjetër nën frymëzimin e antikomunizmit (?). Dyshimi im vjen se për të dyja palët, përpara se të flisnin për Piramidën si objekt, duhej të kishin përmbysur piramidat psikologjike, që për fat të keq qëndrojnë të paepura. Ka një energji sociale dhe shpirtërore të madhe që sa më shumë intensifikohet, aq më shumë thellon mënyrën sipërfaqësore të trajtimit të këtij fenomeni. Debati mbi Piramidën është një ndër më pikantët në këta 20 vjet postdiktaturë. Si për ironi, nuk ekziston as një e njëmijta shpenzim kohe për një debat mbi lustracionin, apo për të ngritur një strukturë afatgjatë edukuese dhe ndërgjegjësuese për t’u kuptuar siç duhet e vërteta e komunizmit shqiptar dhe si e katandisi kjo e keqe e madhe Shqipërinë. Mënyra e njëanshme dhe sipërfaqësore e diskutimit mbi Piramidën e nënvleftëson edhe më shumë seriozitetin e diskutimit mbi diktaturën… Natyrisht që nuk mund të largohemi dot nga konteksti historik edhe i kësaj ndërtese. Kjo nuk do të thotë që ajo medoemos duhet të prishet, por ama duhet të thotë shumë fakti që për të flitet shumë dhe, nga ana tjetër, nuk flitet fare për ata që vuajtën ekstremisht nën emrin e një diktature që ndërtoi Piramida në mendjen e çdo shqiptari që të mbanin gjallë kultin e Enver Hoxhës. Nuk do të kishte debat për Piramidën nëse do të dinim të ngrinim memorien historike të diktaturës më të egër që na shndërroi në ujqër për njëri-tjetrin dhe në lepuj për t’u përballur me ideologjinë komuniste. Do të kishte veç një zgjidhje të natyrshme dhe pa inate, mund të mbetej, po mund të mbetej – kjo do të ishte një marrëveshje e vetë shoqërisë, e cila do t’i kishte kaluar hamendjet dhe enigmat e së kaluarës së saj… E, në fakt, nuk ka ndodhur kështu. Përpjekjet për Piramidën, aktivitetet për të, angazhimi dhe pasioni qytetar janë veçse komplekset e heshtjes, e cila është kthyer në një bumerang për ne të gjithë. Kemi heshtur shumë gjatë, vazhdojmë të heshtim për krimet që kanë ndodhur në këtë vend. Për një analizë psikologjike, terapia më e mirë është të shkojmë drejt skutave më të thella të subkoshiencës sonë dhe të bëjmë rrëfimin e atyre mëkateve që nuk janë thënë. Kjo do të na çlirojë nga faji dhe fajtorët. Me këtë botim, elita e shoqërisë civile reagon ndaj zhdukjes së historisë, ndaj vendimeve të shpejta dhe abuzive të qeverisë etj. Do të ishte me shumë vlerë, madje ka nevojë të mbahet mend kjo lëvizja për Piramidën nëse elita e shoqërisë civile do të kishte ulëritur dhe protestuar fort për historinë që nuk është thënë, që fshihet apo idealizohet padrejtësisht, për ngjarjet qesharake që mbushin mediat shqiptare ku ish-liderët komunistë na dalin herë si shumë humanë, herë si shumë përparimtarë dhe pothuajse nuk flitet aspak për viktimat… ata janë akoma anonimë, për ta thuhet vetëm “të mjerët”, me të njëjtën ndjenjë që kanë shqiptarët kur i japin një qindarkë lypësit… Do ta quaja shumë normale daljen e këtij botimi nëse elita qytetare që e ka guximin të protestojë në mes të Tiranës, të kishte protestuar të paktën një herë për ndonjë ish-të përndjekur nga ata që kanë mbetur akoma në burgun e indiferencës, të kishte shkuar për t’i takuar ish-të burgosurit e Qafë-Barit kur ata u futën në grevë urie, të kishte folur së paku me Gjergj Ndrecën apo ndonjë tjetër kur ata duan mbështetje dhe avokati për dëmshpërblimet qesharake që marrin. Jam e sigurt që shumë nga autorët e librit nuk i dinë dhe nuk interesohen për të tilla probleme. Dhe ajo që është më e keqja, për shumë shqiptarë këto duken si çështje të ndara nga njëra-tjetra. Natyrisht që në demokraci ka vend për çdo lëvizje dhe për çdo mendim ndryshe, por ne vuajmë nga monopoli i elitave dhe nuk kemi asnjërën prej tyre që t’i dedikohet siç duhet shërimit nga sëmundja e gjatë e komunizmit. Kjo është një detyrë dhe duhet kuptuar si e tillë…. Në një nga komentet që ma kapi syri rastësisht pas botimit të librit për Piramidën, në një nga të përditshmet, thuhej: “Po si mund të quhet Piramida art, kur të rriturit si mua kjo gjë i trishton…?” Nëse ky brez nga i cili ky lexues është (gjithashtu edhe unë jam), do të transmetonte në mënyrë të vërtetë historinë e diktaturës, brezi i ri do të ndjente ndryshe: së bashku me kujtimet e veta të lojërave me rrëshqitje, me patina dhe të mbrëmjeve te Mumja, do të mundohej të bënte edhe një tjetër analizë, e cila do t’i ndihmonte më shumë të rriturit në vendimet e tyre. Brezi i ri nuk do të fliste bardh e zi, por do të ishte në gjendje të merrte vendime të mençura. Nëse ne do të mund ta transmetonim siç duhet historinë tonë, së bashku me trishtimin që ndiejmë, të paktën do të kemi fëmijë që na respektojnë trishtimin, dhe kjo është shumë dhe me vlerë.











