Përplasje mes institucioneve për lokalet pa leje në Velipojë

Jun 29, 2011 | 11:42

SHKODER – Fadromat e Inspektoratit të Ndërtimit kanë mbërritur prej dy ditësh në plazhin e Velipojës, por nuk kanë mundur të ndërhyjnë për të shembur ndërtimet pa leje në këtë zonë. Sipas kryetarit të kësaj komune, Pashko Ujka, pezullimi i punës së Inspektoratit ka ardhur për shkak se ata nuk janë mbështetur në punën e tyre nga Policia e Shtetit. Mësohet se prej disa ditësh, kreu i sapozgjedhur i komunës Velipojë, Pashk Ujka, me vendim të këshillit të komunës ka nxjerrë një urdhër për prishjen e rreth 14 lokaleve që ndodhen në brezin e rërës të bregdetit të Velipojës, si dhe heqjen e gjitha shezloneve që kanë zaptuar bregdetin në mënyrë abuzive. Kjo, sipas kreut të komunës, bëhet me qëllim sistemimin e të gjithë hapësirës së plazhit të Velipojës, duke bërë ndarjen e pjesëve publike të plazhit nga ato që ushtrojnë aktivitet privat. “Nuk e kuptoj pse duhet të ndodhë një situatë e tillë absurde, kur ne si komunë prej kohësh i kemi kryer të gjitha procedurat ligjore për të ndërhyrë në sistemimin e plazhit të Velipojës. Drejtorinë e Policisë së Shkodrës e kemi njoftuar zyrtarisht me një shkresë përkatëse, por nuk na ka kthyer përgjigje. Që të marrë fuqi një veprim i tillë, ai duhet ricikluar edhe nga prefekti i qarkut Shkodër, por prefekti Maxhid Cungu, pas kontakteve që unë kam pasur me të, më ka pohuar se nuk është e nevojshme të merret firmë për një vendim të tillë të njësive vendore”, u shpreh Ujka. r.d

© Panorama.al

Te lidhura