Përplasje me policinë në Gjirin e Lalëzit

Jun 28, 2011 | 11:52
Protesta e djeshme për pronat në Shën Pjetër

Dhjetëra banorë të Shën Pjetrit në Komunën Ishëm protestuan dje kundër një kontrate të qeverisë për dhënien e territoreve një kompanie private.Ata u përplasën dje me policinë, në zonën e Gjirit të Lalëzit, pasi tentuan të hiqnin gardhin e vendosur nga punëtorë të firmës. Sipas banorëve, kompleksi turistik do të zërë një sipërfaqe të madhe toke dhe 67 dynym u takojnë atyre, me certifikatë pronësie, ndërsa ende nuk është sqaruar çështja e shpronësimit. Këtë vendim banorët e Shën Pjetrit dhe të zonave përreth e kundërshtojnë me forcë, duke protestuar për investimin që do të nisë së shpejti në territorin e tyre. Ata pohojnë se disponojnë dokumentacionet përkatëse që toka është në pronësi dhe se nuk do të lejojnë privatizimin e territorit nga ana e kompanisë së huaj. Banorët kërkojnë bisedime me qeverinë për pronat për gjetjen e një zgjidhjeje. Në rast të kundërt, ata paralajmërojnë se protestat do të vijojnë deri në bllokimin e rrugëve nacionale. Banorët të irrituar shprehen kundër rrethimit të vijës bregdetare në një gjatësi prej 2 kilometrash nga ana e firmës private, e cila ka nisur punën për pastrimin dhe sheshimin e vendit ku do të ndërtohet kompleksi turistik. Ata pretendojnë se i zotërojnë pronat me dokumente, por njerëz të qeverisë janë futur prej 6 vitesh në këtë sipërmarrje, me qëllim zaptimin e tokave. Së fundmi, një firmë austriake mori të drejtën e ngritjes së një resorti turistik. Mirëpo banorët thonë se tokat i zotërojnë me dokumente të rregullta dhe janë në procese gjyqësore. Për të mbajtur situatën nën kontroll kanë shkuar në vendngjarje forca të shumta policie, të cilët i mbajtën nën rrethim banorët, për të mos i lejuar të kundërshtonin punimet. Lidhur me situatën është prononcuar edhe kryeplaku i fshatit Shën Pjetër, Pjetër Braja. Ai pohon se banorët kanë të drejtë të informohen mbi atë çfarë ndodh në zonën e tyre. Braja tha se ata nuk kanë marrë asnjë informacion apo qoftë edhe një dokument zyrtar nga ana e firmës private për të vërtetuar pronësinë e tyre, përveç njohurisë që kanë për blerjen e një sipërfaqeje prej 30 hektarësh tokë nga një ish-pronar, ndërsa pjesa tjetër është marrë në mënyrë abuzive nga firma. Kryeplaku tregon se janë prishur të gjithë ndërtimet e lehta përgjatë bregdetit nga ana e policisë ndërtimore, e mbështetur edhe nga forcat e rendit ditë më parë, të cilët kanë ndërhyrë në të gjithë zonën, duke e pastruar atë nga objektet e lehta të ndërtuara për sezonin turistik. “Pjesa më e madhe e banorëve disponon tapi dhe me vendim gjykata e kanë në pronësi”, sqaron Braja. Sipas kryeplakut, në zonën e tyre nuk ka mbërritur asnjë topograf për të përcaktuar tokën që firma ka marrë në pronësi, pasi kjo e fundit është futur në territorin e banorëve. “I gjithë brezi i rërës është zbatuar nga firma ku është rrethuar me rrjeta dhe po dhunohen pronat barbarisht nga ana e kësaj firme, duke mos lejuar jo vetëm banorët e zonës, por edhe pushuesit që të frekuentojnë këtë vijë bregdetare”, vijon më tej Braja. Ndërkaq banorët sqarojnë se përfaqësues të firmave vijnë pa dokumentacion dhe thonë qe e kemi marrë leje nga Ministria e Mjedisit dhe e pyjores për ta mbrojtur në një sipërfaqe prej 40 hektarësh, ndërsa rrethimi i sotëm përfshin një sipërfaqe prej 67 dynym të tjera, për të cilat pretendojnë pronësinë banorët. Gjithashtu nga ana e kësaj firme janë bllokuar të gjithë rrugët që të çojnë në plazh, ndërsa asnjë person nuk lejohet të kalojë rrethimin edhe pse një pjesë e sipërfaqes së tokës është në pronësi të banorëve si dhe nën administrimin e komunës së Ishmit. Vetëm pas shoqërimit të pesë personave për në komisariatin e Policisë së Durrësit si dhe mbërritjen e përfaqësuesve të Drejtorisë së Pyjores, situata u vu nën kontroll nga ana e forcave të rendit.

Investimi

Firma “Voods Bagot” është fituesja e këtij projekti dhe ka filluar me punimet në brigjet e Adriatikut në fillim të muajit qershor, pas një masterplani urbanistik të miratuar nga KRRTRSH-ja në vitin 2009. Shën Pjetri ndodhet vetëm 45 kilometra në veri të qytetit të Durrësit, e cila i përket komunës së Ishmit më një popullsi prej 12 mijë banorësh.

Proteston fshati afër detit, 1 javë pa drita

FIER – Në fshatin Povelcë, i njohur ndryshe edhe si fshati  Hoxharë e Re, banorët kërcënojnë me bllokim të rrugës nacionale, pasi kanë mbi një javë pa energji. Sipas tyre, shkak për mungesën e energjisë elektrike ka qenë vjedhja e një kablli të tensionit të lartë. Ata pohojnë se janë ankuar edhe te kompania ceke CEZ, dhe se janë në pritje të riparimit të defektit. “Na thanë se do të vijnë, por nuk kanë ardhur të na shohin as se ku ndodhi defekti, jo më ta rregullojnë. Vapa na e bën edhe më të domosdoshme energjinë. Na kanë lënë një javë pa drita. Ne paguajmë çdo faturë”, u shpreh Pëllumb Malo. Ndërkohë, dëme të konsiderueshme u janë shkaktuar bizneseve të zonës. Sipas pronarëve, janë rreth 50 biznese të mesme drejt falimentimit, pasi gjithçka që kanë pasur në dyqane u janë prishur. Nga ana e CEZ deklarohet se do të ndërhyjnë shumë shpejt, por u janë dashur të kompletohen me materialet e nevojshme. “Do të shkojmë në ndihmë të banorëve, por atje u vodh një kabëll i tensionit të lartë dhe ne po sigurojmë tela e kabuj të tjerë për një investim të sigurt në këtë zonë. Këto dy ditë do të zgjidhet problemi i tyre”, u shpreh Andi Prifti, kryeinxhinier në këtë kompani. Banorët bllokuan për rreth 3 orë rrugën Fier-Darëzezë, duke bllokuar edhe pushuesit të cilët ishin nisur për në plazh. Ata kërcënuan se do të bllokojnë rrugën nacionale derisa t’u rikthehet energjia dhe ata t’i kthehen jetës normale.        m.r

 

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura