
Një i ri nga Lazarati ka guxuar i vetëm të trafikojë drejt Greqisë rreth 170 kg marijuanë, por dështoi për shkak të reagimit të menjëhershëm të uniformave blu.
M.K. nga fshati Lazarat, i njohur për kultivimin e bimës narkotike, ka mundur t’i shpëtojë policisë duke u larguar në drejtim të paditur, çka çon në 25 numrin e trafikantëve të drogës të pakapur nga Policia e Gjirokastrës. Burimet zyrtare kanë konfirmuar për gazetën “Panorama” se i riu kishte marrë përsipër të çonte përtej kufirit me Greqisë mallin që pati kultivuar vet dhe, kësisoj, premtonte të ishte vetë përfituesi direkt i të hollave në shtetin grek. Lëvizja e tij nga Lazarati në drejtim të kufirit të gjelbër ka qenë nën mbikëqyrje të plotë prej specialistëve të Sektorit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë, të cilët më parë ishin vënë në dijeni të qarkullimit të një sasie ende të përcaktuar marijuane në drejtim të vijës së gjelbër kufitare. Për të bllokuar sasinë narkotike qysh në territorin shqiptar pa mbërritur në kufi, Policia e Gjirokastrës organizoi veprimet e menjëhershme duke instaluar shërbime grackë në aksin rrugor Gjirokastër-Jorgucat, si dhe përforcuar shërbimin në postbllokun e policisë në afërsi të fshatit Sofratikë i përbërë nga specialistë të Sektorit Kundër Narkotikëve, efektiva të Policisë kufitare të mbështetura edhe nga FNSH. Lëvizja e lazaratasit nga fshati i tij ka filluar rreth orës 04:30 të mëngjesit të së mërkurës përmes automjetit tip BMW me targa greke IBE 1561. Qëllimi i të riut trafikant ishte shmangia në maksimum e kontrolleve fizike të mjetit që drejtonte nga ana e policëve në aksin nacional Gjirokastër-Kakavije me qëllimin final, mbërritjen në kufirin e gjelbër dhe për këtë, udhëtonte me shpejtësi të madhe. Për t’iu shmangur postbllokut të Policisë në Sofratikë, i riu lazaratas ka devijuar nga rruga duke hyrë në një aks sekondar. Menjëherë forcat e Policisë që kryenin shërbim në pikën e kontrollit, kanë bllokuar aksin rural dhe sapo lazaratasi konstatoi këtë veprim, shtoi shpejtësinë e automjetit, duke rrezikuar madje jetën e uniformave blu. Mjeti i ngarkuar me marijuanë nuk u arrit dot të menaxhohej nga trafikanti në momentin e panikut dhe, për këtë, u përplas në një mur. Dëmtimi i mjetit transportues të marijuanës bëri të pamundur vazhdimin e rrugës drejt kufirit dhe për këtë, lazaratasi u largua me shpejtësi në drejtim të zonës malore mbi fshatin Sofratikë. Policia iu vu pas duke u mbështetur edhe nga forcat speciale dhe ato kufitare, por më kot pasi trafikanti u zhduk pa lënë gjurmë.
GJIROKASTER/ PIRO NASE











