Përplaset makina, 3 të vdekur

Jun 20, 2012 | 14:21
Makina e aksidentuar në Elbasan

Shkon në tre numri i viktimave nga aksidenti i rëndë që ndodhi mbrëmjen e së hënës në aksin Elbasan-Librazhd. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:45, ku një mjet tip “Mini Cooper”, me targa italiane CF 576 EN, që drejtohej nga shtetasi Spartak Bakalli, 29 vjeç, banues ne lagjen “5 Maji”, në vendin e quajtur “Ura e Lizës”, humbi kontrollin e mjetit dhe doli nga rruga duke u përplasur me një kolonë anësore të portës së një lokali. Në mjetin në të cilin udhëtonin gjashtë persona, ka gjetur vdekjen e menjëhershme drejtuesi dhe një pasagjer, ndërsa i treti ndërroi jetë gjatë transportimit në spital. Sipas Policisë, viktima të këtij aksidenti janë shtetasit Spartak Bakalli, Roland Xhaferri, 27 vjeç, banues ne lagjen “5 Maji”, si edhe Tauland Haxhiraj, 25 vjeç nga Shkodra. Në aksident mbetën të plagosur rëndë shtetasit Indrit Kasa 28 vjeç, Robert Karaj 19 vjeç, si edhe Serjan Tafani 24 vjeç, që të tre banues në lagjen “5 Maji”, Elbasan. Ata janë dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, nga ku

Spartak Bakalli

mësohet se gjendja e tyre është në rrezik për jetën. Mësohet se 25- vjeçari nga Shkodra, i cili gjeti vdekjen në këtë aksident, ishte i afërmi i njërit prej viktimave. Disa orë para aksidentit, ata ishin nisur për të darkuar drejt Labinotit dhe për të parë ndeshjen me Italinë. Në gjendje të dehur në kthim, drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin e për pasojë

Roland Xhaferri

është përplasur me kolonën. Përplasja e mjetit tip “Mini Cooper” ka qenë tepër e fortë, duke e bërë të pamundur që mjekët në spital t’u jepnin ndihmën e tyre. Burime spitalore bënë të ditur se të tre djemtë kishin mbërritur të pajetë në spital. Pas përplasjes, të rinjtë janë evidentuar nga një tjetër mjet që vinte pas tyre. Drejtuesi i makinës është përpjekur t’u japë ndihmën e parë të aksidentuarve, por ka qenë e pamundur. Policia në vendin e ngjarjes konkludoi se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara nga ana e drejtuesit të mjetit, si dhe humbja e kontrollit për shkak se gjatë drejtimit ai ka qenë në gjendje të dehur. Më herët, një tjetër aksident me pasojë vdekjen e një 65-vjeçareje ndodhi në aksin rrugor Elbasan–Peqin, në vendin e quajtur Vidhas. Një mjet përplasi gruan që po kalonte rrugën, duke e lënë të vdekur në vend, duke e çuar në katër numrin e viktimave brenda harkut të tri orëve.

Cerrik
Një aksident i rëndë ndodhi mbrëmë, me pasojë plagosjen e katër personave. Ngjarja ndodhi në aksin Cërrik-Elbasan, kur dy mjete njëri me targa Elbasani dhe tjetri me targa greke, u përplasën mes tyre. Për pasojë u plagosën katër persona, dy prej të cilëve mësohet se ndodhen në gjendje më të rëndë. Ata u dërguan me urgjencë në spital, ndërsa Policia paraprakisht bëri të ditur se shkak i ngjarjes dyshohet se është lëvizja në drejtim të gabuar e njërit prej mjeteve.

ELBASAN/ MIRANDA SADIKU

© Panorama.al

Te lidhura