Përplasen makinat, 1 i vdekur e 5 të plagosur te “Mali i Robit”

Feb 8, 2012 | 11:29

KAVAJE- Një i vdekur dhe pesë të plagosur është bilanci i një aksidenti që ndodhi mbrëmë në aksin Kavajë-Durrës, në afërsi të vendit të quajtur Mali i Robit. Sipas Policisë, në aksident janë përfshirë dy automjete, të cilat janë përplasur me njëra-tjetrën. Viktima është 37-vjeçari Rezart Hoxha, i cili po drejtonte automjetin tip “Seat Ibiza” me targa greke. Përplasja ka qenë shumë e fortë, saqë për nxjerrjen e trupit të tij nga makina është dashur ndërhyrja e repartit të zjarrfikësve. Ata kanë përdorur mjete prerëse, për shkak se trupi ishte bllokuar brenda automjetit. Sipas specialistëve të qarkullimit, paraprakisht dyshohet se shkak për aksidentin është bërë humbja e kontrollit të mjetit nga 37-vjeçari. Fillimisht makina është përplasur me një nga shtyllat e ndriçimit, për të përfunduar më pas në krahun tjetër të rrugës, ku dhe është aksidentuar me një tjetër automjet me targa AA 247 BA, i cili drejtohej nga 45-vjeçari Leonard Bara nga Fieri. Mësohet se të plagosurit janë shtetasit Elona Feleqi 27 vjeçe, Albana Kanani 37 vjeçe, Leonard Bano 45 vjeç, Marios Buzi 18 vjeç dhe Vilma Qiriazi 28 vjeçe. Të plagosurit janë nga qyteti i Fierit. Mësohet se pesë të plagosurit ishin duke u kthyer nga Tirana, ku kishin dhënë provimin e një prej lëndëve që studionin. Menjëherë në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia dhe tre autoambulanca, të cilat kryen transportimin e të plagosurve drejt Spitalit Rajonal Durrës, ku kanë marrë edhe ndihmën e parë mjekësore.                       l.m

© Panorama.al

Te lidhura