NGA HYQMET ZANE/ Ka qenë një thirrje e kahershme e shoqatës “Vatra” të Amerikës ndaj shtetit grek për çka i ka bërë banorëve të Çamërisë gjatë gjithë kohës pas 1913 dhe deri në spastrimin etnik që nisi më 27 qershor 1944. Jo vetëm sot, por edhe më 1919 kryetari i atëhershëm i shoqatës “Çamëria” të Amerikës me kryetar Beqo Izet Kushi, shoqata “Vatra” ka vepruar me seriozitet dhe dinjitet në mbrojtje të të drejtave njerëzore të shqiptarëve dhe sidomos edhe ndaj çështjes çame.

NË NJË DEKLARATË TË SHOQATËS “VATRA” TË PARA CA VITEVE THUHET:
“Më 1944, Greqia ende mban të ngarkuar ndërgjegjen e Kombit Helen me peshën e rëndë të krimit. Edhe pse kanë kaluar shumë vjet prej gjenocidit grek mbi popullsinë çame, kujtimet e asaj kohe tragjike janë të gjalla dhe zgjojnë emocione të thella jo vetëm tek çamët, por edhe tek të gjithë shqiptarët dhe njerëzit e tjerë që njihen me këtë tragjedi njerëzore.
Mjerisht, Greqia e shekullit njëzetenjë, ende vazhdon të mbajë ndërgjegjen e kombit të vet të ngarkuar me peshën e rëndë të atij krimi antinjerëzor, duke dhunuar, kështu, emrin “Djepi i lashtë i demokracisë”. Gjithashtu, me qëndrimin e vet joligjor dhe në kundërshtim me konventat ndërkombëtare që dhe vetë i ka nënshkruar, Greqia mban peng marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në mes dy popujve tanë të lashte, të cilët kanë nevojë për paqe e mirëkuptim. Gjenocidi që forcat e armatosura greke ushtruan mbi popullsinë e pafajshme çame në një kohë kur vëmendja ndërkombëtare ishte përqendruar tek rrethanat e Luftës së Dytë Botërore në mbarim, me të gjitha konsekuencat e saj. Për fat të zi vëmendja kombëtare ishte në duar të regjimit diktatorial komunist, që mori pushtetin në dorë me forcë dhe nuk kishte interesa kombëtare, por drejtohej nga normat e internacionalizmit bolshevik, duke lënë mbas dore interesat kombëtare. Kështu tragjedia çame jo vetëm nuk i interesonte pushtetit te ri komunist, por përkundrazi atë e shihte më shumë ashtu siç e shihte Greqia shoviniste se sa tragjike ishte për atë popullsi dhe për kombin.
Edhe pse kanë kaluar shumë vjet që pas 27 qershorit 1944, ai gjak mbetet i freskët për çamët që përjetuan gjenocidin, por edhe për ndërgjegjen kombëtare, përderisa Greqia të refuzojë njohjen dhe zgjidhjen e drejtë të çështjes çame. Greqia krenohet me “djepin e demokracisë” të historisë së vjetër, por në shekullin 21, me qëndrimin e pa arsyeshëm për çështjen çame, vazhdon të njollosë historinë e vet, duke shkelë të gjitha rregullat e demokracisë dhe normat ligjore kombëtare e ndërkombëtare.
DERI KUR?
Çamët si të gjithë shqiptarët janë të prirur për paqe e marrëdhënie të mira me popullin grek, por janë të papërkulshëm në kërkesat për drejtësi. Gjenocidi grek mbi popullsinë çame është plagë e hapur në trupin e kombit shqiptar; gjaku dhe borxhi nuk harrohen kurrë, por mund të paguhen ose të falen. Kjo është në dorën e Greqisë. Çështja çame e pa zgjidhur do të vazhdojë të helmojë marrëdhëniet e dy popujve (edhe ashtu në gjendje lufte sipas palës greke) për sa kohë të mbetet e pa zgjidhur.
Le të shpresojmë se arsyeja dhe ligjshmëria do të gjejnë vend në logjikën e qëndrimeve të shtetit grek modern të këtij shekullit të ri. Shteti shqiptar duhet të jetë më i drejtpërdrejtë në zgjidhjen e kësaj çështje, ndërsa klasa politike të jetë e njëzëshme.
AKTUALIZIMI I ÇËSHTJES ÇAME
Shpesh thuhet se krijohen degë të shoqatës “Çamëria” si në Kosovë, e në Kanada, në Izmir të Turqisë apo edhe në ndonjë vend tjetër. Shumë mirë, është sensibilizim dhe ndërkombëtarizim. Lind pyetja se përse krijohen këto degë shoqate kur shoqata “Çamëria” në Shqipëri nuk funksionon, në ka asnjë platformë aktivitetesh dhe veprimtarish, aq më shumë në këtë muaj të përvjetorit të gjenocidit më 27 qershor. Ku ndodhet selia e shoqatës “Çamëria”, ku dhe kush është kryetari, pale të mendosh se si bashkëpunon baza e shoqatës “Çamëria” në Shqipëri me degët e saj?
Shoqata “Vatra” dënon dhe shigjeton shtetin grek, kurse Shoqata Çamëria është në një heshtje ulëritëse ose merren me Belerin se është kështu dhe ashtu a thua se ai është problemi?! Kush e ka katandisur këtë situatë në këtë gjendje? Ku janë ata që ishin deputetë të ashtuquajturës PDIU që u morën padrejtësisht vota çamëve dhe tani janë strukur në qoshen e interesave vetjake ?
Në Shqipëri ka një situatë të rëndë paszgjedhore dhe me të drejtën e vet opozita po “lufton” me të gjitha bateritë e saj për respektimin dhe vendosjen e parametrave të demokracisë në vendin tonë. “Lufta” e opozitës ndaj qeverisjes është e hapur dhe që ka marrë një rrugë ndërkombëtarizimi sa në Europë, edhe në Amerikë. Në këto kushte kush e ka mendjen tek historia e ngjarjeve që kanë ndodhur 81 vjet më parë? Aq më tepër që 27 qershori është ditë përkujtimore e vendosur me dekret presidencial më 1994 si “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek”. As kjo datë nuk përkujtohet, nuk ka asnjë seriozitet e përgjegjshmëri të vetëdijes kombëtare ndaj ngjarjeve historike. Më keq akoma që këtë përkujtim do të duhej ta bënte para të gjithëve shoqata “Çamëria” dhe këshilli kombëtar që fatkeqësisht nuk ekzistojnë.
Vitet ikin në rrjedhën e kohës dhe ne shqiptarët, me gjithë vlerat e atdhetarizmit që manifestojmë, ka momente që harrohen me ose pa qëllim, pak rëndësi ka, por harrohen ato momente që na bëjnë të turpërohemi në altarin e kombit. Patriotizmi sportiv është i mirë, por nuk mjafton dhe nuk mund ta shmangë detyrimin për atdhetarizmin e ngulitur që historia na ka mësuar se ka vlera ndër shekuj.
NISMA PAS 30 QERSHORIT 1994
Deputeti çam Abedin Elmazi që jetonte në Vlorë dhe ishte deputet i grupit parlamentar të PD-së u bë pjesë e nismës për miratimin e një rezolute për shpalljen e datës 27 qershor si “Ditën e gjenocidit të shovinizmit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë”. Një ditë në kalendarin kombëtar shqiptar, që i bën një homazh të përjetshëm kujtimit të viktimave të pafajshme çame, dhe dëbimit të dhunshëm të tyre nga vatrat autoktone mijëra vjeçare. Ishte një akt që i bëri nder Shqipërisë dhe shqiptarëve, si një aset kombëtar që do mbetet në kujtesën mbarëkombëtare.
Diplomati i nderuar me orgjinë nga Çamëria Petrit Kasemi – Begati është një nga asetet e rëndësishme të gamës potenciale të përpjekjeve për të gjetur mirëkuptimin me SHPA Çamëria për nxitjen e një përpjekje të tillë. Njohës i mirë i historisë dhe i gjithë ngjarjeve në rajonin e Ballkanit e më gjerë, me diplomacinë që zotëronte dhe me largpamësinë që shikonte me mendjen e tij, pro edhe me orientimin drejt vlerave, të gjitha ato lëvizje që u bënë deri më 1994 dhe më pas në shërbim të të vërtetave të marrëdhënieve mes shtetit shqiptar dhe atij grek dhe në specifikat që kërkoheshin në atë kohë si një shërbim atdhetar me mendje të hollë.
EPILOG
Në këtë 81-vjetor të atij gjenocidi gjakatar grek dhe të 31-vjetorit të caktimit të “Ditës së gjenocidit grek ndaj Çamërisë”, janë dy ngjarje që kanë lidhje me njëra – tjetrën. Por nëse sot ai gjenocid kujtohet si folklorizëm pa asnjë strategji për të ndrequr padrejtësinë historike, do të duhej që çamët të trokisnin në çdo derë kancelarie europiane dhe në atë amerikane, siç bën shoqata “Vatra” nëse vërtet duhet të besojmë tek drejtësia botërore. Përkundër saj kujtesa për një ditë kalendarike në historinë kombëtare që e kujtojmë si një vlerë e çmuar në altarin e historisë mbarëkombëtare, kjo nuk mund të mbesë si një relikë në fletoren zyrtare. Të dyja bashkë janë një motivim për të ngritur zërin në kupë të qiellit dua të përmend vargjet e himnit të Çamërisë :
“O ju bij të Çamërisë,
Burra, gra të atij dheu,
Mos ia harroni Zervës,
Barbarizmat që rrëfeu”.
Memoriali i përkujtimit në Kllogjer është një apel dhe alarm për kujtesën historike kombëtare dhe për një riformatim të shoqatës “Çamëria” për të bërë të gjallë ekzistencën dhe platformën e dëshiruar të trashëgimtarëve të shqiptarëve të Çamërisë për të ardhmen.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al











