Nga KRISTO MËRTIRI
Pas një takimi të rastësishëm, të ngrohtë e jo të shkurtër, në një kafene të thjeshtë përkrah ish-kinema ‘Partizani’, me partizanen shekullore Mynever Shuteriqi, u përgatita për të udhëtuar drejt Përmetit tim. Ashtu i emocionuar nga ajo bisedë aspak e rëndomtë me një grua të rrallë, të mençur e fisnike, që këmbënguli ta ndanim bashkë një ëmbëlsirë të vogël mbi tavolinë, po meditoja natyrshëm. Është ndoshta e fundit dëshmitare e gjallë dhe punonjëse veterane e Shtypit, që nga koha e ndritur e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Vajzë me rrënjë gjirokastrite. Një ditë të afërt me siguri do të shkruaj me gjatë… Kisha të drejtë të përfytyroja edhe ato vajza të nënave si yje tek rendnin me pushkët në krah dhe torbat me fishekë e fletorka ku mësonin shkrim e këndim gjatë pushimit të betejave. Rendnin drejt atij kuvendi historik të paharruar, drejt Kongresit të Përmetit. Si delegatë të zgjedhura nga populli, por edhe si partizane të kulluara që ëndërronin dhe luftonin për Lirinë e Mëmëdheut. Demokrate të vërteta, në shpirt e në mendime, në fjalë e në veprime. Kujtova udhëtimin tim të parë, pasi lashë Tiranën e do të filloja korrespodent profesionist, me rezidencë në qytetin e luleve të pathara në çdo stinë. Historikisht, 2 përmbytje dhe 3 zhuritje, me urë zjarri në duart e pushtuesve, mbahen mend nga shkretimi dhe përvëlimi i gonxheve të paçelura.
Dhe ‘ashtu si tërë Arbri, i përngjet atij zogut të Lindjes, që digjet dhe ringjallet prej hirit të vet!’. U bë më i bukur, më i mirë. Por mbrëmë Vjosa e bekuar, sikur e la mënjanë gumëzhitjen dhe mërmërimën gurgulluese të pranverës. Rreth 80 maje kështu! Ua la vendin kabave e sazeve të gëzuara…
Ajo mbrëmja dhe nata e parë si gazetar, nuk më shqitet nga mendja. Sidomos data 23 maj! Shëmbëllente me përgatitjet e një dasme të madhe. Dhe jo vetëm nga këngët e meloditë që zgjeronin kraharorin e njeriut. Era e sokakëve të sapolyer me gëlqere ndihej në çdo hap. Familjet ndërronin qilimat e rrugicat e shtruara në dimër. Bëheshin gati disa lloje glikosh për të pritur miqtë e mysafirët. Qyteti dyfishohej si papritur. Selvitë e famshme rreth banesës së fundit të Dëshmorëve të Atdheut, grumbullonin më tepër se kurrë bilbila e zogj shtegtarë që nuk pushonin së kënduari. Vonë, te lëndina përballë, shikoje mjaft njerëz të ulur këmbëkryq sipas fiseve, fshatrave, shoqërive e miqësive. Të veshur me rroba të reja, të pastra si bora mbi Nemërçkë. Shtroheshin pranë ‘sofrave’ të mëdha në natyrë, me mish, bulmet, raki e verë. Sikur hidheshin pas krahëve hallet e marazet. Dhe shpërthenin këngët popullore. Ia thoshte Dëshnica e ia priste Malëshova, Dangëllia, Cerja, Rreza e Shoqëria. Një festival i çuditshëm masiv, pa dirigjente e konferenciere, pa skena zyrtare. “Shokët”, vepra monumentale e drithëruese e përmetarit të madh Odhise Paskali, priste e përcillte vizitorë të thjeshtë dhe “këmbët” i mbulonte me lule të freskëta. Një natë e pagjumë që gëzonte edhe gurët e drurët. Dhe i thoshte si pa kuptuar “Mirëserdhe”, datës 24. U kthye në traditë të veçantë, që pluralizmi e pakësoi dhe e zbehu shumë. Rrallë mund të ketë munguar i papërsëritshmi këngëtar, Mentor Xhemali, ish-mitraljeri partizan të beteja e njohur e Grykës së Mezhgoranit. Linte pak orë kryeqytetin, Teatrin e Operës e Baletit dhe zbriste në vendlindje me i përtërirë e pa fodullëk.
Por lidheshin edhe dashuri e miqësi të reja. ‘Përmeti im! A të kujtohet? Dikur 2 bilbila, kanë kënduar këtyre anëve: njëri majë kodrave të Dangëllisë, tjetri prapa Dhembelit, në fushat e Çajupit!’. Ia merrnin këngës me të qarë. Bilbil Frashëri e bilbil Zagorie. Kënduan edhe për të ardhmen, që nuk e panë dot me sy. Ndërsa për braktisjen biblike të sotme të fshatit shqiptar, me siguri do të vajtonin hidhur e plot revoltë. Kohëra të tjera me rropamë kapitaliste po rrokullisen shpejt edhe në psikologjinë kolektive në fshat e qytet. ‘Modernia’ me petkun e majmunërisë, herë-herë sikur i vë bërrylin traditës së mirë dhe nxjerr gjuhën e tallet nga istikamet ‘europiane’. Megjithëse Sazet e Përmetit vazhdojnë të ngrenë në këmbë e të duartrokasin edhe vetë Parlamentin Evropian. Pa harruar zërin e mrekullueshëm si burimet rreze Dhëmbelit të Tefta Tashko Koços, që shpesh ngre edhe të vdekurin nga varri. Pa harruar akademikë të sotëm në Gjuhësi, Skulpturë e Pikturë, Muzikë e Teatër etj. Të gjithë me themele të forta Përmeti! 24 maji i ftonte e ofronte secilin pa ftesa në zarfe, pa vula zyrtare e salltanete fanfare. Të vërtetën e atij Kuvendi historik me shumicën e delegatëve patriotë e figura popullore të zgjedhura nga populli i krahinave të ndryshme, jo partiakë të thekur. Parti mbi çdo parti kishin Shqipërinë hallemadhe! Rrezet e atij Kongresi të paharruar e me erë baroti (jo me brilantine nga zyrat nazifashiste), ‘ia çorën përgjithmonë perden natës shekullore, grisën errësirën e dimrit dhe paralajmëruan Pranverën e madhe. Rreze që ngrohën dhe ndezën zemrën e një populli të tere’ …
Kur po mbaroja vitin e parë të studimeve të larta në Gazetari, me ka mbetur në mendje një letër e botuar në gazetën ‘Drita’, dy javë para 24 majit, e titulluar ‘Heroizmi u përket trimave’. E shkruar në vigjilje të Çlirimit, në mes të partizanëve në Shkallë të Tiranës. Origjinalin e kishte ruajtur Shefqet Musaraj nga Lumi i Vlorës. Nuk qe shkruar nga një dore dosido, por nga pena e një përmetari penëmprehtë, nga pena e shkrimtarit dhe publicistit të shquar, Nonda Bulka. E kujtova edhe mbrëmë, kur po kaloja pranë shkollës me emrin e tij. ‘Të paktën dy librat e tij me redaktore Rozeta Ucin, duhet t’i mbajnë si libra xhepi studentët e sotëm të Degës së Gazetarisë’, më thotë me të drejtë shpesh në Tiranë një kolegu im i vjetër. Shkollë me vete, që thyen erën e ftohtë dhe të akullt në përshkrimet e ditës. Nonda Bulka që gjithë jetën qau e qeshi si bilbili, përmetar 24 karat, profesori ynë i dashur Muzafer Xhaxhiu e gdhendte me dy fjali: ‘Idealisti i pastër që nuk diti kurrë ç’është paraja, nuk vuri kurrë një grosh në xhepin e tij… Erdhi në këtë botë me ironinë e mprehtë në majën e gjuhës dhe iku duke marrë me vetë gazin e jetës’. Ishte pranë revistës së famshme ‘Hosteni’, qysh në orët e para të lindjes së saj. Në kohën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, kur propaganda ligërshane e shërbëtorëve faqezinj të pushtuesit, villte vrer e zeher mbi të rejat e të rinjtë partizane dhe shpifte pacipërisht, 38-vjeçari nga Leusa, e mbyllte letrën thjesht e mjaft fshikullues ndaj rrufjanëve të korruptuar. Pa bërtitur e vetëm me një episod të shkurtër që flet gjatë: ‘Xha Goxhoja nga Brataj i Vlorës, vullnetar i orës së parë, është 68 vjeç. Ka mësuar Abetaren punë e madhe dhe, aq sa ua kapërceu çunave dhe mori lëvdata. Hyri në Brigadën e Pestë Partizane për të zëvendësuar djalin e tij që ra heroikisht ne Brigadën e Parë.
Në këtë minutë që po të shkruaj erdhi lajmi se xha Goxhoja ra edhe ai Dëshmor për Atdhe!… Në Përmetin tim bisedova gjatë me Nondën dhe gjithë përmetarët e mi…
Por në mëngjesin e njëzetekatrës 2023, u derdhën si ca përrenj të gëzuar dhjetëra e dhjetëra flokëbardhë, burra e gra, të rinj e të reja, pasardhës të luftëtarëve të Lirisë e të Demokracisë së vërtetë. Familjarë të heshtur e krenarë, të afërm të Dëshmorëve të Atdheut që falën jetën në lule të jetës për këto troje hijerënda, për këtë Shqipëri halleshumë e të pagjumë. Vërshimin e njerëzve te Monumenti i Partizanit, nuk ka dallgë e shkumëzim politik që ta ndalojë. Djathtas e majtas! Nuk ka zemër njeriu që të mos emocionohet, kur përfaqësues të qyteteve e fshatrave nga krahinat e vendit, nderojnë këtë popull të urte e mikpritës buzë Vjosës. Njëlloj si 79 vite më parë! Mungojnë vetëm pushkët dhe rrobat partizane, por asnjëherë shpirti i zjarrtë atdhetar. Në rrokullimën e Pluralizmit rrumpallë, rrallë kam parë një vërshim të tillë njerëzor te porta historike e Kongresit Antifashist, te ‘parlamenti’ i parë pluralist. Për shembull, vetëm nga Fieri e Mallakastra, a e dini sa Pasardhës të Veteranëve, Dëshmorëve e Delegatëve , hynë në sallën e Kongresit 270 vetë. Pa llogaritur, Vlorën, Tepelenën, Skraparin, Kolonjën, Gjirokastrën, shqiptarë nga Kosova etj. Aty takova edhe mësuesin tim të dashur të shkollës tetëvjeçare, mësuesin e shquar Krenar Progonati, vëllain e Nimetes 14-vjeçare, heroinës së popullit, që mercenarët e pushtuesit e qëlluan pas shpine në Sinjë të Dibrës… Dikush kujton vëllain e motrën, që ranë në mbrojtje të Kuvendit, të asaj ngjarjeje të madhe kombëtare. Dikush kujton gjyshin, babanë, xhaxhanë, dajon e hallën partizane. Një tjetër kujton sylotuar nënën që fali edhe thesin e fundit të miellit për bukë, për të shuar sadopak urinë e partizanëve… Të gjithë për Ditën e bekuar të Çlirimit! Përqafime, puthje e premtime. Dhe përmes këngëve partizane luftarake, fotove të panumërta, e pse jo nostalgjisë së natyrshme pa kurrfarë ngarkesash partiake, ndaheshin me urimin dhe dëshirën e ngrohtë të zemrave: Mirë u pafshim në 80-vjetor!
Majet e Përmetit do të presin në vatrën dhe sofrën e tyre, brez pas brezi. Sepse aty gjëmon e do të gjëmojë përjetësisht ‘historia kapakkuqe’ e Lirisë, e fitimtarëve kundër nazifashizmit. Është historia e pushtetit të popullit! …
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al