Nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist, Erion Braçe, kërkon pjesëmarrje në seancën e Kuvendit për të kundërshtuar
shitjen e aseteve publike nga qeveria.Përmes rrjetit social “Facebook”, Braçe kërkon një reagim më të fortë të PS-së ndaj projektligjit të qeverisë për shitjen e katër hidrocentraleve. Reagimi i Braçes erdhi pas deklaratës së kreut socialist, Edi Rama, në një bashkëbisedim me gazetarët, ku u shpreh se “kur PS të vijë në pushtet, do të anulojë të gjitha këto veprime, të cilat i cilësoi mafioze”. “PS deklaroi pak më parë se nuk do ta njohë privatizimin e shpallur nga Sali Berisha në sektorin strategjik, veçmas të energjisë! Por bën gabim! Nuk është privatizim! Është shpronësim me dhunë, pas vjedhjes së zgjedhjeve, që i bëhet çdo shqiptari! Deklarimi për shtyp nuk mjafton! PS duhet të kundërshtojë ashpër shpronësimin në Kuvend, sheshe, rrugë, kudo!”, shprehet Braçe në profilin e tij në Facebook, duke marrë pas këtij apeli me dhjetëra

komente dhe mbështetje nga miqtë e tij në këtë rrjet social. Shumica e miqve të nënkryetarit të Grupit Parlamentar socialist në Facebook mbështesin qëndrimin e tij, ndërsa shprehen se Partia Socialiste nuk po kërkon me forcë të drejtën e saj për votën e qytetarëve, por dhe për shitjen e pronës publike. Grupi Parlamentar socialist ka vendosur të mos marrë pjesë në asnjë komision të përhershëm parlamentar apo seancë plenare deri në dhënien e vendimit përfundimtar të Kolegjit Zgjedhor për rezultatin e Bashkisë së Tiranës. Por, Braçe mendon se sa kohë bëhet fjalë për shitje nga ana e qeverisë të pasurisë kombëtare, PS duhet të shkojë në Kuvend dhe ta kundërshtojë këtë veprim, e jo të bëjë bojkot në një moment të tillë. “Berisha është i mundur! Ai po mbaron, ka bërë gabimin e fundit të jetës! Berisha nuk lufton dot më: një hajdut nuk ka kurajë luftëtari! Berisha nuk ka para për luftë. Shpronësimi i çdo shqiptari nga pasuria publike bëhet për të mbledhur para! PS duhet të jetë nesër në Kuvend, të qëndrojë, jo të ikë! Të paralajmërojë shitësit se do ketë drejtësi, të paralajmërojë blerësit se nuk do gëzojnë pasurinë kombëtare!”, u shpreh Braçe. Kryesocialisti u shpreh dje se marrëdhëniet e Grupit Parlamentar socialist me Kuvendin do të mbeten të ngrira deri në përfundim të procesit gjyqësor në Kolegjin Zgjedhor. “Të gjitha çështjet që lidhen me vendimmarrjet e PS dhe të Grupit Parlamentar të saj, të opozitës në tërësi, lidhur me të nesërmen, janë çështje që do të diskutohen gjerësisht pas përfundimit të procesit të hapur ende të 8 majit, në Tiranë”, u shpreh Rama gjatë bashkëbisedimit me gazetarët. Përveç deklaratës së Ramës në lidhje me këto privatizime, nuk ka ende diskutim në Grupin Parlamentar socialist se çfarë qëndrimi do të mbahet për projektligjin e shitjes së hidrocentraleve të vogla në vend. Edhe pse një çështje kaq sensitive, dje deputetët e Partisë Socialiste nuk morën pjesë në mbledhjet e komisioneve parlamentare, veçanërisht në Komisionin e Ekonomisë, ku janë diskutuar dhe termat ekonomikë rreth kësaj procedure.
BRAÇE, KUNDËR QËNDRIMIT TË PS NDAJ KQZ
Pak ditë më parë, numri dy i Grupit Parlamentar socialist, Erion Braçe, kërkoi nga lidershipi i PS një reagim më të fortë ndaj KQZ-së dhe qeverisë. Përsëri përmes Facebook-ut, Braçe bëri apel që “Partia Socialiste duhet të dalë nga kllapia”. “PS po sillet si humbëse, jo si e zgjedhura e njerëzve. Partia Socialiste duhet t’i përdorë këto dy mandate për t’i dhënë zgjidhje problemit të demokracisë në rrugë institucionale e në rrugë jashtinstitucionale. Tani!” shprehej Braçe.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











