TIRANE- Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekoroi sot në Presidencë tre përfaqësues të shquar ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjeneral Lejtnant Sylejman Selimi, Kapiten Ejup Maqedonci dhe Tetar Valdrin Kelmendi, të cilët kanë kontribuar në përballimin e situatës së rënduar për shkak të përmbytjeve në fundvitin e kaluar, në rrethin e Shkodrës.
Gjeneral Lejtnant Sylejman Selimit u dekorua me “Medaljen e Artë të Shqiponjës” me motivacionin: “Për kontribut të çmuar në përballimin e fatkeqësive natyrore gjatë përmbytjes në rajonin e Shkodrës”. Me të njëjtin motivacion, kreu i shtetit u dorëzoi Kapiten Ejup Maqedoncit dhe Tetar Valdrin Kelmendit, Medaljet “Për Shërbime Ushtarake”
Presidenti falenderoi Forcat e Sigurisë së Kosovës, ndërsa shprehu bindjen e tij se me profesionalizmin dhe punën që po bëjnë këto forca, Kosova një ditë të afërt do të jete pjesë e Aleancës së Atlantikut, NATO-s.
Nga ana e tij Gjeneral Lejtnant Sylejman Selimit, uroj që fatkeqësi të tilla të mos ndodhin më në Shqipëri, por nëse ndodhin tha ai, “ne çdo herë do të jemi të gatshëm që të kontribuojmë për vëllezërit tanë, kudo që gjenden”
© Panorama.al












