Qindra njerëz kanë protestuar në Kaliforni për vrasjen e dy personave nga Policia, fundjavën e kaluar. Rreth 500 protestues hodhën gurë, thyen vitrina dhe dogjën një makinë policie, ndërsa 250 policët e angazhuar në shpërndarjen e turmës qëlluan me plumba gome dhe gaz lotsjellës. Përleshjet me Policinë zgjatën rreth 7 orë, ndërsa 24 protestues u arrestuan. Situata u përshkallëzua, kur para ndërtesës së Bashkisë anëtarët e Këshillit Bashkiak votuan unanimisht për hetimin e incidenteve. Viktima e parë, Manuel Diaz, u qëllua për vdekje të shtunën, pasi nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar. Ndërsa vrasja e dytë ndodhi të dielën, kur forcat e rendit iu vunë pas një të dyshuari për anëtar bandash kriminale me një makinë të vjedhur, i cili hapi zjarr ndaj një polici, që iu kundërpërgjigj në të njëjtën mënyrë duke e lënë të vdekur në vend.











