Përleshje masive për një “iPhone”, 2 të plagosur rëndë

Aug 11, 2011 | 10:27

Humbja e aparatit telefonik “iPhone” të një klienti në një lokal me muzikë pranë Kthesës së Kamzës mbrëmjen e së enjtes është bërë shkak për një sherr masiv të dhunshëm mes 12 vetash.Konflikti përfundoi me 2 persona të plagosur rëndë me mjete të forta dhe me katër të tjerë të arrestuar. Gjykata e Tiranës pranoi dy ditë më parë kërkesën e prokurorisë për mbajtjen në paraburgim me afat 40 ditë të dy prej të arrestuarve, Basri dhe Përparim Kurpali. Për dy të arrestuarit e tjerë, Sajmir Rasha dhe Ervis Manjani, gjykata vendosi lirimin pasi caktoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Sipas përfaqësuesit të akuzës, prokurorit Blerim Tominaj, të plagosurit rëndë nga ngjarja janë shtetasit: Arjan Imeraj, 27 vjeç dhe Eduard Sokoli, 24 vjeç. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se mbrëmjen e ngjarjes, të afërmit Kurpali kanë qenë në lokal si pjesë e një grupi prej 5-6 djemsh nga Kukësi. Sipas prokurorisë, ata kanë konsumuar sasi të mëdha alkooli dhe më pas kanë kërkuar tek d.j. (dee jay) i lokalit një këngë për ta. Më pas në lokal kanë ardhur disa djem të tjerë nga Tropoja. Pak pas qëndrimit në lokal djemtë nga Tropoja kanë vënë re mungesën e një telefoni “iPhone” të lënë në tavolinën e tyre. Sipas prokurorisë, ata kanë dyshuar se telefoni ishte vjedhur nga një prej të rinjve nga Kukësi. “Për këtë shkak ata kanë lajmëruar truprojën e lokalit, i cili ka thirrur të dyshuarin Përparim Kurpali. Kanë dalë jashtë. Kurpali ka mohuar të ishte ai vjedhësi i telefonit, por më pas ai është konfliktuar fizikisht me personat që po e pyesnin”, tha prokurori. Në vijim kanë dalë jashtë lokalit shokët e të dy “palëve” dhe situata ka dalë jashtë kontrollit. Plot 12 veta janë përfshirë në një sherr të përbashkët ku dyshohet të jenë përdorur mjete të forta si karrige dhe mjete të mprehta si thika. Por, sipas prokurorisë, për shkak të dinamikës së ngjarjes, ende nuk janë qartësuar personat që kanë plagosur rëndë Imerajn dhe Sokolin. Avokati mbrojtës i të pandehurve Kurpali i kërkoi gjykatës masa më të buta sigurie se ajo e “arrestit me burg”. Sipas avokatit, familjet e të rinjve të “palëve kundërshtare” në zënkën e dhunshme kishin lidhje miqësore mes tyre dhe kishin nisur proces pajtimi. Vetë të pandehurit nuk shfaqën pretendime para gjykatës. Ata thanë vetëm se ishin dakord me avokatët e tyre.

 

Armand Bajrami

© Panorama.al

Te lidhura