Shtatë banka gjermane kanë humbur nga një pikë për besueshmërinë e tyre, pasi agjencia e vlerësimit Moody’s beson se edhe Gjermania do të goditet nga kriza e eurozonës. Moody’s tha se do të ulë vlerësimin e bankës së dytë më të madhe në Gjermani, “Commerzbank AG” nga A2 në A3 për parashikimet negative për një periudhe të gjatë. Moody’s e argumentoi lëvizjen e vet pjesërisht me faktin se “ka rritje të rrezikut të proceseve të tjera shokuese të shkaktuara nga kriza e borxhit në eurozonë në kombinim me bankat e saj dhe kapaciteti i limituar i absorbimit të humbjeve”. Megjithatë, ulja e këtij vlerësimi nuk ndikoi në tregje, të cilat janë optimiste në pritje të vendimeve që do të marrë gjatë takimit të sotëm Banka Qendrore Europiane, e cila do të mbledhë bordin për të diskutuar krizën. BQE nuk pritet të marrë hapa të rinj ndaj problemeve të shpejta. Herman van Rompuj, presidenti i Këshillit të Europës, do të paraqesë plane afatgjata për integrimin e Europës, të cilat nuk përfshijnë krizën e Spanjës, edhe pse ajo ka kërkuar ndihmë.
Në një raport për klientët e saj, banka britanike HSBC ka llogaritur që përgjatë tri viteve kostoja e paketës së shpëtimit për Spanjën mund të arrijë në mbi 380 miliardë euro. Sa për Bankën Qendrore Europiane, nuk pritet ndonjë vendim për të ulur sërish normën e interesit, e cila tashmë ka arritur në rekordin 1 për qind. Dhe ka pak shanse që ajo të ofrojë përsëri hua të lira emergjente për bankat në këtë periudhë, pas ofertës prej 1 trilion eurosh në dhjetor dhe shkurt. Analistët u shprehën se BQE ka arsye të forta për të mos marrë vendime të reja derisa qeveritë e eurozonës të lëviznin me masa të reja kundër krizës dhe pro zhvillimit ekonomik.
Eurozona ka shqetësuar të gjithë institucionet ekonomike e financiare botërore. Pas zgjerimit të krizës edhe në Spanjë, ku qeveria kërkoi zyrtarisht ndihmë nga BE pasi vendi është jashtë tregjeve financiare, ka nxitur telekonferencën e jashtëzakonshme të G7 të martën, ku 7 vendet më të zhvilluara të botës u zotuan të punojnë së bashku për të përballuar problemet e Spanjës dhe Greqisë dhe vendeve të tjera të eurozonës, por pa propozime konkrete. Në takim është bërë presion ndaj qeverisë gjermane për të pranuar formimin e një depozite të përbashkët për të ndihmuar vendet në krizë, por Berlini zyrtar ende po i reziston kësaj kërkese.











