Përgjimi i Metës, vendimi më 11 korrik

Jun 28, 2011 | 11:48

Gjykata e Lartë caktoi për më 11 korrik seancën kur do të shprehet mbi kërkesat paraprake të avokatëve të ish-zv.kryeministrit Ilir Meta, të hetuar nga prokuroria për “korrupsion”.Në seancën e kaluar mbrojtësit e Metës pretenduan pavlefshmëri të veprimeve hetimore të kryera ndaj klientit të tyre, si edhe papërdorshmëri të provave. Hetimi, i cili çoi në gjykatë ish-zv.kryeministrin, nisi pas publikimit të një video-përgjimi të realizuar në zyrën e ish-ministrit Dritan Prifti. Në seancën e djeshme, Kolegji Penal u njoh me kundërshtimet e prokurorisë ndaj pretendimeve të avokatëve mbrojtës të ish-zv.kryeministrit Ilir Meta. Avokatët kishin kërkuar shpalljen e videos si të pavlefshme dhe konsiderimin e krejt dosjes si jo procedurale për shkak të shkeljes së afateve ligjore të hetimit dhe mosrespektimit të afateve hetimore. Sipas prokurorit Bujar Sheshi, kërkesa e avokatëve duhet të rrëzohet nga Gjykata e Lartë, pasi nuk është e bazuar në prova dhe në ligj. Në përfundim të pretendimeve të prokurorit, Kolegji Penal u tërhoq për vendim duke kërkuar kohë. Pas rreth 60 minutash në dhomën e këshillimit, Kolegji Penal vendosi shtyrjen e seancës dhe shpalljen e vendimit në seancën e ardhme. “Pasi vlerësoi kompleksitetin e kërkesave paraprake u gjykua se Kolegjit Penal i nevojitet kohë për të shprehur vendimin”, bëri të ditur dje kryesuesi i seancës, gjyqtari Ardian Dvorani. Më herët, në përfundim të prapësimeve të prokurorisë, anëtarët e Kolegjit Penal debatuan me përfaqësuesin e Akuzës. Kolegji kërkoi sqarime se si Prokuroria e Përgjithshme pranoi për kompetencë procedimin e nisur ndaj ish-zv.kryeministrit Meta, në një kohë që emri i tij ende nuk ishte regjistruar në regjistrat e veprave penale.
Debati dje në seancë mes gjykatës dhe prokurorit:
Gjykata: E keni pranuar kërkesën e Prokurorisë së Tiranës për moskompetencë?
Prokurori: Prokuroria e Tiranës i filloi hetimet pas shfaqjes së videos në programin “Fiks Fare”. Por, në momentin që Dritan Prifti pranoi autorësinë e regjistrimit të saj dhe nëse ishte apo jo e manipuluar, në vijim veprimet duhet të kryheshin nga Prokuroria e Përgjithshme. Për këtë arsye, mbi vendimin e Prokurorisë së Tiranës regjistruam procedimin penal. Nëse rezultonte e manipuluar, atëherë do të vihej Dritan Prifti në përgjegjësi penale.
Gjykata: Si regjistrohet procedimi penal pa autor?
Prokurori: Kodi i Procedurës lejon regjistrimin e një procedimi penal pa emër. Prokuroria duhet të krijonte bindjen se videoja nuk ishte e manipuluar dhe po ashtu edhe transkriptimi i saj. Duhet të krijonte idenë se kush ishte personi për të regjistruar emrin e tij në regjistrin e fillimit të procedimit.
Gjykata: Si u bëtë kompetentë kur nuk e kishit emrin e personit që hetohej?
Prokurori: Momenti që na bëri ne kompetentë ishte momenti kur Dritan Prifti deklaroi se e kishte regjistruar ai videon.
Gjykata: Është i përshtatshëm në bazë të ligjit eksperti i përzgjedhur në Amerikë?
Prokurori: Në lidhje me akt-ekspertimin e kryer në Amerikë, eksperti është i përshtatshëm. Ai është pjesëtar i një kompanie që kryen ekspertime në këtë vend. Kjo kompani kryen ekspertimet edhe për llogari të gjykatës amerikane. Për mua akt-ekspertimi është i vlefshëm.
Gjykata: Kur nuk ishit të sigurt se si do të dilte videoja nga akt-ekspertimi, pse e dinit për kompetencën?
Prokurori: Për akt-ekspertimin nuk e dinim. Por në lidhje me kompetencën aty do të dilte njëri, Prifti ose Meta, kompetencë për hetimin e të cilëve është Prokuroria e Përgjithshme.

Prifti pranoi në Prokurori përgjimin e Metës fshehurazi

TIRANE – Hetimi për përgjimin e regjistruar nga Dritan Prifti më 10 mars 2010 në zyrën e tij kur ishte ministër i Ekonomisë, filloi në mesin e muajit janar, pas publikimit të përgjimeve në emisionin “Fiks Fare”. Pak ditë më pas, Prokuroria e rrethit thirri Dritan Priftin, i cili, pasi pranoi regjistrimin e videos, dorëzoi materialin e saj origjinal bashkë me pajisjet me të cilat ishte realizuar regjistrimi. Prifti tregoi se para bisedës me Metën e kishte vendosur përgjuesin në një orë dhe më pas orën e kishte vendosur pranë vendit ku do të zhvillohej biseda. Prokuroria e Tiranës filloi kryesisht procedimin penal në lidhje me ngjarjen dhe pas më shumë se një muaj e gjysmë veprimesh hetimore, u vendos që dosja të dërgohej për kompetencë në Prokurorinë e Përgjithshme. Pikërisht dosja e Prokurorisë së Përgjithshme, e cila është paraqitur në Gjykatën e Lartë, në rendin e provave shkresore përmban dokumentet e mbledhura nga Prokuroria e Tiranës në kohën kur dosja ndodhej ende në këtë institucion, e padeleguar ende në Prokurorinë e Përgjithshme. Pasi mori dosjen, Prokuroria e Përgjithshme, e cila zakonisht nuk bën hetime në themel, kreu vetëm kërkesën për akt-ekspertimi mbi vërtetësinë e video-përgjimit, mori në pyetje edhe dy herë Dritan Priftin dhe iu drejtua Kuvendit me kërkesën për heqjen e imunitetit të dy protagonistëve të çështjes. Gjithë provat e tjera ishin mbledhur para se emri i Metës të shënohej në dosje.

“Prifti në hetim nuk ka lidhje me Metën”

TIRANE – Prokurori i çështjes në ngarkim të ish-zv.kryeministrit Ilir Meta, kërkoi dje në Gjykatën e Lartë rrëzimin e të gjitha kërkesave paraprake të avokatëve. Sipas tij, pretendimet e mbrojtësve të Metës janë të pambështetura në ligj dhe në prova. “Pretendimi për shkelje të afateve hetimore është i pabazë”, tha prokurori. Sipas tij, afatet e hetimeve nisin kur çështja është regjistruar në Prokurorinë e Përgjithshme, dhe jo në atë të Tiranës. Kjo, pasi, sipas prokurorit, veprimet e kryera në Prokurorinë e Tiranës ishin vetëm për vërtetësinë e videos. Prokurori sqaroi se videoja është ekspertuar më 7 shkurt 2011 dhe më 8 shkurt 2011 janë marrë deklarimet e Dritan Priftit, ku ai pranon autorësinë e regjistrimin e saj. Sipas prokurorit, “kjo bëri që më 9 shkurt të regjistrohet procedimi penal në Prokurorinë e Përgjithshme”. Përfaqësuesi i Prokurorisë hodhi poshtë edhe pretendimin e mbrojtjes se Prokuroria ka hetuar një njeri me imunitet pa lejen e Kuvendit. Në lidhje me mosnjoftimin e të dyshuarit Meta për akt-ekspertimin e bërë nga eksperti amerikan, prokurori tha se “ky ekspertim është bërë më 24 janar, para se Meta të merrej i pandehur” dhe se dosja nuk kishte një emër konkret në atë kohë. Për pretendimin e mbrojtjes se nuk ishin përdorur letër-porositë për veprimet me ekspertët e huaj, prokurori kundërshtoi me argumentin se “kërkesa nuk i është drejtuar as Gjykatës, dhe as Prokurorisë amerikane, por një shtetasi amerikan dhe në këtë mënyrë nuk nevojiteshin letër-porositë”. Njëkohësisht, prokurori hodhi poshtë pretendimet e mbrojtjes për mospërdorimin e transkriptimit të videos, i bërë nga oficerët e Policisë Gjyqësore, si edhe moskonsiderimit si provë të orës së përgjimit, lap-topit, apo një fishës së sekuestruar. Po ashtu, prokurori kundërshtoi pretendimin e avokatëve që deklarimet e Dritan Priftit nuk janë të vlefshme për shkak se ai është në hetim për një video tjetër të gjetur në kompjuterin e tij. “Është e vërtetë që ndaj Dritan Priftit është regjistruar një procedim penal, por ai nuk është i lidhur me të parin”, tha prokurori.               ar.ba

 

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura