
Edhe pse fillimisht kishin refuzuar, pronarët e kompanisë “News Corporation”, e cila është përfshirë në skandalin më të madh të përgjimit në Britani, Rupert dhe Xhejms Murdok do të paraqiten përpara anëtarëve të Parlamentit britanik të martën e ardhshme, për t’u pyetur rreth këtij skandalit që nisi me “News of the World” dhe shkaktoi mbylljen e gazetës 168-vjeçare, pjesë e kësaj korporate. Ata nuk janë shtetas britanikë dhe nuk janë të detyruar të paraqiten në Parlament. Por, një lloj “presioni” nga përfaqësuesit e komitetit të deputetëve duket se ka bërë punë. Pasi fillimisht Xhejms tha se atë datë që ishte “gjyqi”, ai ishte shumë i zënë, më vonë njoftoi se do të paraqitej në seancë. Ndërkohë, drejtoresha ekzekutive e “News International”, Rebeka Bruks, ka rënë dakord për të ndjekur seancën. Dje u krye edhe një tjetër arrestim në lidhje me skandalin e përgjimeve të gazetës më të shitur në Britani. Ish-redaktori i “News of the World”, 60-vjeçari Neil Wallis, u arrestua dje herët në mëngjes. Ai është personi i nëntë që arrestohet lidhur me çështjen e përgjimeve. Seanca dëgjimore për dëshminë e miliarderëve Murdok do të kryhet ditën e fundit të punës së Komisionit të deputetëve, para pushimeve verore.











