1.
Ahmeti banon ngjitur me pallatin tim, i cili ndodhet duke perifrazuar fqinjin tonë të përbashkët, profesorin e nderuar Edmond Tupja, që banon edhe ai diku aty pari, “në Brrakën tonë të dashur”. Si të gjithë pensionistët, është një lexues i rregullt i shtypit. Si shumica e lexuesve, pëlqen më shumë shkrimet ku ka kritika. Një shkrim i imi para pak ditësh nuk e kishte ngopur, siç më tha vetë ai. “E preke problemin tha, por nuk i shkove deri në fund. The që ne pensionistët ia dalim vetëm të shtyjmë gjysmën e muajit, por nuk e sqarove pse. Dhe nuk e ilustrove”.
2.
Kjo vërejtje më detyroi t’i rikthehem temës së pensioneve. Ky sistem po mbush gati dy dekada që funksionon. Por duhet thënë, madje rithënë, që nuk po përmbush misionin e tij për sigurimin e një cilësie jetese minimalisht optimale për pensionistët. Brezit të pensionistëve të periudhës 1992-2002 u takoi të përballojnë kostot e ashpra të sistemit të ri, si dhe performancën e ulët në zbatimin e skemës. Pasi e patën “furnizuar” për vite me radhë fondin e pensioneve, kur erdhi puna për të përfituar prej saj, u ndeshën me pamjaftueshmërinë e tij për të paguar pensione dinjitoze, për të përballuar jetesën. Kjo ndodhi për shkak të nivelit të ulët të pagesës së kontributeve. E cila nga ana e saj vinte nga numri i vogël i kontribuesve, në raport me pensionistët ose përfituesit. Por edhe numri i vogël i kontribuesve i kishte disa shkaqe, ndër të cilat mund të përmendim: nivelin e ulët të punësimit, shkallën e lartë të informalitetit në punë, edukatën e dobët kontributive të popullsisë në moshë të re dhe performancën e agjencive të sistemit. Niveli i punësimit gjatë tranzicionit rrallë e ka kaluar 50 përqind. Informaliteti shumë rrallë është ulur nën 50 për qind. Vetëm një në tre shqiptarë në moshën e punës kontribuon në skemën e pensioneve. Të ardhurat e skemës së pensioneve nga kontributet janë më të ulëtat në rajon: 5.6 për qind e PBB, kundrejt 10-12 për qind që janë në vendet e rajonit. Të cilat, as ato nuk shquhen për një skemë pensionesh të shëndoshë.
3.
Le të kthehemi tani të pakënaqësia e Ahmetit: “Atë që unë e vuaj përditë, ti e ke për detyrë ta shkruash dhe tua bësh të ditur të tjerëve”. Skema e pensioneve ka aktualisht rreth 570 mijë pensionistë, të cilët përfaqësojnë 21 për qind të popullsisë së vendit. Nëse pensionistët vuajnë, kjo do të thotë që një në pesë shqiptarë vuan. Aktualisht pensioni minimal është 13,267 lekë, mesatari rreth 15,000 lekë dhe maksimali 22,734 lekë. Mbi 70 për qind e pensionistëve përfitojnë pension minimal dhe me këto përfitime nuk mund të përballojnë jetesën. Madje, as t’i afrohen minimumit jetik. Në Shqipëri minimumi jetik nuk është një term shumë i njohur. Kjo edhe për faktin se asnjë qeveri nuk e ka llogaritur, nuk e ka shpallur dhe nuk e ka garantuar minimumin jetik, duke shkelur hapur një detyrim kushtetues dhe ligjor. Në vitin 2001, qeveria socialiste e kohës bëri të vetmen përpjekje për llogaritjen e minimumit jetik. Dhe çfarë rezultoi: minimumi jetik për një të punësuar ishte rreth dy herë më i madh se paga minimale dhe rreth tri herë më i madh se pensioni minimal. Duke parë këto shifra, asnjë qeveri nuk guxoi më të flasë për minimumin jetik. Ndërsa qeveria aktuale e ka mohuar këtë si një detyrim të saj. Nëse marrim për bazë ritmin e rritjes së çmimeve dhe të pagave e pensioneve gjatë dhjetë vjetëve të fundit, mund të themi se hendeku midis pagës minimale, pensionit minimal dhe minimumit jetik minimalisht është dyfishuar. Është e vërtetë që Shqipëria hyri para pak vitesh në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta, ku bëjnë pjesë vendet me të ardhura nga 3-9 mijë USD për frymë në vit. Por kjo nuk ka të bëjë me plotësimin e minimumit jetik. Nëse një biznesmen i pasur hyn në dyqankën poshtë apartamentit të mikut tim Ahmet, të ardhurat mesatare të klientëve të dyqankës rriten, por kjo nuk do të thotë se fqinjët e Ahmetit bëhen më të pasur.
4.
Dhe për t’i shkuar deri në fund vërejtjes së mikut tim, le të shohim dinamikën e çmimeve dhe dinamikën e pensioneve gjatë viteve 2008-2012. Gjatë tri viteve të fundit pensionet janë rritur rreth 18 për qind, ndërsa çmimet e mallrave të shportës janë rritur mesatarisht rreth tri herë më shumë, minimalisht 50 për qind. Tabela e mëposhtme na e bën më të qartë hendekun midis rritjes së çmimeve dhe rritjes së pensioneve për periudhën 2008-2012.
Pra, Ahmeti dhe zonja e tij simpatike dhe hokatare në vitin 2012 jetojnë tri herë më keq se në vitin 2008. Me pensionin që marrin sot fqinji im me të shoqen, në krahasim me vitin 2008, blejnë gjashtë herë më pak sheqer, pesë herë e gjysmë më pak oriz, pesë herë më pak vaj, tri herë më pak bukë, miell, vezë, djathë, mish, perime dhe sallam. Këtë kishte parasysh Ahmeti kur më shprehu pakënaqësinë e tij.
© Panorama.al












