Përgjaken rrugët, tri viktima në një ditë

Jul 30, 2012 | 13:21

Aksidenti i djeshëm në Fushë-Bulqizë

Në Bulqizë, makina e dasmorit shkakton dy të vdekur.

Në Durrës humb jetën 4-vjeçari. Përplaset makina e të atit.

BULQIZE/DURRES – Tre viktima, mes të cilëve një fëmijë 4 vjeç, përgjakën rrugët ditën e djeshme. Në orët e mbrëmjes, në fshatin Pjezë, përgjatë rrugës nacionale Tiranë-Durrës, dy makina u përplasën mes tyre, duke shkaktuar vdekjen e fëmijës N.Shehu, i cili ndodhej bashkë me vëllanë 6 vjeç, në makinën e drejtuar nga i ati. Sipas policisë, mjeti BMV u përplas me një tjetër Benz dhe si pasojë dy fëmijët morën plagë të mëdha. Gjatë rrugës për në spital 4-vjeçari ndërroi jetë, ndërsa i vëllai 6 vjeç ndodhet në gjendje të rëndë. Mësohet se drejt spitalit është transportuar dhe babai i tyre, Nuredin Shehu bashkë me dy udhëtarët e mjetit tjetër. Nuk dihen ende shkaqet e aksidentit fatal, ndërsa nga të dhënat e para dyshohet se dy mjetet kanë qenë me shpejtësi. Në orët e para të ditës përgjumja e shoferit të një makine me targë të Durrësit shkaktoi dy viktima të tjera, në aksin nacional Peshkopi-Bulqizë. Burime pranë Drejtorisë së Policisë Qarkut Dibër bënë me dije se ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 06:00, teksa mjeti tip “Benz” me targa DR 8699 D dhe makina tjetër tip “Audi” me targa BZ 1369 A që po lëviznin përballë njëra-tjetrës janë përplasur dhe, si pasojë, kanë gjetur vdekjen drejtuesi i automjetit “Audi” Guri Tollja, 47 vjeç dhe njëri nga pasagjerët, Rexhep Boça, 60 vjeç. Mësohet se Tollja dhe Boca kanë gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërkaq 6 pasagjerët e dy makinave të përfshira në aksidentin e rëndë janë plagosur. Forcat e Policisë rrugore dhe ato të rendit mbërritën shpejt në vendin e ngjarjes. Fillimisht janë transportuar pasagjerët e mbetur gjallë për në spitalin lokal dhe më pas është kërkuar ndihma e Ministrisë së Shëndetësisë për transportimin e tyre drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës. Shumë shpejt janë identifikuar dy viktimat që ishin Guri Tollja e Rexhep Boca, ndërkohë të plagosurit janë Sami Gjuzi, Ylli Gjuzi, shoferi i “Benz”-it të përfshirë në aksident, Fatmir Kostenja, Imer Luku, Aurel Balla dhe Edmond Lika. Nga hetimet paraprake mësohet se drejtuesi i “Benz”-it, Ylli Gjuzi, ka humbur kontrollin e mjetit për shkak të pagjumësisë, por do të jenë provat dhe faktet e grumbulluara ato që do të përcaktojnë shkakun e vërtetë të ngjarjes së rëndë. Mësohet se Gjuzi me familjarët e tij ishte nisur drejt Peshkopisë për një dasmë, por rrugës humbi kontrollin si pasojë e përgjumjes, duke shkaktuar përplasjen fatale. Kjo ndodhi në një rrugë të drejtë, e cila në kushte normale mund ta shmangte aksidentin e rëndë.

Viktimat
N.Shehu, 4 vjeç

Guri Tollja, 47 vjeç

Rexhep Boca, 60 vjeç

© Panorama.al

Te lidhura