DURRES – Përgjaken në fundjavë rrugët, 2 vdesin, 6 të tjerë plagosen. Pesë aksidente me pasoja tragjike ndodhën pasditen e djeshme në qytetin e Durrësit e të Kavajës brenda një harku të shkurtër kohor prej 60 minutash. Shpejtësia tej normave dhe gabimet e drejtuesve të mjeteve gjatë lëvizjes janë bërë sërish shkak për humbje të jetëve dhe dëmtime fizike të tyre. Si pasojë e pesë aksidenteve të ndodhura dje kanë humbur jetën dy persona, ndërsa gjashtë të tjerë kanë mbetur të plagosur. Aksidenti i parë është regjistruar rreth orës 16:00 të së dielës, në rrugën Kavajë-Spille. Një mjet i llojit furgon u përplas me një motoçikletë, në të cilën po udhëtonin dy shtetas. Pasagjeri i motorit, 15-vjeçari Florenc Xhihani, mbeti i vdekur në vend ndërsa u plagos rëndë drejtuesi i motoçikletës, i cili u dërgua menjëherë për në spitalin e Kavajës. Vetëm pak minuta më vonë, në rreth-rrotullimin e Shkozetit, dy makina janë përplasur mes tyre dhe për pasojë kanë mbetur të plagosur dy shtetas, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Pa kaluar shumë kohë nga përgjakja e rrugës Kavajë-Spille, një tjetër aksident me pasojë të rëndë për jetën u regjistrua. Një kalimtare ka gjetur vdekjen në afërsi të mbikalimit të Golemit, ku gjatë kohës që po kalonte rrugën është përplasur nga një mjet, i cili po udhëtonte në drejtim të Durrësit. Viktima e aksidentit është 55-vjeçarja Shpresa Hima, e cila u dërgua për në morgun e spitalit të Durrësit, ndërsa drejtuesi i mjetit u ndalua nga policia. Vetëm pesë minuta më vonë, një tjetër motor është përplasur me një furgon me targa të huaja, në hyrje të qytetit të Kavajës, në rreth-rrotullimin e komunës Synej. Aksidenti i fundit ka ndodhur në aksin rrugor ura e Dajlanit-Plepa, rreth orës 16:55, në afërsi të stacionit “Hekurudha”, ku një kalimtare, rreth të pesëdhjetave, banore e Kosovës, është përplasur nga një motor, i cili po udhëtonte në drejtim të Plepave. l.m











