
Kuper në Prishtinë, përpjekje për të arritur marrëveshjen e emërtimit.
Kosova duhet të përfaqësohet në takimet rajonale ashtu siç e kanë njohur 87 vende të botës, republikë e pavarur. Kështu është shprehur dje Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë takimit me lehtësuesin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, këshilltarin e BE-së, Robert Kuper. Jahjaga vlerësoi se “përfaqësimi i Republikës së Kosovës në nismat rajonale dhe ndërkombëtare duhet të bëhet me emrin me të cilin është njohur ajo nga 87 vendet e botës dhe me emrin me të cilin Republika e Kosovës vendos marrëdhënie bilaterale, si shtet sovran dhe i pavarur”. Jahjaga e takoi Kuperin të shoqëruar nga përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar dhe drejtori për Europën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në Shërbimin Europian për Veprim të Jashtëm, Fernando Xhentilini. Ndërmjetësi i BE-së, Kuper, vlerësoi se dialogu ka arritur një përparim të caktuar dhe se marrëveshjet kanë filluar të zbatohen gradualisht. Ndërkohë, drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë deklaruar se nëse pranohet fusnota, e cila do të përfaqësonte Kosovën në nismat rajonale pa termin “Republikë” dhe sipas propozimit të Beogradit, me rezolutën 1244, qeveria duhet të japë dorëheqjen. Marrëveshja për përfaqësimin rajonal të Kosovës është kusht i qartë për Beogradin që të marrë statusin e kandidatit. Kompromisi mes Beogradit dhe Prishtinës do të mund të përdorej si zgjidhje edhe nga Bashkimi Europian i cili, për shkak të pesë shteteve që nuk e njohin Kosovën, nuk mund të arrijë dhe të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën si shtet dhe me emërtimin kushtetues të saj si “Republika e Kosovës”. Pala kosovare u propozua të pranojë opsionin ku përmendet edhe rezoluta 1244, edhe mendimi i GJND-së se pavarësia e Kosovës nuk është ilegjitime.
Referendumi i serbëve
Në veri të Kosovës po zhvillohet referendumi në komunat me shumicë serbe për pranimin ose jo të autoritetit të qeverisë së Prishtinës. Qendrat e votimit në komunat e Mitrovicës, Zveçanit dhe Zubin Potokut janë hapur që në orën 7:00 dhe procesi vazhdon edhe sot në Leposaviç. BE ka reaguar negativisht ndaj mbajtjes së këtij procesi.
Stefanoviç
Serbia do të bëjë gjithçka që të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, por nuk do të shkelë Kushtetutën dhe rezolutën 1244 të KS të OKB-së. Kështu u shpreh dje kreu i delegacionit serb në bisedimet me Kosovën, Borislav Stefanoviç. Sa për vizitën e Kuperit në Prishtinë, ai tha se “Dëshirojmë që Kuper të ketë vizitë sa më të suksesshme. Bisedimet po drejtohen nga arritja e marrëveshjes për përfaqësim rajonal”, tha Stefanoviç.











