
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha sot se përfaqësimi i Republikës së Kosovës në nismat rajonale dhe ndërkombëtare duhet të bëhet me emrin me të cilin është njohur ajo nga 87 vendet e botës dhe me emrin me të cilin Republika e Kosovës vendos marrëdhënie bilaterale, si shtet sovran dhe i pavarur.
Komentet, Presidentja i bëri gjatë takimit që pati në Prishtinë më ndërmjetësuesin e BE-së në bisedimet me Serbinë, Robert Cooper. Dy bashkëbiseduesit folën për dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për çështjet e interesit të përbashkët, si dhe për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale dhe ndërkombëtare.
Ajo tha se dialogu në Bruksel, me lehtësimin e BE-së, nuk po zhvillohet për statusin e Kosovës por për çështje teknike, të interesit të përbashkët ndërmjet dy vendeve dhe adreson çështje konkrete.
Ndërkaq, përfaqësuesi i BE-së në dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, zotëri Robert Cooper, e vlerësoi punën që po bën Presidentja Jahjaga.
Ai tha se dialogu ka arritur një përparim të caktuar dhe se marrëveshjet kanë filluar të zbatohen gradualisht.
Sipas zyrës së shtypit të Presidentes Jahjaga, Cooper është interesuar në veçanti për qëndrimin e Presidentes për çështjen e përfaqësimit të Kosovës në nismat dhe organizatat rajonale dhe ndërkombëtare.
Sipas mediave kosovare, Cooper larg syrit të mediave, është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe shefen e delegacionit të Kosovës në negociatat me Serbinë, Edita Tahiri.
© Panorama.al











