
Prokuroria e Tiranës dërgoi për kompetencë hetimi në Prokurorinë e Durrësit dosjen penale ndaj shtetasit amerikan, Carl Stephan Kaminski, i akuzuar për abuzim seksual me tre fëmijë shqiptarë në moshë të mitur. Burime zyrtare të Prokurorisë së Tiranës kanë thënë se pas kryerjes së disa veprimeve rutinë me materialin e ardhur nga Drejtoria e Marrëdhënieve me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme, dosja i është përcjellë Prokurorisë së Durrësit. Hetimi do të zhvillohet pikërisht në qytetin e Durrësit pasi edhe abuzimi me tre fëmijët ka ndodhur në këtë qytet. Sipas ligjit shqiptar, Gjykata dhe Prokuroria e Durrësit kanë kompetencën lëndore-territoriale të kryejnë veprime hetimore për këtë rast. Dosja penale, e cila është regjistruar me akuzën “marrëdhënie seksuale me të mitur më shumë se një herë dhe me pasoja të rënda”, është transferuar në Prokurorinë e Durrësit, ku do të vazhdojë më tej hetimi pasi veprimet e kryera në Tiranë nuk kanë arritur të finalizojnë ende procesin e mbledhjes së provave. Shtetasi Carl Stephan Kaminski ka mbërritur në Shqipëri në vitin 2003 dhe ka qëndruar deri në vitin 2006. Ai ka jetuar për tre vjet në një banesë me qira në qytetin e Durrësit, ku edhe kanë ndodhur abuzimet seksuale me fëmijët. Sipas të dhënave nga hetimi, gjatë abuzimeve, 70-vjeçari, përveçse ka kryer akte të turpshme ndaj fëmijëve, i ka fotografuar ata dhe imazhet i ka arkivuar në disa kompakt-disqe dhe në kompjuterin e tij. Një nga fëmijët e abuzuar mësohet se vazhdon të trajtohet edhe sot për shkak të traumës psikologjike që ka pësuar.
Amerikani u lirua tri herë nga burgu
Ajo për çfarë akuzohet në Shqipëri Carl Stephan Kaminski është vetëm një pjesë e bëmave të tij. Para se të mbërrinte në vendin tonë si turist, 70-vjeçari ka pasur një histori të gjatë abuzimesh seksuale në SHBA, por në 3-4 rastet që ishin trajtuar nga policia dhe gjykatat, ai ishte dënuar me kusht duke qëndruar i lirë e duke përsëritur të njëjtin abuzim. Më 23 prill 1996, për akuzën e abuzimit me të mitur, i dyshuari ishte dënuar me dhjetë vjet me kusht. Ai qëndroi i lirë me gjithë këtë dënim, më 9 janar 1998, Carl Stephan Kaminski u akuzua për kundërvajtje seksuale ndaj një gruaje dhe në mars të atij viti u dënua për aktin e dytë me 18 muaj dënim me provë që të mos e përsëriste veprën e kryer apo krime të ngjashme me të. Po atë vit, më 28 dhjetor 1998, policia u lajmërua për një rast tjetër sulmi seksual të kryer nga Carl Stephan Kaminski. Pavarësisht këtyre rasteve të përsëritura dhe dënimeve të dhëna ndaj tij, 70-vjeçari ka qenë i lirë dhe në vitin 2003 ka mbërritur si turist në Shqipëri. Pasi ka qëndruar disa kohë, ai ka hyrë në kontakt me tre fëmijë në Durrës, ndaj të cilëve ka kryer abuzime.
Ekstradimi
Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë i ka përcjellë Interpolit një urdhër ndalimi për shtetasin Carl Stephan Kaminski, ndaj të cilit kërkohet ekstradimi në Shqipëri. Procedura e ekstradimit, megjithatë mund të realizohet vetëm në rast se ndaj shtetasit 70-vjeçar nuk ka ndonjë dënim të dhënë apo gjyq në proces në vendet e huaja. Pas largimit nga Shqipëria dyshohet se 70-vjeçari ka kryer vepra penale edhe në disa shtete të tjera.











