Një 61-vjeçar rrezikoi të kalonte 3 vjet pas hekurave për akuzën e ngritur ndaj tij nga prokuroria, atë të “veprave të turpshme” me një të mitur 5-vjeçar.Për shkak të rrezikshmërisë së ulët, ndaj tij u kërkua liria me kusht për një periudhë 2 vjet e 6 muaj. Prokuroria e Tiranës paraqiti para gjykatës konkluzionet përfundimtare të dosjes me të pandehur 61-vjeçarin Pjetër Ndrevata. Në seancën e 24-t në radhë të këtij procesi, e zhvilluar pak ditë më parë, organi i akuzës kërkoi deklarimin fajtor të Ndrevatës. “Kërkojmë deklarimin fajtor të të pandehurit Pjetër Ndrevata, akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘vepra të turpshme’ dhe dënimin e tij me 3 vjet burgim. Për shkak të rrezikshmërisë së pakët të personit, të urdhërohet që i dënuari të vihet në një kohë prove prej 2 vjet e 6 muaj burgim, duke u pezulluar ekzekutimi i dënimit, kohë gjatë së cilës i dënuari Pjetër Ndrevata të mos kryejë vepër tjetër penale, si dhe duhet mbajë kontakte me Shërbimin e Provës”, thuhet në pretencën e prokurorisë. Në seancën e radhës të këtij procesi, që pritet të zhvillohet ditën e sotme, gjykata do të njihet me konkluzionet përfundimtare të palës mbrojtëse.
“ABUZIMI”
Ngjarja për të cilën është vënë nën akuzë 61-vjeçari Ndrevata, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë, është shënuar në shkurt të vitit 2010. Ai u prangos nga forcat e policisë së Komisariatit Nr.1 në kryeqytet, pas një kallëzimi në emër të tij nga njëri prej prindërve të të miturit. “Arrestimi i tij u bë mbi bazën e një kallëzimi penal të kryer nga një shtetas 38-vjeçar, i cili ka deklaruar se Pjetër Ndrevata ka kryer vepra të turpshme, me fëmijën e tij 5-vjeçar, në banesën e tij”, tha zyrtarisht Policia ditën e arrestimit. Sipas këtij kallëzimi, i mituri ka qenë fqinj me të akuzuarin Ndrevata. I pandehuri, duke shfrytëzuar një moment kur fëmija ka qenë i vetëm, e ka futur atë brenda ambienteve të banesës së tij. Po sipas kallëzimit, ai e ka zhveshur fëmijën dhe e ka prekur në vendet intime, por pa abuzuar seksualisht me të. Pas reagimit të fortë të fëmijës për t’u larguar, ai e ka lënë të miturin të lirë. Në vijim ka qenë i mituri që ka sinjalizuar familjarët e tij për çfarë i kishte ndodhur. Kur kanë hasur në mohimin e 61-vjeçarit, prindërit e të miturit i janë drejtuar policisë. Pas kryerjes së hetimeve mbi ngjarjen, përfshi edhe deklarimet e të miturit në praninë e një psikologu, prokuroria mori si të pandehur Ndrevatën me akuzën “veprime të turpshme” me të mitur.
Denimi
Sipas procedurës penale shqiptare, prokuroria mund të kërkojë pezullimin e dënimit me burgim dhe dënimin me kusht për persona autorë veprash penale, në rast se rrezikshmëria e tyre konsiderohet se nuk paraqet problem për sigurinë e viktimave të krimit që ka ndodhur dhe për sigurinë e shtetasve të tjerë. Sipas ligjit, dënimi me burgim pezullohet në rastet kur i akuzuari ka moshë të madhe dhe mbajtja në burg mund të paraqesë probleme shëndetësore.
Kushti
Dënimi me kusht për një kohë të caktuar është një formë mbikëqyrjeje që gjykata cakton ndaj të pandehurit. Konkretisht gjykata cakton një kohë të arsyeshme gjatë së cilës i dënuari mbahet në mbikëqyrje nga policia. Gjatë kësaj kohe, i pandehuri nuk duhet të shkelë asnjë nga urdhërimet e gjykatës dhe po ashtu nuk duhet të kryejë asnjë vepër penale, përfshi edhe krimin për të cilin është dënuar me kusht. Në përfundim të kohës së dënimit, gjykata bën verifikimin e kushtit.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











