Përdhunimi, pushohet akuza ndaj Bombajt

Jun 1, 2011 | 10:40

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur të pushojë procedimin penal të filluar muaj më parë ndaj regjisorit Leonard Bombaj, për akuzën e “marrëdhënies seksuale me të mitur”.Burime nga Prokuroria thanë se paralelisht në këtë çështje kanë zhvilluar hetime për gjobëvënie ndaj këngëtarit Arkimed Lusha, i njohur me emrin Stresi dhe ndaj regjisorit Leonard Bombaj, me akuzën e “marrëdhënies seksuale me dhunë” në dëm të një vajze 15-vjeçare. Origjinë e këtij hetimi të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kanë qenë dy denoncime të bëra në Komisariatin Nr.1 të policisë së Tiranës. Konkretisht, në datën 4 shtator 2010, regjisori Leonard Bombaj ka paraqitur një kallëzim penal ndaj shtetasit G.D. për kanosjen që i ka bërë ky i fundit atij. Leonard Bombaj ka theksuar në kallëzim se në vitin 2003 ka krijuar qendrën artistike të fëmijëve “Sirea Film”, me seli në qytetin e Tiranës. Në këtë qendër është aktivizuar edhe shtetasja B.D., e cila është vajza e G.D.. Leonard Bombaj ka theksuar se në 30 gusht 2010, bordi drejtues i qendrës ka vendosur përjashtimin e vajzës B.D. nga kjo qendër. Ai vendimin do t’ia komunikonte babait të vajzës me të cilin ka lënë një takim. Pasi e ka vënë në dijeni për përjashtimin e vajzës, Leonard Bombaj pretendon se është kërcënuar nga ky shtetas, për çka ka bërë denoncim në polici më 4 shtator 2010.
Padia për marrëdhënie seksuale
Një ditë pas kallëzimit të bërë nga Leonard Bombaj në adresë të babait të vajzës, më 5 shtator 2010, në Komisariatin e Policisë Nr.1 është paraqitur vetë vajza, B.D (shënim i redaksisë), e cila në prani të xhaxhait të saj dhe psikologes ka paraqitur kallëzimin për dhunë seksuale. Vajza ka shpjeguar se është aktivizuar në qendrën “Sirea Film” në moshën 8-vjeçare. Më pas, në moshën 10 vjeç, për shkak të afrimitetit familjar të krijuar ndërmjet saj dhe shtetasit Leondard Bombaj, ky ka kryer kundër dëshirës së saj marrëdhënie seksuale. Në kallëzim, vajza ka thënë se një ditë është ftuar nga Leondard Bombaj në banesën e këtij të fundit. Pasi kanë hyrë në banesë ku nuk ndodhej asnjeri, sipas kallëzueses, shtetasi Leonard Bombaj ka kryer marrëdhënie seksuale me të. Vajza pretendon se në muajin mars të vitit 2010 shtetasi Leonard Bombaj ka kryer përsëri marrëdhënie seksuale me dhunë me të, në një nga hotelet në rrugën nacionale Tiranë-Elbasan. “Në lidhje me marrëdhënien seksuale të kryer ndaj saj nga ana e shtetasit Leonard Bombaj, shtetësja B.D. ka vënë në dijeni shtetasin Arkimed Lusha (Stresi), me banim në qytetin e Tiranës, me të cilin ka lidhje shoqërore. Në bisedën e zhvilluar ndërmjet shtetasve B.D. e Arkimed Lushaj, i pranishëm ka qenë edhe shtetasi Relado Kurti”, kanë thënë burimet nga hetimi i çështjes.
Dy drejtimet e hetimit
Pikërisht mbi bazën e këtyre padive është zhvilluar i gjithë hetimi i çështjes në Prokurorinë e Tiranës fillimisht e, më vonë, tek Krimet e Rënda. Për të verifikuar pretendimet për përdhunimin e vajzës, asaj i është bërë ekspertizë mjekësore, nga ka dalë se vajza ishte “e zhvirgjëruar e hershme”. Prokuroria thotë se ka kryer edhe një sërë veprimesh të tjera, duke kontrolluar postën elektronike e telefonatat e regjisorit Leonard Bombaj, si dhe duke marrë në pyetje persona me dijeni për ngjarjen. Në përfundim, organi i akuzës ka vendosur pushimin e procedimit penal që ishte nisur ndaj Leonard Bombajt, me akuzën e “kryerjes së marrëdhënieve seksuale me të mitur”.

“S’heqim asnjë presje nga akuzat që bëri ‘Stresi’”

TIRANE – Nëna e vajzës 15-vjeçare, që denoncoi regjisorin Leonard Bombaj për dhunë seksuale, nuk preferoi të japë shumë detaje rreth ngjarjes, por konfirmoi akuzat që këngëtari “Stresi” ka bërë ndaj regjisorit Leonard Bombaj, në intervistën e dhënë për gazetën “Panorama”. Nëna e vajzës u shpreh se “Bombaj thjesht po luan rolin e viktimës, pasi nuk ka si ta justifikojë ndryshe veprimin e tij”. Gruaja rreth të 40-ave tregon se është mjaft e tronditur nga përhapja e këtij lajmi, saqë preferon të mos identifikohet, pasi çështja është shumë delikate dhe vajza e saj po kalon një gjendje të rëndë emocionale. Nëna e të miturës shprehet se gjithçka për veprimet e Bombajt e ka mësuar nga vajza, ndërsa shton se çdo thënie e 15-vjeçares është e vërtetë. Nëna e vajzës shprehet se shumë shpejt e vërteta do të zbulohet nga të gjithë, ndërsa shpreson shumë që drejtësia të japë vendimin e merituar për autorin. “Kemi ndjekur me vëmendje mediat këto ditë dhe jam shumë dakord me gjithçka ka thënë Arkimed Lusha në gazetën tuaj. Nuk u heq asnjë presje fjalëve të tij”, u shpreh dje nëna e 15-vjeçares. E ëma e të dëmtuarës preferon të mos komentojë më shumë ato që janë thënë, duke na bërë të ditur se ai që thotë të vërtetën për këtë ngjarje është Arkimed Lusha dhe jo regjisori Leonard Bombaj. Gjatë intervistës që reperi i njohur me emrin “Stresi” dha dy ditë më parë për gazetën “Panorama”, tregoi se Bombaj ka kryer marrëdhënie seksuale më vajzën për tre vjet rresht, jashtë dëshirës së saj dhe duke ushtruar dhunë psikologjike që ajo të mos tregonte. Madje, ai u shpreh se e kishte parë me sytë e tij Leonard Bombajn, duke hyrë në një hotel në Sauk të Tiranës, bashkë me vajzën. “Pasi isha informuar se ku do të shkonte ai (Leonard Bombaj) bashkë me vajzën, jam pozicionuar në një vend pranë hotelit në Sauk, që përmendet edhe në vendimin e Gjykatës dhe kam pritur për të parë se çfarë do të ndodhte. Aty kam parë Leonardin kur ka ardhur bashkë me vajzën dhe, meqenëse hoteli kishte dy dyer të ndryshme, për të mos rënë në sy, janë futur nga dera e pasme ose e fshehtë, nëse mund ta quaj kështu. Në rast se ai pretendon se nuk ka kryer marrëdhënie seksuale, me ose pa dhunë me të, atëherë çfarë kërkonte në hotel me vajzën? Çfarë tjetër mund të bënte aty?”, shprehet “Stresi”, gjatë intervistës së dy ditëve më parë. Ndërsa sqaronte se akuzat që Bombaj kishte ngritur ndaj tij për gjobëvënie nuk janë të vërteta.

Policia

Në dy ditët e fundit ka ardhur edhe lëvizja e Policisë së Shtetit, e cila mësohet se ka kryer kontroll në banesat e katër personave, ndaj të cilëve është nxjerrë urdhër arresti. Burime të policisë së Tiranës kanë thënë dje se katër personat nuk janë gjetur në banesa, ndërkohë që nuk janë dhënë shpjegime të tjera. Sipas Policisë, urdhrat e arrestit të gjykatës nuk kanë ndonjë emergjencë, pasi mbeten në fuqi derisa të ekzekutohen, kur të bëhet i mundur ndalimi i personave që dyshohet se kanë kryer veprat penale që u atribuon prokuroria.

© Panorama.al

Te lidhura