Përdhunimi i të miturit, 19-vjeçari mohon abuzimin

Jul 10, 2011 | 10:38
19-vjeçari i akuzuar për abuzimin me të miturin, dje në Gjykatë

Një ditë pasi Gjykata e Korçës la në arrest me burg 16-vjeçarin R. M., i akuzuar për përdhunimin e një të mituri nga fshati Bitinckë i Devollit, togat e zeza dhanë dje masën e sigurisë edhe për 19- vjeçarin Eduard Bufi.Për të riun gjykata vendosi arrest me burg me afat 10-ditor për shkak se nga ana e prokurorisë nuk janë paraqitur të gjitha provat e nevojshme për të faktuar implikimin e tij në abuzimin seksual ndaj fëmijës 12-vjeçar me inicialet Xh. P.
Ashtu siç u veprua gjatë seancës gjyqësore ku do të merrej masa e sigurisë për 16-vjeçarin R. M., edhe dje seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura, nisur nga natyra e kësaj çështjeje mjaft delikate në të cilën janë përfshirë të mitur. Burime brenda sallës bënë të ditur se gjykata ka kërkuar paraqitjen e më shumë provave për të vërtetuar kryerjen e marrëdhënieve homoseksuale me të miturin Xh. P. nga ana e 19-vjeçarit Bufi. Kërkesa ka konsistuar në paraqitjen e një ekspertize mjeko-ligjore nga ana e prokurorisë, ku të vërtetohet qartazi kryerja e marrëdhënieve me dhunë me 12- vjeçarin. Për këtë arsye, gjykata krijoi mundësinë e një hapësire 10-ditore, në mënyrë që prokurori i çështjes të sigurojë këtë ekspertizë. Sikurse ka ndodhur edhe me 16-vjeçarin R. M., edhe mbrojtja e të akuzuarit të dytë refuzoi akuzën e përdhunimit të të miturit. 19-vjeçari Eduard Bufi, përmes përfaqësimit nga mbrojtja, mësohet se nuk e ka pranuar akuzën e kryerjes së marrëdhënieve homoseksuale me bashkëfshatarin e tij të mitur.
Vetë 12-vjeçari, pas denoncimit të bërë prej nënës së tij 6 ditë më parë, ka bërë të mundur identifikimin e dy autorëve që e kishin përdhunuar për herë të katërt. Ai theksoi në praninë edhe të një psikologu, se kishte qenë pre e abuzimit seksual 3 herët e para vetëm nga 16-vjeçari, ndërsa herën e katërt ishte dhunuar nga të dy bashkëfshatarët e tij, duke u përdhunuar edhe nga Eduard Bufi. Drama e të miturit, i mbetur jetim para 9 vitesh, ishte fshehur jo vetëm për t’i shpëtuar publikimit të çështjes, por edhe si pasojë e lidhjeve të krushqisë mes familjes së tij dhe asaj të 16-vjeçarit R. M. Nëna e tij kishte tentuar të denonconte, por familjarët e adoleshentit i ishin lutur të mos kryente denoncim, duke i premtuar se nuk do të ndodhte më.

FAMILJARET

Ashtu sikurse në seancën e dy ditëve më parë, edhe në seancën e djeshme, ku do të merrej masa e sigurisë për 19-vjeçarin, nuk ishte i pranishëm asnjë nga familjarët e të miturit. Dje ishte në gjykatë babai dhe një i afërm tjetër i familjes së Eduard Bufit. Ata kanë qëndruar jashtë sallës, pasi seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura. Asnjëri prej tyre nuk ka dhënë asnjë koment në lidhje me ngjarjen për të cilën i riu akuzohet për abuzimin seksual ndaj 12-vjeçarit, bashkëfshatar i tij. Në seancën ku u mor masa e sigurisë për 16-vjeçarin R. M., dy ditë më parë ka qenë i pranishëm në gjykatë vetëm vëllai i tij.

Psikologe për 12-vjeçarin, i traumatizuar në banesë

Fëmija 12-vjeçar vijon të jetë i tronditur nga ngjarja. Ai ende ka frikë të dalë nga banesa, duke mos e besuar faktin se dy autorët që abuzuan me të katër herë në harkun e një viti janë arrestuar. Nëna e tij pohoi pak ditë më parë se fëmija ishte në gjendje të vështirë psikologjike, por edhe fizike. Ai kishte shenja të shumta në trup si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tij. “Ka frikë, zgjohet natën i trembur. Nuk arrin të flejë i qetë”, u shpreh nëna e tij pak ditë më parë, teksa pohoi se kishte qenë në dijeni të këtij skandali, por nuk kishte tentuar të denonconte për shkak se kishte lidhje krushqie me familjen e njërit prej autorëve. Mësohet se edhe gjatë këtyre ditëve, përfshirë këtu edhe ditën e djeshme, fëmija vijon të jetë i tronditur. Burime të Policisë bënë të ditur se familjes i është garantuar asistenca e një psikologeje, e cila shkon në fshat sa herë e lajmërojnë për situatën e përkeqësuar të të miturit. Ai ka rrëfyer para psikologes të gjithë ngjarjen që ka nisur një vit më parë, duke u shprehur se dy djemtë e merrnin atë teksa luante me shokët dhe pasi e çonin në të dalë të fshatit, kryenin me të marrëdhënie seksuale. Tri herët e para, sipas dëshmisë së tij, është abuzuar vetëm nga ana e 16-vjeçarit, ndërsa herën e fundit ka kryer marrëdhënie edhe 19-vjeçari Eduard Bufi.

 

KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura