Kryekomisari i Shijakut, Adem Tahiraj është përcjellë me nderime për në banesën e fundit në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Në ceremoni merrnin pjesë familjarë të tij, ministri i Brendshëm, Flamur Noka, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj dhe të afërm. Kryekomisari, Adem Tahiraj u vra një ditë më parë, nga shtetasi, Ilir Xhakja i cili është ndaluar nga policia. Më herët janë zhvilluar homazhe në Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë.
Kush ishte Kryekomisar Adem Tahiraj
Kryekomisar Adem Haxhi Tahiraj, i datëlindjes 01.09.1963, me arsim të lartë policor, titulluar punonjës policie në vitin 1986, në Komisariatin e Policisë Tropojë, ishte i martuar dhe kishte 3 fëmijë.
Nga vitet 1986 deri në vitin 2008, ka shërbyer me detyra të ndryshme, si specialist i policisë në zonë dhe në detyrën specialistit të policisë kriminale në Komisariatin e Policisë Tropojë dhe Kukës. Nga viti 2008 deri më 1 shtator 2011, ka ushtruar detyrën e shefit të njësisë operative në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Nga 1 shtatori 2011, ushtronte detyrën e rëndësishme të Shefit të Komisariatit të Policisë Shijak.
Gjatë gjithë viteve të punës si punonjës policie në strukturat operacionale të rendit dhe sigurisë publike, të policisë kriminale dhe të shefit të komisariatit të policisë, është karakterizuar nga disiplina e lartë në përmbushjen e detyrës, për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike, në luftën pa kompromis kundër elementeve kriminalë, si dhe është dalluar për marrëdhënie të mira me komunitetin, me kolegët dhe eprorët.
© Panorama.al











