Juristët e PD e PS u përballën prej më se 6 orësh paraditen e djeshme para 5 gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor.Të dyja palët nxorën argumentet e tyre në lidhje me procesin e shpalljes së kandidatit fitues në Bashkinë e Tiranës. Juristët e Partisë Socialiste, të përfaqësuar nga deputeti Damian Gjiknuri, argumentuan se ka mospërputhje shifrash në 117 kutitë që hapi KQZ dhe, për më tepër, u shkel barazia e votës, pasi nuk u hapën të gjitha kutitë. Nga ana tjetër, jurist e PD-së, të përfaqësuar nga Oerd Bylykbashi dhe Ivi Kaso, argumentuan se mospërputhja e shifrave është gabim njerëzor nga mostrajnimi i komisionerëve dhe nuk ka manipulime.
Pretendimet e PS
Deputeti Gjiknuri u shpreh se KQZ shkeli ligjin, pasi nuk respektoi barazinë e votës. “KQZ shkeli parimin e barazisë së votës duke hapur vetëm disa kuti, jo të gjitha dhe këtë duke e kryer në mënyrë arbitrare, pasi bëri selektimin e votave që i interesonin. Moskordanca e shifrave të numrit të votuesve dhe numrit të fletëve të votimit, ku numri i këtyre të fundit është më i madh, kryesish në fletët për kryetar bashkie. Për të gjitha këto arsye që ju parashtrova më sipër, kërkojmë shpalljen e pavlefshme të të gjitha vendimeve të ndërmjetme dhe të vendimeve 710 dhe 711 për tabelën e rezultatit për Njësitë Bashkiake Bashkia Tiranë, nga KQZ në 485 QV-të dhe në të gjitha KZAZ-të e Tiranës”, deklaroi deputeti Gjiknuri përpara 5 gjyqtarëve. Më tej, ai kërkoi shpalljen e pavlefshme të rezultatit të KQZ dhe lënien në fuqi të rezultatit të datës 14 maj, ku Rama ishte fitues me 10 vota para. “Shpallja e pavlefshme e tyre të nxjerrë një tabelë të re të rezultatit, të numërimit ligjor që ka ndodhur deri më datën 14 maj, përfshin 485 procesverbalet e grupeve të numërimit. Pra, të shpallet fitues kandidati që kishte më shumë vota deri në atë moment”, tha Gjiknuri. Më tej, juristi i PS-së, Eridian Salianji, tregoi rezultatin e grupeve të numërimit ku sipas tij, dalin më shumë vota se votues. Por, pas këtij pretendimi, juristja e KQZ u shpreh se PS nuk e ka ankimuar këtë çështje në KQZ dhe shtoi se vendimet e saj u cilësuan si të vlefshme nga Kolegji. “Ne kërkojmë rrëzimin e kërkesës, sepse vendimin 711 u vlerësua si një vendim i ligjshëm dhe po ashtu edhe vendimin 709 dhe në këto kushte kërkojmë rrëzimin e kërkesës”, tha Dëshira Pasko e KQZ.
Pretendimet e PD
Juristët e PD-së kërkuan rrëzimin e padisë së PS, me argumentimin se Kolegji është shprehur njëherë për të njëjtën çështje. “Sot, ajo pretendon manipulimin e votave, por nuk arrin ta provojë një gjë të tillë. Dhe kjo, pasi kemi të bëjmë vetëm me një gabim njerëzor nga votuesit ose një gabim njerëzor nga ana e komisionerëve, për shkak të procesit të tejzgjatur 13-ditor të numërimit të votave. Dhe kështu, ata nuk provojnë manipulimin që pretendojnë pasi këtu nuk kemi të bëjmë aspak me manipulim të votave. Sa i përket mosrakordancës së votave, të na falni por nuk kemi marrë me vete tabelat plastike që ta dëshmonim atë në mbrojtjen tonë, pasi edhe ato tabela nuk provojnë asgjë. Pasi nuk ka pasur manipulim apo mashtrim, kështu që s’kanë çfarë të vërtetojë pala paditëse”, tha Ivi Kaso i PD.
Votat e gabuara
Palët mbajtën sërish qëndrime të kundërta për votat e gjetura në kutitë e gabuar. PS kërkoi që ato të mos vlerësohen për rezultat, ndërsa PD u shpreh se Kolegji i cilësoi si vota të ligjshme. Për më tej, PD pranoi se para datës 14 maj ka pasur raportime nga KZAZ-të për vota të gjetura në kutinë e gabuar, por që nuk u vlerësuan. “Në një proces verbal të mbajtur nga komisionarët, janë gjetur vota të vlefshme për kryetarin e bashkisë dhe shprehen se ato mbeten të kontestuara sepse ishin të paqartë se si do të vepronin. Kjo në datën 12. Po ashtu, më datë 13 janë gjetur edhe atje fletë të vlefshme dhe ne themi që janë atje dhe pala e di, por nuk ka debatuar në KQZ. KZAZ të ndryshme i trajtuan në mënyra të ndryshme, por kur e panë që fenomeni ishte masiv, atëherë iu drejtuan KQZ. Ne provojmë që ka ekzistuar në datën 12, në datën 13 maj, kur kandidati ynë ka qenë bindshëm para”, tha Ivi Kaso i PD.
Argumentet e partive ne kolegj
Argumentet e PS
Vendimet Nr. 710 dhe Nr. 711 janë në kundërshtim me ligjin, sepse KQZ ka realizuar një procedurë ndryshimi të tabelave në kundërshtim flagrant me ligjin, urdhërimet e KQZ-së janë të pavlefshme dhe të paligjshme, KQZ-ja ka vepruar në kapërcim të kompetencave të saj dhe se ndryshimi i bërë është i ndryshëm nga ai i korrigjimit të gabimeve materiale, i vetmi që lejon ligji për atë rast, sipas nenit 123 të Kodit Zgjedhor
Vendimi Nr. 711, datë 23.05.2011 vjen në kundërshtim me vendimin Nr. 650, datë 16.05.2011 të KQZ-së.
Në përfundim të numërimit të votave për kandidatët për kryetar të Bashkisë së Tiranës dhe për Këshillin e Bashkisë Tiranë, KZAZ Nr. 49 me vendimin Nr. 37, datë 16.05.2011 ka vendosur të mos miratojë tabelën përmbledhëse për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë. Mosmiratimi i këtij veprimi nga KZAZ-ja, ndërkohë që janë hedhur të gjitha tabelat me rezultatet e procesit të numërimit, sipas atyre të hartuara nga GNV, është shkelja e parë e rëndë e ligjit.
KQZ shkeli parimin e barazisë së votës, duke hapur vetëm disa kuti, jo të gjitha, dhe këtë duke e kryer në mënyrë arbitrare, pasi bëri selektimin e votave që i interesonin. Mosakordanca e shifrave të numërimit të votuesve dhe numrit të fletëve të votimit, ku numri i këtyre të fundit është më i madh, kryesish në fletët për kryetar bashkie. Në total dalin 870 vota tepër.
Argumentet e PD
Pretendimi kësaj radhe është për rreth 870 vota. Vlen te përmendet se në QV 1875/1 të KZAZ Nr.50, tabela përkatëse raporton 503 fletë votimi të gjendura në kuti dhe zero zgjedhës. Kjo është e qartë se është një gabim i komisionerëve në fazën e plotësimit të tabelës. Pra, nga shifra prej 870 votash duhet të zbresim 258 votat që KQZ i numëroi me vendimin 709 dhe 503 votat e QV së mësipërme. Një llogari e thjeshtë na nxjerr se problemi i mosrakordimit, ashtu si dhe në zgjedhjet pararendëse ekziston, madje me nivel më të ulur në 485 QV-të e Tiranës.
Analiza e vendimit Nr. 650, datë 16.05.2011 qartëson menjëherë dy qëllimet që KQZ ka synuar të arrijë nëpërmjet atij vendimi. Nëpërmjet tij, KQZ ka miratuar: (1) modelin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të zonës zgjedhore Bashkia Tiranë dhe (2) ka përcaktuar një numër hapash që administrata e saj duhet të ndjekë për përgatitjen e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit për t’u miratuar më pas nga KQZ-ja pas verifikimit të saktësisë së rezultateve të hedhura në bazën e të dhënave.
KZAZ në Nr. 49 ka vendim të miratuar për tabelat përmbledhëse të rezultatit. Vendimi Nr. 710 datë 23.05.2011 i KQZ-së për nxjerrjen e rezultatit të zgjedhjeve për kryetar në KZAZ-në Nr. 49 është vendim i ndërmjetëm. Ai është marrë në zbatim të nenit 35, pika 5 të Kodit Zgjedhor, në të cilin përcaktohet se: “5. Në rast se KZAZ-ja nuk arrin të marrë vendim brenda afatit përkatës, çështja i dërgohet brenda 24 orëve për shqyrtim KQZ-së.
Provat e PS
Mospërputhja e shifrave në tabelat e numërimit të votave pas hapjes së 117 kutive të votimit nga KQZ, ku në total dalin 870 vota tepër.
Një CD me intervistë në media, dhënë nga një kryetar KZAZ i Tiranës në lidhje me vlerësimin e votave të hedhura në kutitë gabim para datës 14 maj.
Raporti i Vëzhguesve Vendorë, ku i kërkon KQZ të shprehet për votat në kutitë e gabuara para datës 8 maj, por që KQZ nuk reagoi duke i besuar precedentëve të saj.
Të gjitha procesverbalet e noterizuara të rezultateve të grupeve të numërimit të votave.
Pyetjet e gjyqtarëve
PD: Procesi s’ka përfunduar
Në seancën e djeshme të KQZ, gjyqtarët kanë qenë të rezervuar në lidhje me pyetjet ndaj përfaqësuesit e partive. E vetmja që bëri pyetje ishte gjyqtarja Meriban Mullaj, e cila kërkoi nga përfaqësuesit e PD-së se si e vlerësojnë procesin e numërimit të votave deri në datën 14 maj, kur Rama rezultonte të ishte me 10 vota para. “Ne të gjithë procesin, vendimin 711 e cilësojmë të ligjshëm. Të gjithë procesin në total deri në datën 23, kur u tabulua rezultati, e cilësojmë të ligjshëm. Edhe këtë proces ankimor ne e cilësojmë të ligjshëm. Për ne nuk ka datë 14. Nuk e kemi këtë tabu, sepse kandidati tjetër bëri vetë disa llogari dhe e shpalli veten fitues. A ka ndonjë vendim për datën 14 ?!”, u përgjigj Ivi Kaso i PD.
Tahiri: U prek barazia e votës
Deputeti i PS-së, Saimir Tahiri, foli para trupit gjykues në lidhje me padinë e socialistëve, ku argumentoi se KQZ preku barazinë e votës, por ai u ndërpre në një moment nga kryesuesja e trupit gjykues, Dhurata Haveri, duke i kërkuar atij të ulë zërin. “Ule pak zërin, pasi s’ka nevojë të bërtasësh. Të gjithë jemi mirë nga veshët dhe po e dëgjojmë atë çka ju po thoni”, tha Haveri. “Ju kërkoj ndjesë, por kështu e kam të folurën”, u përgjigja Tahiri. Gjithsesi, ai argumentoi se KQZ deformoi qëllimisht rezultatin. “Sa i përket rezultatit, askujt këtu nuk i intereson a ishte gabim njerëzor, përgjumjes së komisionerëve apo ka qenë një veprim me dashje i palës së interesuar për të deformuar rezultatin. Të gjitha kërkesat në drejtim të KQZ-së nga ana e 10 KZAZ-ve, të cilat kontestojnë dhe kërkojnë rivlerësimin e fletëve të hedhura gabim, janë pas datës 16 maj dhe të gjitha janë formuluar në të njëjtën mënyrë dhe që për ne janë shkruar nga një dorë e vetme. Pra, kemi të bëjmë me një vullnet të qartë për të deformuar qëllimisht rezultatin e Tiranës. Vota e hedhur aksidentalisht, nuk është e tillë, aksidentale”, tha Tahiri.
ERALD KAPRI
© Panorama.al











