Përkthyesja Luljeta Dino sjell në shqip Willi Pasinin, “alkimistin e çiftit”, me veprën e katërt “Burrat që duam”Ka fare pak ditë që vitrinës së librit i është shtuar një tjetër libër i autorit Willi Pasini. Përkthyesja Luljeta Dino ka vendosur edhe këtë herë që të mos ndërrojë autorë e as temë. Gratë dhe problematikat e tyre kanë qenë gjithnjë në qendër të vëmendjes së saj për të përzgjedhur një libër e, meqenëse ato që ka gjetur në shkrimet e këtij autori i përkojnë kaq shumë realitetit femëror, atij për të cilin autorja punon më shumë, edhe këtë radhë orët e punës kanë shkuar për “Burrat që duam”. Tek e fundit, a nuk është kjo një nga problemet tona të gjithhershme?! Kur është zgjidhur ndonjëherë kjo dilemë? Edhe tani jo se pretendojmë t’ju japim recetën e saktë për të qëlluar në shenjë, por të paktën pamjen do ta keni më të qartë pas leximit të librit. Autori me origjinë italiane është një nga psikologët më të njohur të kohës sonë. Profesor i Psikiatrisë e i Psikologjisë Mjekësore në Universitetin e Gjenevës, ai operon me sukses në fushën e marrëdhënieve ndërgjinore. Përveç artikujve të shumtë në revistat e specializuara, ai shkruan libra të suksesshëm, të cilët janë përkthyer në njëmbëdhjetë gjuhë.
Mjeshtri i analizës së ndjenjave studion natyrën e femrës dhe mashkullit në dritën e eksperiencave klinike e konsulencave seksologjike, por edhe duke evokuar episode të pashlyeshme historike dhe letrare. Pasi vëzhgon shkallët e intensitetit dhe formën e shfaqjes së ndjenjave brenda çiftit, ai heton marrëdhëniet komplekse me to dhe konseguencat e mundshme te partnerët. Këshillat teorike dhe sugjerimet e tij praktike frymëzohen nga një qëllim i vetëm: t’i shërbejmë dashurisë e lumturisë të çdo burri e gruaje e saldimit të çiftit si celula bazë e shoqërisë njerëzore.
Objekti i librit të ri, “Burrat që duam”, është mashkulli i kohëve moderne me të gjitha frikërat e komplekset e veta.
Cilët janë ”heronjtë” dhe modelet e preferuara mashkullore?
Si duhet mbushur e ridimensionuar roli i mashkullit në realitetin e ri të shek. XXI?
Këto dhe të tjera janë disa nga pyetjet që shtron psikologu në librin e tij. Me disa prej këtyre përgjigjeve po ju njohim që tani, përpara se të merrni në duar librin:
“……Gratë nuk i kuptojnë dot burrat, kurse burrat nuk arrijnë të kuptojnë dot veten e tyre.
Në sferën publike forca e meshkujve është ende dominuese. Ndërsa në sferën private, përkundrazi, mashkulli paraqitet si një ‘qenie në zhdukje e sipër’
………Në kulturën perëndimore janë të alternuara dy ideale mashkullore të kundërta me njëra–tjetrën. Nga njëra anë, identiteti puritan i karakterizuar nga etika e detyrës dhe nga ana tjetër, identiteti lojcak i zhonglerit që studiuesi e quam identiteti i “play boy”-it, i kultivuar në shenjën e kënaqësive.
………Midis të tjerash, autori thotë: “Shumë burra do të donin ta shprehnin instiktin e tyre mbrojtës, por, fakti që partnerja e refuzon këtë lloj marrëdhënie, shuan tek ato çdo dëshirë.
………Midis strategjive seksologjike të përdorura për të kuruar erosin mashkullor në krizë, më shumë se sa tangat funksionon ekzistenca te sfera e dëshirës për të qenë e mbrojtur.
………Në të kaluarën burri kishte monopolin e dëshirës në sferën erotike. Ishte ai që vendoste se kur do të bënte dashuri, me kë dhe për sa kohë. Sot, gruaja e “shpall” të drejtën e saj për të dëshiruar.
Vepra të tjera
të autorit:
“Intimiteti” (1990)
“Cilësia e ndjenjave” (1991)
“Ushqimi dhe dashuria” (1994)
“Përse shërben çifti” (1995)
“Kohët e zemrës” (1996)
“Të dëshirosh dëshirën” (1997)
“Xhelozia” (2003)
“Jeta në çift” (2004) etj.











