Për skeptikët e këngëve të Aurelës dhe Ronës

Jun 6, 2012 | 12:53

ALDO SHLLAKU

Ka pasur shumë mendime kundër dhe skepticizëm për këngën “Suus”, fituese e Festivalit të 50-të në RTSH. Vendimi i jurisë është diskutuar shumë herë për validitetin e tij në mënyrë arbitrare dhe është amplifikuar më tej në media nga “analistë” apo “skeptikë” të panumërt në mënyrë tendencioze dhe të çuditshme. Tani ka shumë lavdërime për këtë këngë, pasi ajo arriti një renditje historike për Shqipërinë në Eurovizion. Më në fund vlerësohet vendimi i jurisë si i drejtë, profesional dhe vendim mbi të cilin u arrit ky rezultat në Eurovizionin e 2012-s.
Është në turpin apo në meritën e Jurisë vendimi që ajo ka marrë – rezultati final është tashmë i ditur. Është në nderin e atyre kritikëve apo analistëve që kanë investuar energji të shumtë me analiza pa argumente profesionale, sidomos mbi këngën fituese “Suus”, të pranojnë që gjykimi i tyre deri përpara arritjes së vendit të 5-të në Eurovizion i kësaj kënge ishte… thjesht i padrejtë. Dhe tani harxhohet energji e mëtejshme me diskutime për subjekte josubstanciale dhe mënjanohen fakte të rëndësishme që lidhen drejtpërsëdrejti me mbështetjen e përfaqësimeve tona. Nuk përmendet gjëkundi që RTSH nuk e shfaqi natën e parë të Eurovizionit në transmetim direkt si detyrim dhe shenjë respekti të zisë kombëtare, pavarësisht obligimeve kontraktuale me EBU-në, pa asnjë penalizim apo problem për përfaqësimin shqiptar në Baku. Apo, nëse kujtojmë të përfolurin problem teknik gjatë numërimit të televotave në edicionin e kaluar të Eurovizionit, i cili mund të ketë penalizuar përveç disa shteteve të tjera, dhe Aurela Gaçen dhe përfaqësimin shqiptar në Dyseldorf.
Është fenomen botëror, por jo standard në Shqipëri, që kur një juri profesionale flet, çdo gjë mbyllet aty dhe më pas kalohet në një fazë tjetër, atë të mbështetjes. Rona Nishliu, nga Mitrovica jo e largët e Isa Boletinit, e fitoi nëpërmjet këngës së saj të drejtën për ta përfaqësuar kombin në mes të Tiranës. Pa as më të voglën çudi, fitoi më e mira këngë, dhe nëse krijuesit janë nga Prishtina e Mitrovica, apo Tetova e Janina, apo Pllava e Gucia, atëherë akoma dhe më mirë. Është ndjenjë shumë e bukur kur moderatorët e RTK-së u bëjnë thirrje shqiptarëve nëpër botë të mbështesin përfaqësuesen shqiptare – nuk kam as më të voglin dyshim dhe jam i bindur se do bëjnë të njëjtën gjë dhe vitin që vjen – vetëm me mbështetje të përgjithshme mund të arrijmë diçka.
Disa gazetarë të ndodhur në Dyseldorf vitin që kaloi, raportojnë sot një pyetje në lidhje me përfaqësimin tonë në edicionin e kaluar të Eurovizionit: “Si është e mundur që Shqipëria na sjell një version të këngës në dhjetor dhe një version të ndryshëm të këngës në maj?”. Në vazhdimësi, kjo pyetje e vjetshme amplifikohet sot si një argument në analizat e mëtejshme të këtyre gazetarëve – që nëse kujtojmë, janë ndodhur në Dyseldorf si pjesë mbështetëse e përfaqësimit shqiptar. Por, habia e gazetarëve në fjalë është e bazuar mbi mungesë informacioni dhe profesionalizmi analitik.
Versioni i dërguar në EBU nga RTSH, si për “Feel the Passion” dhe për “Suus”, është një: ai i prodhuari pas Festivalit në RTSH, version i cili konsiderohet versioni final i këngës. Po i referohem në radhë të parë këngës “Suus”. Kjo këngë është riprodhuar në Los Anxhelos tërësisht dhe nuk është e njëjtë me versionin e paraqitur në dhjetor në Festivalin e 50-të në RTSH. “Suus” jo vetëm është riorkestruar, por është riinterpretuar nga këngëtarja dhe orkestra për riregjistrim e miksim në Oceanway Studios dhe Capitol Records. Seksioni i harqeve është tashmë 24 në total në krahasim me seksionin e harqeve të orkestrës së RTSH-së. Risia në orkestracion, përveç të tjerave, ka qenë rikonceptimi i plotë i perkusionit dhe shtimi i një ostinatoje ritmike të luajtur në një instrument perkusioni etnik gjatë refrenit të parë e deri në përfundim të refrenit të dytë. Është shtuar një bas elektrik dhe më tej konceptimi i miksazhit është totalisht i ndryshëm nga versioni i paraqitur në Tiranë. Me pak fjalë, nga ana e prodhimit, versioni i dhjetorit me atë të majit që dëgjuam në Baku është tejet i ndryshëm. Dhe këtu s’po futem në detajet e shtesave apo ndryshimeve të notave në instrumente të caktuara. Ashtu siç e kërkon norma profesionale, çdo detaj është vendosur nga grupi i punës mbi një analizë estetike të këngës dhe të konceptit të përfaqësimit.
Dhe në rastin e këngës “Feel the Passion”, të kënduar nga Aurela Gaçe, versioni i dhjetorit është i ndryshëm nga versioni i majit. Ashtu si dhe me “Suus”, është bërë i njëjti proces, por ndryshon vetëm konteksti. Së pari, Festivali i Këngës në RTSH i vitit 2010 nuk ka qenë i realizuar për së gjalli, siç ishte ai i vitit 2011. Së dyti, kënga “Feel the Passion” është tejet e ndryshme në stil me këngën “Suus”, flasim për një këngë “power rok” në krahasim me një “ballad”. Dhe më e rëndësishmja, është më se normale që kur futesh në një studio si ajo “The Village Recorder” dhe je duke punuar me muzikantë si J. R. Robinson, Nathan East, Michael Thompson etj., të eksperimentohet deri në fund për t’i shërbyer sa më mirë këngës shqiptare. Në versionin final të “Feel the Passion”, në shenjë vlerësimi për muzikantë të shkëlqyer shqiptarë, është mbajtur violina solo dhe kitara elektrike e luajtur mjeshtërisht nga z. Arjan Gjici.
Riprodhimi i këngës përfaqësuese në Eurovizion nuk është gjë e re, kjo aplikohet prej shumë vitesh. Studiot muzikore më të mira në botë ndodhen jashtë Shqipërisë. Gjithashtu, muzikantët më të mirë në botë ndodhen dhe ata jashtë Shqipërisë. Ndoshta jo për arsye talenti, por është thjesht një fakt dhe jo çështje inferioriteti. Është një ëndërr e të gjithë atyre që dëshirojnë për të arritur një nivel botëror, që të regjistrojnë në “Village Recorder”, në “Oceanway Studios”, apo në “Capitol Records”, aty ku regjistrojnë e punojnë legjenda të muzikës botërore. Aty ku, ndërsa regjistrohej kënga shqiptare, në dhomën ngjitur regjistronte Paul McCartney, The Beach Boys, apo Diana Kroll. Aty ku, në përfundim të procesit të prodhimit, masterizimin e këngës shqiptare e realizon Gene Grimaldi apo Tom Coyne, që të dy fitues të çmimeve “Grammy”. Si producent i të dyja këngëve në fjalë, është kënaqësi kur shoh krijuesit nga Shqipëria apo Kosova të regjistrojnë në majat e botës.
Gjithmonë është diskutuar gjuha e përzgjedhur për të prezantuar këngën përfaqësuese. Është vlerësuar vendimi i grupit të punës që kënga “Suus” të këndohej në shqip dhe jo në anglisht, dhe është kritikuar vendimi i grupit të punës që kënga “Feel the Passion” të këndohej në anglisht dhe jo në shqip. Megjithëse dy raste të kundërta, një gjë është e përbashkët: opinionet vijnë gjithmonë mbas përfundimit të Eurovizionit. Një herë lavdërojnë, një herë shajnë, por ajo që mungon është një analizë konstruktive kur subjekti i gjuhës është duke u shtjelluar (sidoqoftë, për “Suus” është realizuar dhe një version anglisht). Gjithsesi, anglisht këndoi fituesja e sivjetme, Suedia, dhe shtete si Gjermania, Greqia, Qiproja etj. Ky vendim i marrë nga këto shtete nuk konsiderohet në gazetat e tyre si tradhti kombëtare. Rasti tipik është ai i Anglisë, ku megjithëse me të drejtë u rendit e parafundit, media angleze nuk e futi këngëtarin në gijotinë, por e kërkoi justifikimin duke kritikuar këngën shqiptare. Personalisht jam për modelin serb, të këndohet në gjuhën kombëtare nëse është e mundshme. Por e përsëris, analiza dhe vendimi duhet marrë i veçantë për çdo përfaqësim dhe në mënyrë specifike e të lidhur me krijimin në fjalë.
Pavarësisht subjektivizmave të përhershëm, “Feel the Passion” ishte një përfaqësim dhe interpretim perfekt nga Aurela Gaçe, ashtu siç ishte dhe në rastin e këngës “Suus”, një përfaqësim dhe interpretim perfekt nga Rona Nishliu. Dy rezultate të ndryshme, por me një të përbashkët: dy këngë cilësore e të pastra shqiptare. Në Eurovizionin e 2013-s shqiptarët do paraqiten me një sukses historik mbi supe falë krijimit, vizionit, punës dhe mbështetjes së disave. Uroj që në lidhje me përfaqësimin e ardhshëm, analistët të tregojnë integritet profesional dhe t’i shprehin mendimet dhe opinionet e tyre në kohë dhe përpara ndonjë tjetër suksesi historik. Ndryshe, i kthehemi një shprehjeje të miqve tanë përtej detit, të cilët na vlerësuan maksimalisht thjesht prej vlerës artistike të paraqitur: “Chi sa fa, chi non sa, insegna”.

*Producent i këngës “Feel the Passion”, fituese e Festivalit të 49-të në RTSH. Anëtar i jurisë në Festivalin e 50-të në RTSH
Producent i këngës “Suus”, fituese e Festivalit të 50-të në RTSH

© Panorama.al

Te lidhura