Për një Republikë antingërç

Jun 29, 2011 | 10:04

OLSI BAZE

Zgjedhjet vendore shqiptare po u ngjajnë gjithnjë e më shumë peripecive të Odisesë gjatë kthimit të tij nga lufta e Trojës. I endur brigjeve të botës për gati 10 vjet, ai luftoi me krijesa dhe njerëz që kishin si synim të pengonin kthimin e tij në shtëpi. Sipas legjendës, shkaku i kësaj sorollatjeje 10-vjeçare ishte zemërimi i Poseidonit, vëllait të Zeusit, pasi grekët kishin përdhosur tempullin e tij gjatë zbarkimit në Trojë. E përbashkëta e Shqipërisë me Odisenë është udhëtimi dhe sorollatja e pafund për të arritur në destinacionin final, në rastin e Shqipërisë, në shtëpinë europiane.
Shtegtimi i gjatë politik i Shqipërisë është rezultat i fajeve dhe papërgjegjësive të klasës politike dhe asaj klase përfaqësuese të institucioneve ndërkombëtare, e cila në momente vendimtare i ka propozuar dhe imponuar këtij vendi formula dhe sisteme zgjedhore që kanë rezultuar me kosto të lartë për vendin. Mjafton të kujtojmë sistemin elektoral të “Dushkut”, ose formulën e tipit “zgjedhje politikisht të pranueshme, por jo të lira” për të kuptuar se shtegtimi ynë për ndërtimin e një shteti ligjor dhe institucioneve të mirëfillta rezulton të jetë udhëtim më i koklavitur se udhëtimi i Odisesë.
Tirana prej disa ditësh ka një kryebashkiak të ri, i cili, duke lexuar rezultatin e ngushtë me të cilin do të drejtojë kryeqytetin, do t’i duhet të pozicionohet si një kryetar konsensual, sepse ka detyrimin të dëgjojë dhe veprojë me shumë kujdes edhe ndaj asaj maxhorance që nuk votoi për të. Basha i ka të gjitha kredencialet për të qenë një kryebashkiak i të gjithë qytetarëve të Tiranës, dhe kjo është sfida e tij e parë në krye të detyrës së tij të re. Partitë politike, nga ana tjetër, do të duhet tashmë t’i përvishen analizës për të kuptuar pozicionimin e tyre në fushën e shahut politik shqiptar. Kjo është një etapë normale në një proces zgjedhjesh ku lexohen me kujdes edhe mesazhet nga elektorati dhe problemet e brendshme.
Problemi që parashtrohet me ngut në këtë moment për klasën politike është nevoja për një dialog politik, i cili në thelb duhet të arrijë një konsensus për reformim të thellë të sistemit elektoral dhe atij kushtetues. Sistemi aktual prej dy vitesh ka prodhuar ngërç, krizë politike e konflikt institucionesh dhe ka bllokuar edhe procesin integrues. Fillimi i dialogut është kushti i parë për të dalë nga kjo situatë në të cilën ndodhet politika.
Më pak se 730 ditë na ndajnë nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe është urgjente që partitë politike dhe shoqëria civile të ulen në tryezën e bisedimeve për të reformuar sistemin politik dhe atë elektoral. Asnjë  politikan, intelektual, publicist nuk e mohon dot faktin se midis popullsisë dhe klasës politike ekziston një hendek i madh mosbesimi, i cili rrezikon të thellohet nëse nuk ka një reformizëm të thellë, i cili synon rikthimit e besimit të qytetarit te klasa politike dhe sistemi institucional.
Tryeza e iniciuar nga Kryeministri para zgjedhjeve lokale ishte një hap shumë pozitiv, pasi u përfshinë në bisedime edhe aktorë të shoqërisë civile. Ajo tryezë duhet të riaktualizohet duke u zgjeruar edhe me aktorë të tjerë të shoqërisë. Dialogu politik duhet të ketë qëllimin thelbësor të arritjes së një konsensusi të gjerë mbi ripërtëritjen e sistemit kushtetues dhe elektoral.
Një tryezë e tillë do të ishte e suksesshme nëse rreth saj do të artikuloheshin 7 pika, të cilat kanë si synim parësor konsolidimin e institucioneve kushtetuese dhe së dyti procesin zgjedhor në vend.
Pika e parë është nevoja e themelimit të një republike të re, në të cilin Presidenti të zgjidhet nga populli dhe ku Parlamenti të organizohet në dy dhoma; ajo e ulët, e përbërë nga 100 deputetë, 10 prej të cilëve do të përfaqësonin direkt shqiptarët e diasporës. Dhoma e ulët do të dublohej nga një senat prej 4O vetash me atribut kontrollin e ligjeve dhe të një këshilli të urtësh. Ky ndryshim kushtetues do të sillte një  balancë politike dhe institucionale që mungon në vendin tonë.
Së dyti, opinioni publik në Shqipëri dëshiron një rinovim të elitës politike dhe limitimin e kushtëzim kohor të ushtrimit të mandatit të shoqëruar nga heqja e imunitetit. Kjo dëshirë e opinionin lidhet me nevojën e rinovimit të klasës politike duke imponuar edhe një sistem paritar përfaqësimi midis gjinive në Kuvend dhe qeverisje. Kushtëzimi i mandatit dhe një limitim i tij kohor në ushtrimin e tij do ta vendoste deputetin para përgjegjësisë së zgjedhjes së një mandatit ushtrues të vetëm, atij të deputetit ose ministrit, zv.ministrit ose postit të këshilltarit bashkiak.
Hapi i tretë dhe më i rëndësishmi i kësaj reforme do të ishte vota elektronike. Në thelb, problematika kryesore në zgjedhjet e fundit nuk ishte procesi i votimit, por ai i numërimit. Raportet dhe rekomandimet e BE-së dhe OSBE-së nxjerrin në pah këtë problem si shkak i dëmtimit të procesit të zgjedhjeve.
Vota elektronike eliminon problemin e numërimit nga numërues partiakë sepse teknologjia kryen numërimin duke ofruar një rezultat të saktë dhe të qartë në pak minuta. Votimi elektronik eliminon momentet më delikate të procesit numërues dhe shpalljes së rezultatit. Së fundi, kjo mënyrë votimi do t’u jepte mundësi shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme, mjafton që çdo zgjedhës të pajiset me kartë identiteti dhe një kartë elektorale si në shumë vende të botës. Nuk mund të pranojmë përjashtimin e rreth një milion bashkatdhetarëve nga e drejta e votës, kur shtete të reja si Kosova ua njohin këtë të drejtë qytetarëve të tyre që në zanafillën e ndërtimit të shtetit.
Rinovimi i elitës politike duhet të shoqërohet me një ligj lustracioni. Kjo është pika e katër, në të cilën duhet biseduar me vendosmëri. Ligji i lustracionit duhet të jetë fryt i shoqërisë civile në bashkëpunim me klasën politike. Objektivi i ligjit do të ishte shumë i thjeshtë;  moralizimi i shoqërisë duke vënë përpara përgjegjësisë drejtuesit politikë në lidhje me personat që ata zgjedhin për të drejtuar vendin. Ligji i lustracionit do të sensibilizonte shoqërinë dhe brezin e ri mbi arsyet e instalimit të regjimit totalitar, krimet e kryera, restaurimin e një memorieje kolektive dhe rehabilitimin moral dhe historik të të afërmve të familjeve të persekutuara, duke vënë në vend nderin e tyre. Ligji nevojit ndërtimin e një institucioni, i cili kryen këto funksione dhe certifikon pastërtinë e figurës së zyrtarit të lartë dhe restaurimin e memories kolektive. Ai mund të ndërtohet me drejtues të bashkësive fetare si autoritete morale në vend dhe përfaqësuesve ekspertë të kësaj çështjeje, duke ofruar një garanci morale dhe etike.
Së pesti, partitë politike shqiptare duhet të hartojnë një axhendë afatgjatë detyruese për integrimin. Ajo do të përcaktonte prioritetet dhe reformat për integrimin e vendit në familjen europiane duke realizuar bashkërisht reformat e nevojshme, pavarësisht se cila forcë politike ndodhet në maxhorancë ose opozitë në të ardhmen. Shqiptarët nuk mund të etiketohen si delja e zezë e Europës. Ata janë njerëz që meritojnë një të ardhme europiane. Një platformë politike për integrimin europian është një nevojë jetike dhe do t’i vendoste partitë politike përpara një përgjegjësie politike kombëtare dhe historike.
Nga kjo agjendë europiane buron edhe një pikë e gjashtë themelore për zhvillim ekonomik të vendit, pengesë reale për integrimin europian, që është problemi i pronës private. Hartimi i një ligji që i jep fund padrejtësisë ndaj pronarëve të ligjshëm është një detyrim moral, politik dhe europian. Në këto 20 vjet janë paraqitur shumë drafte ligjesh amendamente, por çështja e pronës nuk ka gjetur asnjëherë zgjidhje. Është përgjegjësi e klasës politike e, mbi të gjitha, e maxhorancës, gjetja e një konsensusi të gjerë, madje edhe duke e vendosur këtë problem si një çështje, e cila duhet të zgjidhet me referendum, sepse çdo pushtet duhet të respektojë të drejtën e pronarëve mbi atë të mirë materiale që u përket dhe e kanë të trashëguar nga të parët e tyre. Grabitja dhe vjedhja nuk e nderon një  komb, përkundrazi.
Në fund të këtyre ideve të parashtruara, një pikë vitale për zhvillimin e vendit është rikthimi në vlerat morale dhe traditat kombëtare për të ndërtuar mbi to një elitë politike dhe shoqërie që ndodhet në udhëkryqe të mëdha në një kohë mutacionesh dhe globalizimi. Partitë politike, administrata e lartë shtetërore me konsensus të gjerë të hartojnë një strategji afatgjatë për mbrojtjen e vlerave morale dhe qytetare duke filluar nga sistemi edukativ, duke mbrojtur ato vlera që e kanë bërë Shqipërinë dhe shqiptarët të ndryshëm dhe të veçantë nga popujt e tjerë të Europës.
Realizimi i këtyre shtatë pikave nuk kërkon asgjë më shumë se një vullnet dhe dëshirë për të kryer hapat e parë për t’u ulur rreth një tryeze në të cilën mund të diskutohen, kritikohen apo shtohen sugjerime pikave të parashtruara. Koha ka ardhur për një republikë të re, një republikë vlerash, e cila do të mund ta shkurtonte udhëtimin tonë plot peripeci drejt shtëpisë europiane dhe do t’i garantonte këtij vendi një stabilitet politik të mirëfilltë.

© Panorama.al

Te lidhura