Kushtetuta, në një numër të konsiderueshëm nen-esh të saj, përcakton detyrimin për plotësimin e kuadrit legjislativ me një sërë aktesh ligjore. I tillë është edhe detyrimi që parashikohet në nenin 69, germa “e”, të Kushtetutës, përsa i përket emërtimit “funksionarë të lartë të administratës shtetërore”. Legjislacioni shqiptar përfshin një sërë aktesh ligjore që u referohen çështjeve të etikës dhe konfliktit të interesit për deputetët dhe funksionarët e lartë në përgjithësi. Këto akte normative e kanë burimin e tyre nga Kushtetuta, e cila kërkon të krijojë një shtet të së drejtës, një shtet të parimeve demokratike, në të cilin ligji është baza e organizimit dhe funksionimit. Kushtetuta parashikon disa kushte papajtueshmërie e pazgjedhshmërie me detyrën e deputetit. Një prej tyre, i patrajtuar hollësisht deri sot, ka të bëjë me pamundësinë për të kandiduar e për t’u zgjedhur deputet pa hequr dorë nga detyra, për funksionarët e lartë të administratës shtetërore. Kushtetuta, në nenin 69 të saj, shprehet: Nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë, pa hequr dorë nga detyra: … e) … dhe funksionarët e lartë të administratës shtetërore të parashikuar nga ligji. Zbatimi me përpikëri i këtij detyrimi kushtetues do të ndikojë në forcimin e parimeve demokratike e etike në procesin e përzgjedhjes së kandidaturave, në zhvillimin e fushatës elektorale, në eliminimin për sa është e mundur të fenomeneve të keqpërdorimit të administratës publike dhe të institucioneve të shtetit.
E, pra, është pikërisht ky ligj që, edhe pse detyrim kushtetues, mungon. Mungon për neglizhencë, mungon se vetë forcat politike nuk e duan një përkufizim të tillë, mungon për mungesë ligjshkruesish etj., etj? Le t’i lëmë të gjitha mundësitë të hapura. Por ajo që është fakt, sot në asnjë akt ligjor dhe askush nuk mund të thotë se kush është sipas përcaktimit që kërkon Kushtetuta “funksionar i lartë i administratës shtetërore”. Duke qenë se zgjedhjet po afrohen dhe reforma zgjedhore është në proces, vlerësoj se duhet të jetë një nga çështjet që duhet të gjejë zgjidhje. Nga pikëpamja e teknikës legjislative mund të jetë dhe pjesë e vetë Kodit Zgjedhor (natyrisht duhet të vlerësohet si zgjidhja më e mirë sepse do të miratohet me shumicë të cilësuar), por mund të jetë edhe një ligj i veçantë.
Për të qenë më konkretë, projektakti duhet të përcaktojë të gjitha kategoritë e punonjësve të shtetit që do të konsiderohen funksionarë të lartë të administratës publike, ku mund të përfshihen:
– anëtarët ose drejtuesit e organeve kushtetuese ose të krijuara me ligj, të emëruar nga Presidenti i Republikës, Kuvendi apo Këshilli i Ministrave, si mund të jetë rasti i kryetarit të KLSH apo Avokatit të Popullit e komisionerëve të tij, anëtarë ose titullarë institucionesh të pavarura, si KKRT, KSHC, AK, Avokati i Prokurimeve, autoritetet e entet rregullatore etj:
– Nëpunësit civilë të nivelit të lartë dhe të mesëm drejtues sipas përkufizimeve të nenit 11 të ligjit 8549, datë 11.11. 1999, “Statusi i nëpunësit civil”, pavarësisht nga organi i emërtesës, ku përfshihen sekretarët e Përgjithshëm, drejtorët e departamenteve, drejtorët e Përgjithshëm e drejtorët, të Presidencës, Kuvendit, Këshillit të Ministrave e ministrive, institucioneve të pavarura, drejtorët e Përgjithshëm në varësi të Këshillit të Ministrave e ministrive me drejtuesit e degëve të tyre rajonalë si Doganat, Tatimet etj;
-Drejtuesit e institucioneve qendrore, enteve apo agjencive, si dhe drejtuesit e degëve të tyre rajonale, në varësi të Këshillit të Ministrave apo ministrive, ku mund të përmenden Agjencia e Legalizimeve, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, drejtoritë e përgjithshme, si ajo e Rrugëve, drejtuesit rajonalë si DAR, drejtuesit e shoqërive publike etj. Ky projektligj nuk mund të krijojë efekte për funksionet politike, si për shembull ato të anëtarit të Këshillit të Ministrave, deputetët, zëvendësministrat, anëtarët e kabineteve të tyre etj. Nga ana tjetër, miratimi i këtij ligji do të shërbejë si garanci për atë pjesë të nëpunësve civilë, të cilët interesat e tyre i shohin të lidhura jo me një karrierë politike, pra shërben në një farë mënyre në krijimin e konceptit të ndarjes se karrierës. Nëse do të ekzistojë vullneti politik, më duhet të them se një projektligj për këtë çështje është formuluar që legjislaturën e kaluar, para zgjedhjeve të vitit 2009, dhe letrat gjenden fare kollaj, por ndoshta mund të jetë vlerësuar i parakohshëm, i panevojshëm, apo thjesht i pavlerësuar. Ndoshta tani jemi në kohën e duhur. Miratimi sa më parë i këtij ligji dhe sidomos zbatimi rigoroz i tij në përmbajtje dhe në afate, do të ketë impakt pozitiv në zhvillimin e demokracisë, luftën ndaj korrupsionit politik dhe veçanërisht ndaj keqpërdorimit të administratës publike.
© Panorama.al












