PRISHTINE- Gjermania e mbështet hyrjen e Kosovës dhe të Serbisë në BE si dy shtete. Por sipas ambasadorit të parë të Gjermanisë në Republikën e Kosovës, BE-ja asnjëherë nuk do t`i pranojë brenda vetes dy shtete që nuk e njohin njëra-tjetrën. Në një intervistë për “Kohën Ditore” ambasadori në largim i Gjermanisë, Hans Dieter Steinbach, ka thënë se në rrugën e Serbisë drejt BE-së do të vijë edhe momenti kur ajo do të duhet ta njohë Kosovën. Pas tre vjetësh shërbimi si ambasador i Gjermanisë në Kosovë, ambasadori Steinbach flet edhe për shumë zhvillime tjera. Sipas tij problemet e veriut do të duhej të adresoheshin pas një kohe në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
I pyetur se si e sheh Kosovën tani kur po e lë, Steinbach u përgjigj se “njëra nga gjërat më të mira që të vija këtu në 2008-n është se unë dhe gruaja ime u pranuam si miq. Kjo ka qenë ndjenja që na ka përcjellë për tre vjet e gjysmë. Nuk është e zakonshme që një diplomat të jetë prezent dhe ta shoh lindjen e një shteti. Ishte sfiduese, por edhe mirënjohëse që ta shohësh këtë vend tek ecë përpara. Është bërë shumë rrugë për këta tre vjet. Duhet vlerësuar. Ka qenë rrugë e institucioneve të Kosovës me mbështetje nga miqtë ndërkombëtarë”.
Ndërkaq në një tjetër pyetje se a ekziston ende ndonjë rrezik që do të dështojë ekzistimi i Kosovës si shtet, ambasadori në largim i Gjermanisë ishte i prerë: “ Jo nuk ka. Nuk ka, sepse Kosova tashme njihet nga 76 shtete. E di se procesi i njohjeve është ngadalësuar pak, por besoj se do të ketë njohje të reja. Ajo që për Gjermaninë është shumë, shumë, shumë e qartë është sovraniteti i Kosovës. Sa herë që dikush të flasë për prekjen e sovranitetit të këtij vendi, sa herë që dikush të flasë për ide të ndarjes së këtij vendi, sa herë që dikush flet për ndryshimin e kufijve të këtij vendi, Gjermania do ta kundërshtojë. Gjermania do të kundërshtojë, sepse është bindur se vetëm kufijtë e sigurt në këtë regjion sjellin stabilitet në Ballkan, dhe jo vetëm në Ballkan, por në gjithë Evropën”
Por, Steinbach nuk e fshehi shqetësimin për veriun.
Ka disa vështirësi me të cilat po përballemi në veri, u shpreh ai. Është një situatë e vështirë. Unë e mbështes shpresën në dialogun që ka filluar mes Prishtinës dhe Beogradit. Nuk duhet biseduar për statusin e veriut, gjë që nuk është çështje aspak, por për përmirësimin e jetës së qytetarëve në veri. Përmirësimi i jetës së tyre dhe krijimi i mundësive të barabarta për ta.
Po ashtu ai tha se veriu duhet të jetë pjesë e dialogut.
“ Në një moment në të ardhmen, veriu duhet të jetë pjesë e dialogut. Jo në kuptim të ndarjes apo diçkaje tjetër të ngjashme, por në kuptimin e krijimit të kushteve të jetës që serbët e veriut të pranojnë shtetin e Kosovës”
Ndërkaq i pyetur pse duhet biseduar me Serbinë për aranzhimet e brendshme dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës, Steinbach sqaroi
Është fakt se Kosova është shtet sovran dhe dialogu duhet të zhvillohet në kushte dhe mbi bazën e dy shteteve të pavarura. Gjermania e ka njohur pavarësinë e Kosovës e edhe të Serbisë. Të dyja këto shtete synojnë BE-në, dhe ky dialog lehtëson këtë qëllim të tillë. Duhet biseduar. Duhet biseduar edhe për çështjet e ndërlikuara, jo vetë të lehtat. Rrethanat janë krijuar me nisjen e këtij dialogu.
Por, për hyrjen në BE të Serbisë, ai tha se është një proces i gjatë, si për Serbinë, si për Kosovën, si për shtetet e tjera në regjion. Ka perspektivë dhe Kroacia është një shembull i mirë për këtë, por dikur në këtë proces të hyrjes së vendeve të regjionit në BE, do të adresohet çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës. “Unë mund t’ju garantoj se BE-ja kurrë nuk do të pranojë dy shtete që nuk e njohin njëra-tjetrën”, tha ai.
Sa i përket përfundimit të fazës së mbikëqyrjes, ambasadori gjerman u shpreh se Kosova është një vend i pavarur dhe duhet ta marrë fatin e vet në duar. Plani i Ahtisaarit e parasheh që ISG-ja të bëjë vlerësimin dhe kjo do të ndodhë.
© Panorama.al











