
MAMURRAS – Tritol shtëpisë së familjes Shkreta në fshatin Shpërllet të Mamurrasit. Pas vrasjes së babait të tyre rreth dy javë më parë, një sasi eksplozivi ka shpërthyer para shtëpisë. Rreth 5 kg lëndë plasëse, e vendosur në një automjet, ka shpërthyer në hyrje të shtëpisë së familjes Shkreta në fshatin Shpërllet të Mamurrasit, por fatmirësisht në momentin e shpërthimit në banesë nuk ndodhej asnjë person. Ngjarja ndodhi rreth orës 02:00 të mëngjesit të djeshëm, ndërsa nuk dihen ende autorët e kësaj ngjarjeje. Nga hetimet e para dyshohet se lënda plasëse është vendosur në një automjet tip “Mercedes Benz”, pa targa dhe është ndaluar para shtëpisë dykatëshe të familjes Shkreta dhe mund të jetë shpërthyer në distancë. Mjeti është dëmtuar thuajse plotësisht si pasojë e sasisë së madhe të lëndës eksplozive që ka qenë e vendosur në të, ndërsa shtëpia e dëmtuar, e cila ndodhej në ndërtim e sipër, ishte braktisur nga familja Shkreta për shkak të hasmërisë me familjen Llanaj po nga fshati Shpërllet. Ende nuk ka asnjë person të dyshuar për këtë ngjarje, ndërsa hetimet kryesore janë përqendruar tek automjeti në të cilin ishte vendosur lënda shpërthyese. Ekspertë të Policisë Kriminale kanë intensifikuar hetimet e tyre për të gjetur pronarin e mjetit ose blerësit e mundshëm të tij. Një tjetër pistë është ajo e grabitjes së mjetit për t’u përdorur më pas për transportimin e lëndës plasëse, lloji i të cilës nuk është saktësuar ende, dhe është lënë te hyrja e shtëpisë së familjes Shkreta për të shpërthyer. Sipas disa burimeve policore, kjo mund të jetë kryer për të fshirë gjurmët e autorit apo autorëve të ngjarjes, gjë e cila ka vështirësuar edhe identifikimin e tyre nga ana e Policisë së Kurbinit. Shpërthimi ka tronditur të gjithë zonën për shkak të sasisë së madhe të lëndës plasëse, duke krijuar panik në zonë, por fatmirësisht nuk ka sjellë dëme në banesat e tjera, të cilat ndodhen jo shumë larg vendit të shpërthimit. Kati i parë i shtëpisë është dëmtuar thuajse plotësisht, ndërsa dëmtime të forta ka pësuar edhe kati i dytë i banesës. Megjithëse nuk ka asnjë person përgjegjës për ngjarjen, dyshimet e para janë hedhur te familja Llanaj, e cila ndodhet në hasmëri me familjen Shkreta që prej atentatit që këta të fundit kryen ndaj 26-vjeçarit Muharrem Llanaj, me datë 5 qershor të këtij viti, ku u vra nipi i tij 9-vjeçar ndërsa mbeti i plagosur rëndë edhe vetë xhaxhai. Për këtë ngjarje, policia arrestoi vëllezërit Altin dhe Vladimir Shkreta, të cilët dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë autorë të kësaj ngjarjeje të rëndë. Më 19 korrik, u vra në Tiranë vetëm pak minuta pasi kishte dalë nga shtëpia e marrë me qira Mark Shkreta, 71 vjeç, babai i dy autorëve të akuzuar për atentatin ndaj familjes Llanaj. gj.figuri











