NGA FATOS ÇOÇOLI
Dy ditë më parë, aka demiku i njohur Anastas Angjeli, vena krijuese e të cilit nuk di të pushojë, bëri publik në mjediset e Bankës së Shqipërisë veprën e tij të fundit “Institucionet e Bretton Woods-it dhe Shqipëria”. Ky libër të ngërthen nga faqja e parë deri tek ajo e fundit, me përngjizjen interesante me pesë kapituj, ku secili ka një prolog, një hyrje dhe një epilog. Ky ndërtim i fabulës krijuese i ka lejuar autorit të na tregojë çfarë janë në thelb institucionet 80- vjeçare, por gjithnjë të reja e pulsuese, të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe Organizatës Botërore të Tregtisë(OBT). Me një përshkrim sa të detajuar, aq të thjeshtë e të qartë të historisë së tyre të mëparshme dhe të sotme, akademik Angjeli na tregon pse FMN ka ndihmuar me dijet e specialistëve të vet me dhjetëra e dhjetëra kombe e shtete (ndër të cilat dhe Shqipërinë), që ta rimarrin veten dhe të forcojnë financat e tyre publike. Pse Banka Botërore (BB) me fondet e saj ndihmoi fort Evropën e shkatërruar nga Lufta e Dytë Botërore të rindërtohej, ndërsa sot ndihmon shtetet dhe kombet kudo në botë, me fondet dhe dijet e saj, që të çrrënjosin varfërinë ekstreme dhe të ulin atë relative.
Kjo vepër na fton të rishikojmë mënyrën se si e kuptojmë ekonominë dhe rolin e institucioneve vendëse dhe të huaja që na ndihmojnë, në rivendosjen e besimit të qytetarit në zhvillimin e ekonomisë së vendit të tij dhe në hedhjen e bazave për rritjen e qëndrueshme të saj. Vetë autori, për të kuptuar rëndësinë dhe themelet e Konferencës së Bretton Woodsit të vitit 1944, shkoi në vendin ku ajo u zhvillua në SHBA dhe vizitoi në detaje muzeun përkushtuar asaj. Akademik Angjeli të thotë se, “E shkrova këtë libër për të studiuar gjithë historinë e këtyre institucioneve ekonomike ndërkombëtare që dolën nga ajo konferencë, por më tepër të hidhja dritë si u krijuan këto institucione, si funksionojnë ato, çfarë raporti krijuam ne në vitet e para të tranzicionit me to dhe si vazhdojnë këto marrëdhënie sot.
Dhe kryesorja, çfarë ka arritur Shqipëria në marrëdhënie me to dhe për çfarë mund të na ndihmojnë në të ardhmen”. Vepra “Institucionet e Bretton Woods-it dhe Shqipëria” ofron me kujdes dhe bujari një kolanë historike të ngjarjeve, shkaqeve dhe teorive ekonomike, të cilat i paraprinë krijimit të këtyre institucioneve. Krijimi i tyre u bazua në ngjizjen dhe fuqizimin e institucioneve demokratike në mbarë botën, në garantimin e qëndrueshmërisë ekonomike dhe financiare, si dhe të mundësisë së lëvizjes së lirë të qytetarëve, mallrave, shërbimeve, kapitaleve dhe ideve. Si FMN, por sidomos Banka Botërore, ia dolën të garantojnë mbështetjen efektive me kapitale të mjaftueshme financiare, për të siguruar rimëkëmbjen nga krizat dhe zhvillimin ekonomik afatgjatë të shumë rajoneve dhe vendeve të botës. Ato e kanë ndihmuar vendin tonë dhe ekonominë e tij në shumë momente të vështira, si dhe na kanë udhëzuar e orientuar drejt të përfitojmë nga momentet e mira që kalon ekonomia jonë. Këtë e sjell shumë qartë libri i fundit i akademik Anastas Angjelit. Autori është një nga promotorët e aplikimit dhe pastaj pranimit të Shqipërisë në FMN dhe BB. “Institucionet e Bretton Woods-it dhe Shqipëria” është një libër i rëndësishëm jo vetëm për lexuesin shqiptar e të huaj, por edhe për studiuesit e ekonomisë, histori anët dhe diplomatët. Vepra i drejtohet sa lexuesit të thjeshtë shqiptar, që ka kureshtje të njohë Sistemin Monetar Ndërkombëtar dhe politikat e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik botëror, aq edhe një ekonomisti që kërkon të kuptojë mekanizmat e funksionimit të tyre.
I drejtohet një historiani profesionit, por edhe një kureshtari të zhvillimit të ekonomisë botërore. Në thelb, vepra u drejtohet të gjithë atyre që duan të njohin të shkuarën ekonomike, të vlerësojnë të tashmen dhe të mundohen aq sa është e mundur, të parashikojnë të ardhmen. Atyre prej nesh (dhe jemi shumica), që lexojnë gazetën, shikojnë lajmet në televizion dhe që duan t’i kuptojnë më qartë ndodhitë ekonomike botërore. Akademik Angjeli në fund ngre pyetjen: “Mos na duhet një Breton Woods i ri?”. Është një pyetje-thirrje e thekshme për reflektim të thellë dhe iniciativë për të ndryshuar për mirë fatet e ekonomisë botërore, në kushtet e sfidave të reja dhe që kanë vendosur në pikëpyetje të gjithë infrastrukturën e sotme të institucioneve ndërkombëtare rregulluese të tregtisë, financave dhe ekonomisë botërore. Akademik Angjeli është autor dhe bashkautor i shumë artikujve shkencorë, brenda dhe jashtë vendit, studimeve me karakter kombëtar e rajonal, i disa librave universitarë dhe monografive. Atij i urojmë mbarësi në punën e tij të apasionuar shkencore dhe të jetë përherë kështu pjellor në veprat për ekonominë tonë dhe atë botërore që ndërlidhet me ne, pse sprova të tilla na ndihmojnë shumë dhe përbëjnë gurë kilometrikë të mendimit ekonomik më të përparuar shqiptar.
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al