Pep ndez duelin e parë të sezonit: Reali? Emër i madh, por jo në fushë

Aug 8, 2011 | 12:44

Barcelona është rikthyer në Spanjë pas turneut amerikan, të cilin e mbylli me sukses duke fituar 2-0 me Klub Amerikën e Meksikës. Golat e Vilës dhe Keitës i kanë ngushëlluar disi Kampionët e Europës, që në 2 miqësoret e fundit ata kundër Mançester Junajtid dhe Çivasit i kishin humbur. Guardiola mund të marrë edhe një herë tjetër frymë lirisht tani që skuadrës i është bashkuar dhe Leo Mesi. Trajneri katalanas u përball me një presion të jashtëzakonshëm pas disfatës me 1-4 me meksikanët, pasi në 14 gusht do të luhet ndeshja e parë e Superkupës kundër Realit në “Bernabeu”. “Luajtëm një pjesë të parë të mirë, ndërsa në të dytën nuk bëmë shumë ndryshime, sepse doja që t’i ruaja balancat në fushë”, – shprehu Guardiola. 40-vjeçari lavdëroi kushtet atmosferike në “Cowboy Stadium”. “Në ndeshjet e mëparshme disa prej lojtarëve nuk mund të merrnin frymë normalisht, për shkak të nxehtësisë dhe lagështirës së ajrit, prandaj nuk kemi dhënë maksimumin për të mos rrezikuar (i referohet humbjes me Junajtid dhe Çivas)”. Gjithsesi, Pep pranoi se në përgjithësi ai ishte i kënaqur dhe është krenar për atë që kishin treguar lojtarët. “Ajo që mund të them është se është një nder që kam stërvitur këta lojtarë, si të rinjtë ashtu edhe senatorët. Por, më duhet të vlerësoj dhe ata që nuk janë stërvitur me skuadrën e parë. Ju e dini se çfarë mendoj për futbollistët e mi. E njoh gjithashtu dhe kundërshtarin e Superkupës. Duhet të tregojmë shumë kujdes që të mos përsëritet humbja 3-1 me Seviljen vitin e shkuar. I njohim cilësitë e rivalëve. Megjithatë, unë jam i bindur se në fushën e lojës jemi ne për të na pasur frikë”, – deklaroi trajneri i Barcelonës, pas rikthimit në Spanjë.

© Panorama.al

Te lidhura