Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve i ka dërguar një letër Kolegjit Zgjedhor, ku i kërkon ndryshimin e trupës gjykuese kur të shqyrtohet kërkesa e saj për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Tiranë.Kërkesa e kësaj partie argumentohet me mospërputhjen e shifrave në tabelën përfundimtare. Në letrën drejtuar kryetarit të Gjykatës së Apelit, Metush Saraçi dhe relatores së çështjes, Meriban Mullaj, bëhet i ditur fakti se tetë gjyqtarët që përbëjnë Kolegjin Zgjedhor kanë dhënë mendimin e tyre gjatë shqyrtimit të dy kërkesave të Partisë Socialiste për Tiranën dhe në këto kushte ata nuk mund të shqyrtojnë kërkesë-padinë e Partisë së Pensionistëve. Kryetari i kësaj partie, Selami Jenishehri, kërkon që Këshilli i Lartë i Drejtësisë të përcaktojë një trupë tjetër gjyqtarësh për seancën e parashikuar për t’u zhvilluar ditën e mërkurë. “Tashmë është botërisht e ditur që gjyqtarët Tom Ndreca, Entela Prifti dhe Sashenka Jonuzaj kanë gjykuar çështjen e ngritur nga Partia Socialiste kundër vendimit të KQZ-së për vlerësimin e fletëve të votimit (Vendimi Nr. 49, datë 3.6.2011 i Kolegjit Zgjedhor). Ai vendim përbën shprehje të hapur mendimi edhe për zgjidhjen që do t’i jepet padisë sonë, pasi ne, ndryshe nga PS-ja, me ketë padi kundërshtojmë vendimin përfundimtar të KQZ-së, bashkë me vendimet e ndërmjetme”, thuhet në letrën drejtuar Gjykatës. Të njëjtin objeksion, aleatja e Partisë Socialiste shpreh edhe për gjyqtaren Marie Qirjazi, e cila ka qenë pjesë e trupës gjyqësore në padinë e parë të Partisë Socialiste, që i kërkoi Kolegjit ta detyrojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të nxjerrë rezultatin e Tiranës. “Meqenëse dhe ai vendim pushimi e paragjykon përsëri padinë tonë, se është shprehje e hapur mendimi që edhe pse KQZ-ja nuk e ka miratuar tabelën brenda afatit ligjor, përsëri nuk ka problem, në këto kushte, as kjo gjyqtare nuk mund të jetë në trupin gjykues që do të gjykojë çështjen tonë”. Por, Partia e Pensionistëve nuk ndalet këtu, teksa shton faktin se edhe tre gjyqtarët e tjerë Astrit Kalaja, Petraq Dhimitri dhe Dhurata Haveri, të cilët nuk u përzgjodhën me short për seancën e së mërkurës, kanë marrë pjesë më parë në paditë e ardhura në Kolegj për rezultatin e Tiranës. Në këto kushte, pensionistët kërkojnë që të ndërhyjë KLD-ja për të përcaktuar një tjetër trupë gjyqësore. “Pra, dhe për ekonomi gjyqësore, tashmë Gjykata e Apelit Tiranë duhet t’ i drejtohet KLD-së për gjyqtarët zëvendësues, në zbatim të dispozitave të K. Pr. Civile, si dhe nga praktika e konsoliduar e KLD-së, në të tilla raste, kur gjyqtarët e një gjykate kanë hequr dorë apo janë përjashtuar nga gjykimi i një çështjeje të caktuar, atëherë ky institucion cakton gjyqtarët e çështjes nga trupa e gjyqtarëve të së njëjtës shkallë gjykimi në shkallë republike”, thuhet më tej në padi.
Padia e PS: Rama të shpallet fitues me 10 vota
Kolegji Zgjedhor do të shqyrtojë nesër kërkesën e PS-së për Tiranën, ku në thelbin e saj është nxjerrja e rezultatit në bazë të tabelave të ardhura nga KZAZ-të, sipas të cilave Rama rezulton fitues me 10 vota më shumë se Basha. “KQZ, nga hetimi dhe vlerësimi i fletëve të votimit për kryetar Bashkie në 117 kutitë ku ka ndërhyrë, ka vlerësuar 357 fletë votimi më shumë se vullnete të shprehura. Nga tabela përfundimtare nuk përputhet asnjë komponent i mësipërm, që do të thotë se tabela përfundimtare e rezultatit është një tabelë alogjike në lidhje me shifrat dhe nuk mbështetet mbi të dhëna reale”, thuhet në padinë e PS-së, dorëzuar në Kolegjin Zgjedhor.
Pensionistët: Zgjedhjet në Tiranë, të ribëhen
Nga ana tjetër, aleatja e PS-së, Partia e Pensionistëve, ka kërkuar që zgjedhjet në Tiranë të shpallen të pavlefshme. Sipas saj, në tabelat e rezultateve duket qartë se ka mospërputhje. Në tabelë jepet si e dhënë: numri i zgjedhësve që kanë votuar: 256 507 persona, ndërkohë jepet po ashtu si e dhënë: fletë votimi të gjetura në kuti: 257 377 fletë, pra mungojnë 870 fletë votimi. “Kërkojmë shfuqizimin e Vendimit Nr. 827, datë 2.6.2011 të KQZ-së dhe konstatimin e pavlefshmërisë absolute të Vendimit Nr. 711, datë 23.5.2011 të KQZ-së. Shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në zonën zgjedhore Bashkia Tiranë, për shkak të shkeljeve të ligjit dhe përsëritjen e tyre”.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











