Pensionet, arkiva kompjuterike për aplikuesit në 10 prefektura

Jun 9, 2011 | 11:28

Aplikuesit për pension në 10 prefektura të vendit do ta kenë më të lehtë plotësimin e dosjeve për të përfituar pagesën e pleqërisë. Instituti i Sigurimeve Shoqërore njoftoi dje se ka përfunduar tërheqja, certifikimi, përpunimi i dokumentacionit, si dhe hedhja e të dhënave në bazën kombëtare të të dhënave për të gjithë shtetasit shqiptarë që kanë punuar në ish-kooperativat bujqësore. Bëhet fjalë për dosjet dhe regjistrat e ish-kooperativave bujqësore, të periudhës kohore 1946-1991. Nga 12 prefektuara, nuk ka përfunduar akoma puna për Dibrën dhe Korçën. “Sqarojmë gjithashtu se hedhja e të dhënave të ish-kooperativave bujqësore në bazën kombëtare është bërë e centalizuar, pra dokumentacioni është tërhequr në ISSH, është përpunuar dhe më pas është hedhur në program. Përveç kësaj, krahas përfundimit të plotë të kësaj baze të dhënash, është bërë e mundur që t’u krijohet akses rajoneve që të mund të konsultojnë on-line të dhënat për efekt dhënie përfitimesh, pa qenë e nevojshme që të përdoren regjistrat, në të cilat pasqyrohen këto të dhëna. Kjo mënyrë të operuari në praktikë siguron shpejtësi, uniformitet, kontroll të kryqëzuar në kohë reale dhe transparencë në dhënien e përfitimit.” Sipas ISSH, krijimi i bazës kombëtare të të dhënave të regjistrave të ish-kooperativave bujqësore është i kombinuar me një projekt tjetër për krijimin e një baze tjetër kombëtare të dhënash për kontributet e paguara nga të vetëpunësuarit në bujqësi, për periudhën 01.10.1993 e deri më sot. Projekti i dytë ka përfunduar në 31 maj 2011. Implementimi i të dyja këtyre projekteve, në mënyrë të kombinuar ka bërë të mundur që për zonat rurale të Shqipërisë, ose ndryshe për 51 % të popullsisë, ISSH është në fazën përmbyllëse të objektivit për krijimin e llogarive personale të kontribuesve, si dhe përfundon krijimi i historikut të sigurimeve shoqërore. “ISSH njofton të gjithë shtetasit e interesuar (punonjësit e ish-kooperativave bujqësore dhe të vetëpunësuarit në bujqësi) se për pajisjen me vërtetime për historinë e tyre kontributive, si dhe për përfitimet që rrjedhin nga kontributi i paguar, ata do të vazhdojnë të paraqesin kërkesat e tyre pranë Agjencive Lokale të Sigurimeve Shoqërore, pasi, pavarësisht lëvizjes së dokumentacionit, qytetarëve u sigurohet shërbimi në kohë reale pranë vendbanimeve të tyre”.

Prefekturat

.    Berat
.    Fier
.    Shkodër
.    Vlorë
.    Elbasan
.    Kukës
.    Gjirokastër
.    Tiranë
.    Durrës
.    Lezhë

© Panorama.al

Te lidhura