Pengohet në kufirin grek deputeti çam: Më vunë kryq në pasaportë

Jun 26, 2011 | 11:35

Përkujtimi i 67-vjetorit të gjenocidit grek mbi çamët shënon incident në kufirin e Qafë-Botës.Deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri, është penguar për 2 orë të hyjë në tokën greke, ndërsa kryekomunarit të Markatit dhe dy gazetarëve, bashkë me shoferin e deputetit, iu ndalua kalimi, pasi përbënin “rrezikshmëri për rendin publik”. Pas një sërë incidentesh me qytetarë shqiptarë të thjeshtë, të cilët janë kthyer në kufi pasi kishin origjinën çame, dje policët grekë guxuan ta ndërmerrnin këtë veprim dhe me përfaqësuesin e Legjislativit, i pajisur me pasaportë diplomatike. Vetë deputeti Tahiri ka treguar për gazetën “Panorama” se mbi 2 orë ka qëndruar bashkë me grupin që po e shoqëronte në pikën greke të Qafë-Botës, në Sarandë. Sipas tij, ka qenë ora 11:00 kur është nisur me një buqetë me lule në duar drejt lumit të Kallamajit, rreth 30 km në brendësi të tokës greke. “Në këtë lumë janë mbytur 300 çamë, të cilët ndiqeshin nga greku dhe po tentonin të hynin në Shqipëri. U nisa për atje për të hedhur buqetën me lule të freskëta në respekt të tyre”, pohoi Tahiri. Ai tregon se kur është paraqitur te sporteli grek, u ka dorëzuar pasaportën diplomatike duke thënë se ishte deputeti i Kuvendit të Shqipërisë dhe çam. “Punonjësit grekë më folën në greqisht duke refuzuar hyrjen time. Ia ktheva në anglisht, se doja të kaloja kufirin për në tokën greke. Unë i kuptoja në gjuhën e tyre, ata në anglisht, por gjithmonë këmbëngulnin që të mos kaloja. Pas 2 orësh debat dhe kur ishin të vetëdijshëm se mund të krijohej një incident diplomatik, më lejuan të shkoja i vetëm, pa shoferin”, tha deputeti çam. Nga ana tjetër, kryekomunarin e Markatit, Ismail Myrtaj dhe gazetarët nuk janë lejuar. Myrtaj dispononte dhe pasaportën e shërbimit, por kjo nuk e ka zgjidhur problemin e krijuar. Vetë kryekomunari mësohet se ka kaluar dhe herë të tjera në Greqi pa problem. Ashtu si dhe Myrtajt, edhe dy përfaqësuesve të medias, nga Neës 24 dhe TVSH, u është penguar kalimi, madje atyre u është plotësuar formulari nga grekët duke u shënuar mbi të se ata nuk ishin lejuar për shkak se rrezikonin rendin, si dhe u është vënë një kryq mbi pasaportë. Ndërsa ata u kthyen pas në Qafë-Botë, deputeti Tahiri me makinën e tij dhe lulet në duar i është drejtuar lumit të Kallamajit. Sipas Tahirit, gjithë rrugës ai është ndjekur nga tri makina me civilë, të cilët nuk e kanë ndaluar, por e kanë shoqëruar në çdo lëvizje. “Pasi hodha buqetën në respekt të viktimave, u nisa drejt Igumenicës. Aty kam bërë një shëtitje dhe jam kthyer më pas në kufi, gjithmonë i ndjekur nga makinat me civilë. Në kufi më kanë dorëzuar pasaportën, mbi të cilën ishte vendosur një kryq mbi vulë dhe dy vija, ndërsa policët më shihnin me urrejtje”. I pyetur nëse këto shenja mund t’i krijojnë probleme në lëvizjet në të ardhmen, Tahiri pohoi se më tepër i ngjan me një presion nga pala greke. Ky rast dhe të tjera refuzime të shtetasve shqiptarë janë komentuar gjatë ceremonisë në përkujtim të gjenocidit dhe nga kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi. “Të gjithë ne i dimë rastet e refuzimit në kufi të shtetasve shqiptarë me origjinë çame. Për secilin rast, PDIU ka bërë maksimumin: u kemi shkruar autoriteteve europiane, kemi folur me autoritetet më të larta të shtetit shqiptar. Kjo sjellje refuzuese ndaj çamëve në kufi i fajëson grekët e sotëm, i vë ata në pozitat e mbrojtësve të krimeve të paraardhësve”, theksoi Idrizi. Ai përmendi faktin se dhe ministri ynë i Jashtëm reagoi duke i kërkuar shpjegime palës greke, ndërsa shtoi se sot nuk mund të sillesh me një individ si në Luftën e Dytë Botërore.

Festivali

Saranda bëhet sërish skenë e këngës dhe valles për Çamërinë, sjellë nga të gjitha trojet shqiptare. Ky eveniment i madh, produkt i Unionit Artistik Shqiptar, ka nisur mbrëmjen e së shtunës në kompleksin sportiv “Aleko Dajko” të Sarandës dhe për tri net me radhë do të jetë si një buronjë e folkut të shqiptarëve. Ai vjen edhe si një kontribut në gjallërimin e jetës shpirtërore të sarandjotëve dhe të pushuesve të qytetit të turizmit.

AK në Shkup

Pas Kosovës, shteteve të Europës dhe një dege në Amerikë, Aleanca Kuq e Zi ka krijuar dje një degë të saj në Maqedoni. Përfaqësuesit e kësaj aleance, si dhe kreu i saj, Kreshnik Spahiu, nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ishin dje në Shkup për këtë ceremoni. Ata u mbështetën nga qindra shqiptarë që jetojnë në shtetin fqinj, si dhe të misionit të saj kundër regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike e fetare.

Përkujtohet 67-vjetori i gjenocidit çam

SARANDE – Pelegrinazh në Qafë-Botë, në 67-vjetorin e gjenocidit grek ndaj çamëve. Mijëra pjesëtarë të komunitetit çam nga i gjithë vendi, të ardhur nga jashtë, si dhe patriotë nga vendet ku jetojnë shqiptarë, kanë marshuar rreth orës 17:00 drejt kufirit, aty ku në vitin 1944 marshuan 37 mijë veta. Mes tyre ndodheshin edhe kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, Presidenti i Nderit, Tahir Muhedini, deputeti Dashamir Tahiri, kryetari i shoqatës “Çamëria”, Adrian Tana etj. Për të marrë pjesë në këtë pelegrinazh të çamëve ka ardhur nga Kosova edhe vëllai i Adem Jasharit, merrte pjesë gjithashtu edhe Princi Leka. Ndalesa e parë e këtij marshimi, nën moton “Trëndafilat e Çamërisë”, ishte në varrezat e Kllogjërit, aty ku 67 vite më parë mbi 2600 njerëz humbën jetën nga etja dhe uria, pasi ishin shpërngulur me dhunë nga ushtritë zerviste prej trojeve të tyre. Në pikën e Qafë-Botës, mijëra të pranishëm zhvilluan një protestë paqësore në kërkim të të drejtave të tyre. Gjatë kësaj proteste, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, shprehu dhe një herë bindjen e tij dhe të forcës politike që ai drejton se ky problem do të gjejë zgjidhje. Gjithashtu, ai e cilësoi kufirin grek si më të blinduarin në Europë dhe kjo vjen, sipas tij, nga pasoja e frikës nga fqinji. “Problemi çam ekziston, por ne jemi tërhequr, jemi tkurrur si shtet. Jemi gjendur nën presionin e atyre programeve të Megalidhesë, të shtetit fqinj për shkolla, varreza, pensione, priftërinj, që sot po e çojnë atë në falimentim të turpshëm. Në zonat andej vazhdohet të ruhet një gjendje tipike e luftës së ftohtë. Nuk lejohen të huajt të qarkullojnë lirshëm dhe aq më pak shqiptarët. Nuk lejohen mediat. Nuk lejohet tjetërsimi i pronave. Nuk lejohet vendosja e emigrantëve shqiptarë. Ky kufi, pra, është pasojë e frikës nga fqinji. Është pasojë e kompleksit të fajit që fqinji ka për krimin e kryer 67 vjet më parë”, deklaroi Idrizi. Gjatë ceremonisë së djeshme është bërë thirrje për bashkim kombëtar për zgjidhjen e çështjes çame.

 

SARANDE/ SHPRESA DINE

© Panorama.al

Te lidhura