Pengmarrje e përgjakshme në Gjermani, përfundon me 5 viktima

Jul 5, 2012 | 14:44
Komandot gjermanë në vendngjarje

Një situatë pengmarrjeje ka përfunduar në një masakër të mërkurën në qytetin gjerman, Karlsruhe, ku pesë persona u gjetën nga forcat speciale pa jetë brenda shtëpisë. Burri i armatosur, 53 vjeç, ka vrarë një përmbarues, 47 vjeç, një bravandreqës, 33 vjeç, dhe një 45-vjeçar që donte të merrte shtëpinë me qira, në qytetin jugperëndimor. Pengmarrësi i ka vrarë të gjithë dhe më pas ka qëlluar edhe veten. Viktimat ishin lidhur dhe ekzekutuar, sipas prokurorit lokal. Ai e konsideroi këtë “një akt të planifikuar”. Një punonjës social ishte dërguar me përmbaruesin në këtë shtëpi, e ndonëse ka mbetur i plagosur rëndë, ai ka arritur të arratiset dhe të ngrejë alarmin. Policia më pas konfirmoi se u gjet edhe një trup i pestë, ai i një gruaje 55-vjeçare, e cila ishte partnerja e vrasësit, pronarja e vërtetë e apartamentit. Gjykata kishte urdhëruar largimin e tyre nga prona e vet, pasi kishin shumë kohë që nuk paguanin taksën mujore të apartamentit dhe, si rrjedhojë, do të nxirreshin jashtë shtëpisë së tyre. Ngjarja nisi në orën 09:00 të mëngjesit të djeshëm, kur autoritetet e përmbarimit dërguan njerëzit e tyre për të zbatuar urdhrin. Sipas raportimeve, pengmarrësi ishte gjahtar dhe kishte një arsenal të vogël armësh në shtëpi. Fqinjët kanë raportuar të kenë dëgjuar të bërtitura: “Doni shtëpinë time? Do t’ju kushtojë jetën”. Oficerët komando të njësisë speciale SEK, 40 në total, kanë rrethuar apartamentin pasi kishin mbyllur rrugët rreth e qark. Më shumë se 200 policë u përfshinë në këtë operacion që zgjati tri orë, dhe një helikopter policie ka mbikëqyrur zonën. Besohet se pengmarrësi nuk ka pranuar të komunikojë me policinë. Snajperët nuk shihnin asgjë, pasi burri e kishte “barrikaduar” shtëpinë me ushqime.

Mësymja
Komandot SEK shpërthyen derën e shtëpisë pak pas mesditës, kur vunë re një sasi tymi të dilte nga apartamenti. Por pengmarrësi dhe viktimat e tij ishin të gjithë të vdekur. Një kopsht dhe një shkollë afër kësaj shtëpie ishin evakuuar, por policia njoftoi se “po shikojmë vetëm pesë trupa pa jetë në shtëpi. Kërcënimi ka përfunduar”.

© Panorama.al

Te lidhura