
Pensionisti merret peng për 20 orë, derisa pas marrëveshjes verbale me tre të rinjtë firmos te noteri shitjen e makinës së tij në këmbim të lirimit.
62-vjeçari me inicialet P.V. kreu kallëzimin pasi e lanë të lirë, kur nën presionin psikologjik dhe dhunën fizike, u detyrua të firmoste shitjen e mjetit. Ngjarja ndodhi më 25 qershor në lagjen ku banonte 62-vjeçari në Durrës, kur autorët, të arrestuar tashmë, e morën atë dhunshëm në mjetin e tyre. Ata janë shtetasit Angjelin Sterkaj, 26 vjeç, banues në Koplik, i dënuar më parë për krime kundër personit, Sadik Valteri, 23 vjeç, nga Durrësi dhe Altin Lori, 26 vjeç, banues në Lezhë, i dënuar më parë për vrasje. “Këta shtetas dyshohet se më 25 qershor, në bashkëpunim dhe me persona të tjerë, kanë ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj 62-vjeçarit P.V., për ta detyruar atë të paguajë 5 mijë euro. Më tej dyshohet se ata e kanë detyruar personin në fjalë të nënshkruajë një deklaratë noteriale për shitjen e autoveturës së tij tip “Volsvagen Pasat”, me targa AD 844 ES. Nga ana jonë u bë arrestimi i autorëve, si dhe bllokimi i mjetit të vjedhur në cilësinë e provës materiale”, bëri të ditur Policia. Bazuar në dëshminë e pengut, por edhe hetimet e kryera, ditën e ngjarjes ai është ndodhur në lagjen e tij. Një makinë i ka ndaluar te këmbët dhe të rinjtë e kanë futur atë në mjet forcërisht. Më pas, janë nisur drejt Shkodrës ku kanë qëndruar gjatë gjithë natës në vendin e quajtur Romz dhe kanë dhunuar fizikisht e psikologjikisht 62-vjeçarin, duke i kërkuar në këmbim të lirimit 5 mijë euro. P.V. kishte fëmijët emigrantë në Itali dhe të rinjtë, duke parë edhe lëvizjet e tij me makinën që ia kishin blerë fëmijët, kanë menduar se ai mund të kishte para gjendje në shtëpi. Ai u ka pohuar të rinjve gjatë natës (njërin prej të cilëve e kishte në lagje) se nuk kishte lekë që t’u jepte. Të nesërmen, ata janë nisur bashkë me pengun nga Shkodra, duke e dhunuar për disa orë të tjera në afërsi të venddepozitimit të plehrave në Porto Romano në Durrës. Duke mos parë asnjë rrugëzgjidhje, pengu u ka kërkuar të rinjve të bënin një marrëveshje verbale. Ai iu ka pohuar se nuk kishte para, por në këmbim të lirimit ishte i gatshëm të shkonte në një zyrë noteriale dhe të firmoste sikur ua kishte shitur makinën. Oferta e tij i ka joshur autorët. Dhe ashtu kanë vepruar. Ata kanë shkuar në Shijak, dhe pasi kryen të gjitha veprimet noteriale, morën makinën dhe lanë të lirë pengun. Pas lirimit, ai i është drejtuar policisë nga ku ka kryer edhe kallëzimin. Policia u vu menjëherë në lëvizje dhe ditën e djeshme arriti t’i arrestonte autorët dhe të gjente edhe makinën.
AUTORET
Policia bëri të ditur se tre autorët janë me precedentë të mëparshëm për vrasje apo krime kundër personit. Dyshohet se në krim kanë bashkëpunuar edhe persona të tjerë, ndaj Policia e Durrësit është duke punuar për identifikimin e arrestimin e tyre. Ndërkaq, në cilësinë e provës materiale u bllokua edhe mjeti të cilin pengu ishte detyruar ta shiste dhe të firmoste te noteri në këmbim të lirimit të tij. Mjeti është gjendur pasi të arrestuarit treguan vendin ku e kishin fshehur.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ











