
Pelegrinazh në kufirin me Greqinë. “Do kthehemi në tokat tona”
Idrizi: Ky vend do të jetë Meka dhe Jerusalemi i shqiptarëve.
Një memorial për të përkujtuar viktimat e gjenocidit grek ndaj popullsisë çame. Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, Java Çame kulmoi në afërsi të tokës së mbetur në pjesën tjetër të kufirit shtetëror.
Një pelegrinazh që kaloi shifrën e tre mijë pjesëmarrësve nisi mëngjesin e djeshëm nga qyteti i Sarandës, për të përfunduar në mbrëmje në afërsi të Qafë-Botës. Kreu i Partisë për Demokraci e Unitet, Shpëtim Idrizi, deputeti Dashamir Tahiri, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kanë udhëhequr pelegrinët, të cilët pas 68 vitesh rikthehen në rrugën që të afërmit e tyre morën për t’u shpëtuar torturave të ushtarëve të Napolon Zerbës. “Historia nuk fshihet, gjenocidi nuk falet”. “I love Çamëria”. Këto deklarata kanë shoqëruar të gjithë Javën Çame, e cila shënoi dhe vendosjen e gurit për të ndërtuar memorialin në nder të atyre që u masakruan dhe u përndoqën pse kishin lindur në Çamëri. Pothuajse 50 autobusë dhe po kaq e më shumë makina të vogla u nisën rreth orës 16:00 të së shtunës në drejtim të fshatit Kllogjer, disa kilometra para mbërritjes në kufi. Në orën 17:30 ndalesa e parë u bë në fshatin Kllogjer. “Trëndafilat e Çamërisë” ishte poezia që përcolli me ndjenjë për të pranishmit artisti Mirush Kabashi, vargje këto që kthyen edhe njëherë në retrospektivë vuajtjet e atyre mijëra çamëve që u bënë pjesë e gjenocidit grek për t’i ndjekur nga tokat e tyre. Vargjet e goditura përlotën jo vetëm ata të moshuar që edhe këtë vit kishin ardhur për t’u bërë pjesë e këtij pelegrinazhi të përvitshëm, por edhe të rinj, çamë ose jo. Kryetari i PDIU,

Shpëtim Idrizi dhe kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, mbollën një ulli në krah të gurit të vendosur 5 vite më parë me mbishkrimin “Varrezat e Çamëve: Këtu prehen një pjesë e eshtrave të popullatës martire shqiptare të Çamërisë, vdekur nga torturat, plagët, lodhja dhe uria shkaktuar nga përzë nia me dhunë nga trojet e tyre etnike prej gjenocidit grek të viteve 1913-1945”. Idrizi dhe Kurti prenë shiritin e nisjes së punimeve për ngritjen e varrezës monumentale në Kllogjer si përkujtesë e atyre çamëve që gjenocidi grek u mori me tortura nga më monstruozet jetën pa pyetur nëse ishin pleq apo fëmijë. “Këtu vendosëm gurin e mos-harresës dhe ky vend do të jetë tashmë Meka dhe Jerusalemi i shqiptarëve të Çamërisë, që do të vijnë këtu jo vetëm në qershor, por gjatë gjithë vitit për të nderuar kujtimin e atyre që humbën jetën të përndjekur nga tokat e tyre nga Napoleon Zerba, që do të ketë mallkimin tonë, mallkimin e gjithë çamëve, edhe përtej varrit”, u shpreh Idrizi. Pas Kllogjerit marshimi vazhdoi drejt Qafë-Botës. Në orën 20:00 të gjithë pjesëmarrësit, me një flamur të kuq të madh mbi krye, ku ishte shkruar ÇAMERIA, u mblodhën përballë një podiumi gjigand në sfond të të cilit shpërfaqeshin dëshmi të gjenocidit çam. “Jemi këtu në përfundim të Javës së përkujtesës me moton: Unë e dua Çamërinë. Gjatë kësaj jave ne kuptuam se Çamërinë nuk e duan vetëm çamët, nuk e duan vetëm të vjetrit e mbijetuar, që i shpëtuan gjenocidit të

tmerrshëm grek, ne kuptuam se Çamërinë e duan të gjithë shqiptarët. Pak më parë organizuam përurimin e varrezës për 2960 veta, fëmijë, gra dhe pleq, viktima të gjenocidit, megjithëse në tokën tonë. Ne bëmë një akt të detyruar nderimi për njerëzit e gjakut tonë, që gjendeshin në atë varrezë masive. Ne e hoqëm pllakën e turpit të shtetit komunist shqiptar, i cili për 45 vjet nuk u dha një varr atyre qenieve njerëzore që gjendeshin në atë varrezë masive. Ne e mundëm murin e harresës, të neglizhencës për këtë tragjedi të madhe me dy akte, të paraardhësve tanë”, u shpreh Idrizi. “PDIU është forcë politike kombëtariste dhe, për pasojë, ne jemi forcë politike europiane. Në drejtësinë europiane ne do të provojmë se gjenocidi që u krye mbi popullsinë çame duhet riparuar me akte drejtësie. Ne do të tregojmë se ashtu siç iu garantua e drejta e kthimit të gjithë shtetasve grekë, të majtë e të djathtë, që lanë vendin pas Luftës civile greke, ashtu duhet t’i garantohet kjo e drejtë kthimi dhe popullsisë çame. Ne do t’u krijojmë mundësi atyre që duan të kthehen në trojet e tyre”.
BRENGA
Lulëzimi, një burrë rreth të 57-ave, më një qeleshe të bardhë në kokë me mbishkrimin “ÇAMERIA” dhe me një parullë të shkruar në duar, nuk i hiqte për asnjë moment sytë nga kufiri. I përlotur ai iu drejtua turmës: O njerëz, nuk doni ta besoni? 15 minuta larg nga këtu është vendi im, Lopsi. Kam një brengë, gjyshin, Osman e kishte emrin. Ma torturuan grekët, ia morën shpirtin me pahir. Mamaja ime ishte nga Smartja. Vdiqën të dy edhe babai, edhe nëna, me një brengë të patreguar që nuk e panë më vendin e tyre”, u shpreh ai i përlotur.
Kurti: Vullnet për bashkim kombëtar
Bashkë me mijëra marshues, në Kllogjer ishte edhe kreu i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti. “Çamëria është çështje e të gjithëve. Jemi mbledhur këtu të kërkojmë drejtësi. Për më shumë se një shekull kemi qenë të dobët se kemi qenë të ndarë, kemi qenë të ndarë se kemi mbetur të dobët. Ne si shqiptarë kemi nevojë dhe vullnet të ri për bashkim kombëtar nga dëshira dhe shpresa për bashkim. Greqia e sheh të ndarë Shqipërinë, të ndarë nga Kosova dhe do të kafshojë Jugun siç do Serbia të kafshojë Veriun. Shteti duhet ta mbrojë dhe ushqejë kombin”, u shpreh Kurti. Më tej, kreu i Vetëvendosjes theksoi se të gjithë ne kemi obligim që të punojmë për bashkim të kombit. “Feja e shqiptarit është shqiptaria, dhe nuk ka alternativë tjetër”, u shpreh më tej Kurti.
Dashamir Tahiri: Djemtë çamë në Parlament
Deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri, duke drejtuar dorën në drejtim të pikës kufitare greke të Mavromatit, u premtoi pjesëmarrësve se një ditë do ta zgjidhin çështjen çame. “Të nderuar shqiptarë të Shqipërisë tonë etnike. Këtu matanë nesh kemi disa zotërinj që ruajnë tokën tonë apo disa policë që mund të kenë 6 muaj pa marrë rrogën e tyre. Greku nuk e heq nga koka megalo-idenë e tyre. Ne kemi 68 vjet, por edhe 680 vjet të kalojnë këtu na kanë dhe ne do ta zgjidhim çështjen tonë. Nëse sot janë pak djem të Çamërisë në Parlamentin shqiptar, nesër do të ketë më shumë”, u shpreh deputeti Tahiri gjatë fjalës së tij para qytetarëve rreth 3 mijë qytetarëve të Çamërisë që ishin mbledhur dje në përkujtim të viktimave nga gjenocidit grek.
SARANDE/ SHPRESA DINE
© Panorama.al











