Skënderbeu duhet të fitojë së pari “luftën” me Tiranën për të marrë shërbimet e sulmuesit Pero Pejiç. Burime të sigurta pranë lojtarit treguan dje për “Panorama Sport” se klubi bardheblu duket më konkret. Pas shitjes së Bekim Balës te Sparta e Pragës, Tirana i është rikthyer interesimit për kroatin, dhe gjasat janë që t’i plotësojë të gjitha kushtet që ai kërkon. Nga ana tjetër, drejtuesit e Skënderbeut, edhe pse kanë shprehur hapur interesimin për Pejiçin, ende nuk kanë bërë një lëvizje konkrete. Agjenti i lojtarit Elton Marini, mësohet se u ka kërkuar krerëve të klubit korçar të shpejtojnë nëse duan të afrojnë Pejiçin. Ditët e ardhshme pritet të ketë diçka konkrete për të ardhmen e ish-sulmuesit të Flamurtarit. Gjithsesi, Tirana duket më pranë, në një kohë që edhe vetë Pejiç dëshiron të jetë në kryeqytetin shqiptar. Skënderbeu mund ta joshë vetëm me një mega-ofertë.
Serbi – Klubi korçar pritet t’i ofrojë rinovimin e kontratës mbrojtësit serb, Ivan Gvozdenoviç, mirëpo ky i fundit mësohet se ka vendosur të kërkojë rritje page. “Nëse Ivanit nuk i ofrohet një kontratë në masën 20% më të madhe se e ajo e sezonit të kaluar, me siguri do të nënshkruajë për një klub tjetër”, tha dje një burim i sigurt pranë futbollistit. Serbi merr një pagë prej 4 mijë eurosh në muaj te Skënderbeu. Pas përfundimit të sezonit, ish-skuadra e tij, Tirana, mësohet se i ka bërë një ofertë zyrtare. Tashmë 33-vjeçari do të dëgjojë një herë shifrën që do t’i ofrojë presidenti Zeqo dhe më pas do të vendosë.











