Pejiç 2 gola, Flamurtari kalon lehtësisht Vllazninë

Feb 6, 2012 | 11:46

Ndeshja e djeshme, Kamza-Bylisi 0-0

Barazim pa gola në periferi të kryeqytetit, Kamza e Bylis s’dinë të shënojnë

Vlonjatët kapin kuotën e zero pikëve, pasi mundin Vllazninë

Flamurtari ka mundur Vllazninë në ndeshjet e dyta në grupe të Kupës së Shqipërisë, falë dopietës së pero Pejiçit, ndërsa kamza dhe Bylisi kanë ndarë nga një pikë në barazimin pa gola. Vlonjatët kanë kompensuar shpejt tri pikët e hequra në renditjen e Kupës nga Komisioni i Disiplinës, pas problematikës që shoqëroi ndeshjen e parë, luajtur në Pogradec me Skënderbeun. Kështu, momentalisht Flamurtari ka zero pikë, edhe pse fitoi dje me meritë ndaj Vllaznisë në fushën e vet. Në fakt, takimi ka qenë edhe një lloj shpagimi nga ana e vlonjatëve, të cilët donin të tregonin me çdo kusht që, edhe pse u dënuan, kanë shanset e tyre reale për t’u kualifikuar në këtë kompeticion. Duke qenë se janë në dispozicion edhe katër ndeshje në Grupin B, skuadra e drejtuar nga Shkëlqim Muça ka jo vetëm matematikisht shanse për të kapur të paktën vendin e dytë në renditje dhe për t’u kualifikuar për në gjysmëfinale. Ndaj pritej që dje të shihej një Flamurtar agresiv që në minutat e para dhe ashtu ndodhi. Skuadra e Muçës zgjidhi gjithçka që në 45 minutat e para, falë dy golave të sulmuesit kroat, Pero Pejiç, i ardhur në Vlorë në merkaton e janarit. Fillimisht, gjiganti i sulmit kuqezi ktheu në gol një penallti të fituar nga mesfushori Gerhard Progni, i penguar në mënyrë të parregullt në zonën kuqeblu nga mbrojtësi shkodran, Olsi Gocaj. Më pas, kur duheshin diçka më pak se 10 minuta nga fundit i fraksionit të parë të lojës, Pejiç dyfishoi rezultatin. Në pjesën e dytë, trajneri i Vllaznisë, Rudi Vata, mundohet të rifreskojë diçka në repartin e sulmit, teksa hedh në lojë që në minutën e 46-të të rinjtë Gjini dhe Karakaçi.
Gjithsesi, ndonëse loja e shkodranëve u bë disi më e gjallëruar, ajo nuk pati rrezikshmërinë e duhur, çka u lejoi vendësve të kontrollonin dhe arkivonin një trepikësh të rëndësishëm për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim. Ndërsa në Kamzë, vendësit e trajnerit De Vekis nuk ia kanë dalë dot ndaj Bylisit, duke u frenuar në një barazim pa gola. Në fakt, edhe në ndeshjet e para në grup si Kamza dhe Bylisi nuk arritën të shënonin, por as edhe të pësonin ndaj ruajtën të njëjtat pozicione në Grupin A. Në këtë grup kryeson Tirana me 4 pikë, pas fitores së arritur pardje në “Qemal Stafa” ndaj Kastriotit. Për sa i përket kronikës së ndeshjes së djeshme, Kamza e nisi me dy sulmues- Pema e Malindi – nga minuta e parë, por edhe kjo lëvizje e trajnerit italian, Mauro de Vekis nuk dha rezultat. Nga ana tjetër, tekniku i Bylisit, Naxhi Shansoji, mendoi më shumë që të mos pësonte duke luajtur me 4 mbrojtës, 5 mesfushorë dhe vetëm një sulmues të deklaruar: Fjodor Xhafën. Kjo mënyrë loje, falë patrullimit të dendur të mallakastriotëve në repartin e mesfushës, i krijoi mjaft probleme Kamzës. Kështu, barazimi i bardhë i fillimit të lojës ka mbetur i pandryshuar deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit kryesor, Enea Jorgji.

Sulmuesi/ Efekti “Pejiç”: I lumtur që shënova
Flamurtari ka gjetur goleadorin që kërkonte. Pas afrimit të Pero Pejiçit në merkaton e janarit, duket se sulmi i kësaj skuadre është bërë i frikshëm. Në takimin e djeshëm, sulmuesi kroat shënoi dy golat e vetëm të sfidës, duke u bërë kështu protagonist. “Jam mjaft i emocionuar që e nisa me fitore dhe për më tepër që jam pikërisht unë protagonisti i kësaj fitoreje. Golin ia dedikoj të gjithë ekipit dhe sportdashësve. Është rasti më i mirë që unë të premtoj se do t’i sjell të tjera fitore Flamurtarit. Jam shumë i lumtur, nuk di ç’të them më tepër. Ky është vetëm fillimi, jam i sigurt se tifozët do shikojnë edhe mjaft gola të tjerë”, – ka thënë Pejiç. Duhet thënë se skuadra ka krijuar një lloj varësie nga sulmuesi, aq sa në momentin kur ai nuk është në fushë, atëherë nuk bën dot përpara.

Kupa e Shqipërisë
Grupi A

Pardje
Tirana-Kastrioti        2-0
Shënues: G.Lika 74′, Aziri 90+1′
Dje
Kamza-Bylisi        0-0

Renditja
Tirana 4 pikë, Bylis dhe Kamza nga 2 pikë, Kastrioti 1 pikë.

Grupi B
Pardje
Laçi-Skënderbeu        1-2
Shënues: Sefgjini 33’/ D.Xhafaj 79′, Shkëmbi 81′ (p)
Dje
Flamurtari-Vllaznia    2-0
Shënues: Pejiç 18′ (p), 38′

Renditja
Skënderbeu 6 pikë, Vllaznia 3 pikë, Laçi dhe Flamurtari 0 pikë.

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura