Pediatria infektive, prindërit blejnë vetë edhe shiringat

Aug 14, 2011 | 10:28

Shiringat që pacientët i blejnë vetë

“Nuk kishte as serume. Kam 13 ditë që ia blej tim biri”

Pediatria infektive në spitalin “Nënë Tereza” ka gjatë këtij sezoni fluksin më të madh të pacientëve. Fëmijë të sëmurë me viroza dhe infeksione të tjera, që gjatë verës merren fare kollaj.Shumë prej tyre shfaqin format më të rënda të këtyre sëmundjeve dhe u duhet të qëndrojnë për ditë të tëra në spital. Dje, në të tri katet e pediatrisë infektive, shtretërit ishin thuajsë të gjithë plot. Higjiena nuk ka të sharë në këtë shërbim dhe këtë e dëshmonin tri sanitaret, të cilat nuk e hoqën fshesën nga dora, për aq kohë sa qëndruam aty. Në dhoma, prindërit u rrinë tek koka fëmijëve të sëmurë. Në katin e tretë, serumet kanë ardhur tri ditë më parë. Për 13 ditë me radhë, një prej prindërve që ka shtruar të birin na tregon se i ka blerë vetë dhe ato. “Pardje erdhën, i kam blerë vetë gjatë gjithë këtyre ditëve. Imagjino kur nuk ka dhe serume, të mos flas për të tjerat. Dy javë këtu kam paguar për çdo gjë”, thotë i ati i 10-vjeçarit të shtruar me një sëmundje të rëndë infektive. Zbresim një kat më poshtë. Aty prindërit na tregojnë qeset me shiringa e vigonë. Të gjitha të sjella nga farmacitë private aty pranë. Nënat nuk e fshehin indinjatën. Ka nga ato që kanë lënë punën për t’u qëndruar pranë

Një nga nënat duke treguar ilaçet e blera

fëmijëve dhe nuk kanë mundësi të blejnë ilaçet. “Unë i kam të dy të shtruar këtu. Te dhoma tjetër kam djalin, sot solla vajzën me infeksion të rëndë viral. Djalit përpara dy ditësh i bleva 50 mijë lekë ilaçe, ndërsa sot burri bleu të gjitha këto për vajzën. Kam lënë punën, se duhet të rrimë me radhë këtu. Spitali nuk ka asgjë”, thotë njëra nga nënat që ka të dy fëmijët të shtruar tek infektivi i pediatrisë. Në dhomat ngjitur është e njëjta situatë. Nga sirtarët e komodinave të gjithë prindërit nxjerrin qeset me ilaçe e shiringa që kanë blerë paradite. “Ja këtë e bleva sot, më kushtoi 16 mijë lekë. Dy ditë kam që kam ardhur. Hape sirtarin, nuk kam asgjë për të ngrënë për vetë, se nga paratë e bukës po ia blej ilaçet djalit. Këta s’të japin as përgjigje dhe s’të shohin me sy, po nuk u dhe lekë”, thotë një tjetër nënë që ka të shtruar të birin 4-vjeçar. Ankesat janë pa fund nga të gjithë prindërit. Disa flasin më hapur, të tjerë me sytë nga dera se mos hyn ndonjë nga personeli mjekësor. “Kam një javë këtu. Mund të kem marrë nga spitali 2-3 ilaçe. Antibiotikët, shiringat, vigonët, çdo gjë tjetër i kam blerë vetë. Të dy, burrë e grua, paguajmë sigurime shëndetësore. Po shëndetësia ka marrë fund”, kështu shprehet një tjetër prind në katin e parë, ku ndodhet kardiologjia pediatrike dhe ajo e përgjithshme. Sa e thellë është kriza e barnave tek “Nënë Tereza” e dëshmojnë më mirë fotot.

200 fëmijë
në ditë paraqiten në spital me viroza të stinës. Pjesa më e madhe e tyre trajtohen dhe kthehen në shtëpi, ndërsa format më të rënda qëndrojnë për disa ditë në spital.

5 mijë lekë
u kushtojnë mesatarisht prindërve ilaçet për fëmijët e shtruar në Pediatrinë infektive të spitalit “Nënë Tereza”. Një pjesë e mirë e tyre nuk kanë mundësi të paguajnë për to.

 

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura