Pedagogu: Do i ktheja paratë e studentëve

Jul 8, 2012 | 12:08
Pedagogu Pëllumb Kllogjeri, i shoqeruar nga togat e policise

ELBASAN – “Ishte kurth. Jam i pafajshëm”. Në mes lotësh ka dhënë dëshminë e tij para trupit gjykues profesori i Matematikës, Pëllumb Kllogjeri, i cili u arrestua në ambientet e Universitetit të Elbasanit të martën për marrje ryshfeti. Pas 4 ditësh nga prangosja e tij, 61-vjeçari ka folur për herë të parë mbi akuzën e korrupsionit, duke mohuar që të ketë kërkuar apo marrë para nga studentët e tij. Seanca në ngarkim të tij u zhvillua në zyrën e gjykatësit Ramazan Avdia, i cili vendosi masën e sigurisë arrest shtëpie për profesorin. Nga ana e tij, prokurori Alfred Shehu kërkoi masën e arrestit me burg gjatë hetimit të çështjes, pasi sipas tij vepra penale përbën rrezikshmëri dhe prish imazhin e stafit të Universitetit të Elbasanit. Avokati mbrojtës, Altin Ago, ka hedhur poshtë akuzat e bëra ndaj klientit të tij dhe i kërkoi trupit gjykues që për shkak të personalitetit të lartë të pedagogut të Matematikës, figurës së tij si njeri pa precedentë penalë dhe prej një qytetari të nderuar, kërkoi që Gjykata të japë një masë sigurie sa më të butë, atë të “detyrim paraqitje”. Pasi ka dëgjuar dëshmitë e palëve, gjykatësi vendosi arrest shtëpie për Kllogjerin, pasi në këtë mënyrë sipas tij shmanget kryerja e funksioneve të mëtejshme të dyshuari.

DËSHMIA E PLOTË E PEDAGOGUT NË GJYQ
“I nderuar Gjykatës, falënderoj Perëndinë që ju ka dhënë ju zgjuarsinë dhe logjikën. Dua të sqaroj disa gjëra në lidhje me ato që tha prokurori i çështjes lidhur me rastin tim. Dua të them se asnjëherë në jetën time nuk kam qenë person që u kam vendosur kushte studentëve, por u kam bërë vetëm favore. Lidhur me çështjen e V.Gj., ku edhe unë jam akuzuar dhe jam arrestuar, studentja kishte provimin e Matematikës në datën e caktuar dhe rezultoi jo kaluese. Pas një jave, me ndërmjetësimin e dekanatit dhe sekretariatit, u caktua një datë tjetër provimi për ta ridhënë këtë provim të gjithë studentët e vitit të dytë që nuk e kishin kaluar. Data u caktua më datë 30 qershor. Përgjigjen studentët do ta merrnin ditën e nesërme të provimit. Studentja V.Gj. nuk u paraqit dhe ditën e hënë u paraqit bashkëshorti i saj. Erdhi në zyrë dhe më pyeti në lidhje me provimin dhe meqenëse provimin e kisha korrigjuar, i thashë që studentja ishte jo kaluese. Ai nisi të flasë dhe në zyrë ishte i pranishëm dhe një tjetër pedagog. Ai m’u lut që ta ndihmoja për t’i dhënë provimin. Unë i thashë që është jo kaluese dhe u largova nga zyra. Ditën tjetër, ditën e martë në orën 11:00, ai erdhi sërish në zyrë dhe filloi sërish duke më thënë: “Pse nuk e kalon, më ndihmo, jemi në hall”, por nuk diskutoi për para. Asnjëherë nuk kam folur me të për lekë. Dhe unë nisa që t’i them pse e bëni me kaq nxitim, mund ta japë edhe në muajin shtator, në vjeshtë e shikojmë edhe një herë. Doja që t’i tregoja fletoren e studentes, dhe në tavolinë kisha edhe fletore të studentëve të tjerë të ndarë në grupe nga provimi. Po kërkoja fletoren për të parë se çfarë ka bërë studentja për t’ia treguar dhe në këtë kohë e them me të gjithë zemër dhe pa gënjeshtra, se shtetasi B.Gj., ka futur në një nga fletoret e studentëve që kisha në tavolinë zarfin me 10 mijë lekë të rinj, në kohën që unë po kërkoja fletoren. Këtë gjë unë e kuptova në momentin ku ai doli nga zyra ime dhe më tha: Bëj çfarë të duash, ti e ke në dorë. Në këto momente në zyrë erdhën dy studentë të tjerë që kërkonin rezultatin e notës dhe pas tyre erdhi grupi i Policisë, duke më thënë se do të bëjmë kontroll, direkt në fletoren që kishte futur bashkëshorti i studentes paratë. Në atë moment e kuptova se kush ma kishte bërë këtë, dhe iu drejtova edhe Policisë, tani e kuptova se kush ma ka bërë këtë kurth. Më bën përshtypje se pse të ma bënte mua këtë ai person, kur unë e kisha kaluar një herë bashkëshorten e tij. Në lidhje me deklaratat e prokurorit, nuk jam aspak dakord. Më besoni se të gjithë zarfet janë të futura nga provimet që kanë bërë studentët dhe unë i kisha ato fletore në sirtar. I kisha lënë për t’ua kthyer, por studentët nuk ishin paraqitur për të marrë përgjigjen dhe nuk kisha bërë denoncim për to, pasi i prisja që t’u kërkoja llogari se pse më kishin futur në fletoret e provimeve para, pasi unë nuk ua kisha kërkuar ato. Së fundmi, ju përgjërohem, pushoni çështjen time. Duhet të më kuptoni, ju përgjërohem, jam i pafajshëm, mendoni si për veten tuaj”.

MIRANDA SADIKU

© Panorama.al

Te lidhura