
Një pedagog i Fakultetit të Inxhinieri Minierave dërgohet në Gjykatë me akuzën e “korrupsionit pasiv të funksionarëve që ushtrojnë funksione publike”.Sotir Tego, nga Fieri dhe banues në Tiranë është i pandehuri i dosjes së Prokurorisë së Tiranës, (Njësia Task-Forcë Antikorrupsion). Fashikulli me provat e mbledhura gjatë hetimit është dërguar në Gjykatën e Tiranës, pas përfundimit të hetimeve nga prokurori Ndini Tavani. E gjithë historia ka ndodhur në shtator të vitit 2010, gjatë sezonit të provimeve të vjeshtës. Sipas dosjes së dorëzuar në Gjykatë nga Prokuroria, studentja me iniciale S.Ibro ka qenë përsëritëse në Fakultetin e Inxhinieri Minierave, Universiteti Politeknik në Tiranë. Gjatë hetimeve, Prokuroria ka provuar se ajo ka hyrë në provim plot 15 herë në lëndën “Mekanika e Fluideve 2”, por asnjëherë nuk ka arritur të marrë një notë kaluese. Për shkak se nuk kishte arritur asnjëherë të merrte provimin, studentja në fjalë është interesuar për të dhënë testimin e radhës në sezonin e vjeshtës në shtator 2010. Lënda në të cilën ajo kishte mbetur 15 herë jepej nga Sotir Tego, me detyrë pedagog i “Mekanikës së Fluideve” pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Minierave.
Korrupsioni me provimet
Sipas hetimit, Prokuroria ka mësuar se studentja S.Ibro, para se të hynte në provim, kishte marrë vesh se mënyra e vetme për të kaluar në lëndën e Sotir Tegos ishte të takonte vëllain e pedagogut, shtetasin Pandeli Tego. Edhe studentë të tjerë të fakultetit kishin pohuar se e vetmja mënyrë për kalimin e lëndës ishte takimi me vëllain e pedagogut dhe dorëzimi tek ai i një shume parash. Nisur nga këto informacione që ka marrë studentja, S.Ibro ka vendosur të veprojë në të njëjtën mënyrë. Ajo ka hyrë në kontakt dhe takimi në fjalë, me vëllain e pedagogut, ka ndodhur në qytetin e Fierit. Sipas të dhënave të mbledhura nga hetimi, Pandeli Tego, vëllai i pedagogut të Inxhinierisë së Minierave në Tiranë, ka kërkuar 3 mijë euro. Sipas dëshmitarëve, këtë shumë ai e ka marrë në prani të motrës së studentes, shtetases A.Ibro. Nga hetimet është mësuar se, pasi ka marrë paratë, vëllai i studentes i ka premtuar vajzës përsëritëse se do të merrte notë kaluese në provim. Prokuroria ka verifikuar se pasi ka dhënë 3 mijë eurot, studentja ka hyrë në provim në datën 13 shtator 2010. Më pas ka rezultuar se ajo e kishte marrë provimin, në të cilin kishte ngelur plot 15 herë, por kishte dalë me notë minimale 5.
Hetimi
Pikërisht, nota 5 e vënë nga pedagogu Sotir Tego për studenten që kishte paguar 3 mijë euro ryshfet, është bërë shkak për zbulimin e gjithë historisë. Disa ditë pasi mësoi notën e marrë, studentja iu drejtua mediave për të denoncuar korrupsionin e pedagogut të saj. Në shtator 2010, ajo denoncoi ngjarjen pranë emisionit “Fiks Fare” dhe pas publikimit të rastit, Policia dhe Prokuroria filluan menjëherë hetimet. Çështja është hetuar fillimisht në qytetin e Fierit, ku vëllai i pedagogut kishte marrë paratë dhe më pas është vënë në lëvizje edhe njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës, për shkak se abuzimi me detyrën ishte kryer nga pedagogu në kryeqytet. Pas përfundimit të hetimeve, dosja penale është dorëzuar në gjykatë.
3 MIJE euro ka qenë shuma e parave që pedagogu dhe vëllai i tij kanë kërkuar nga studentja për provimin e “Mekanikës së Fluideve”. Pagesa e parave është bërë në Fier, disa ditë pas provimit të zhvilluar në Tiranë
Studentja ngeli pas denoncimit
TIRANE – Historia e studentes S.Ibro nuk mbaron me pagesën e 3 mijë eurove dhe marrjen e notës 5 në provimin e “Mekanikës së Fluideve”. Në këtë kohë, në korridoret e Fakultetit të Inxhinierisë së Minierave, në këndin e njoftimeve ishte vënë shpallja e rezultateve të provimit, në të cilat studentja S. Ibro, sipas procesverbalit, kishte marrë notën kalues 5. Në mesin e muajit shtator, pasi mori vesh lajmin se kishte kaluar provimin në të cilin ngelej prej 15 herësh, e pa kënaqur nga nota 5, ajo e denoncoi ngjarjen në media. Pas kësaj, pedagogu Sotir Tego ka menduar të hakmerret. Sipas Prokurorisë, studentja e ka dhënë provimin në lëndën “Mekanika e Fluideve” më datën 13 shtator 2010. Më pas, ajo ka parë shpalljen në korridorin e Fakultetit, ku ka vënë re se kishte marrë notën kaluese 5. Kjo notë, sipas Prokurorisë, ishte shënuar në procesverbalin e rezultateve të provimit të vendosur nga pedagogu Sotir Tego. Procesverbali theksonte se studentja ishte vlerësuar me 50 pikë dhe ka marrë notën 5. Nga hetimet, është mësuar gjithashtu se provimi është zhvilluar nga studentja në një fletore me numër rendor 16, ku ajo kishte shënuar përgjigjet e saj në lidhje me pyetjet e lëndës. Por, pas denoncimit të korrupsionit në media, pedagogu dyshohet se ka menduar të hakmerret ndaj studentes në mënyrën më të keqe dhe po ashtu edhe të humbasë gjurmët e korrupsionit. Kështu, menjëherë pas denoncimit të bërë në media, Prokuroria thekson se pedagogu ka falsifikuar të dhënat e fletores së studentes. Ai ka hequr fletën në të cilën kishte shënuar notën 5. Konkretisht, ai ka grisur nga fletorja fletën e parë të saj, identifikuar me shifrën 16. Në vend të fletës së hequr, pedagogu ka vënë një fletë tjetër, në të cilën ka vendosur vlerësimin me notën ngelësh, 4. Sipas hetimeve të Prokurorisë, krahas ndryshimit të fletës, pedagogu Sotir Tego ka ndryshuar edhe vlerësimin në pikë, duke i lënë studentes vetëm 40 pikë, ndryshe nga numri prej 50 pikësh që i kishte dhënë më parë.
Vëllai i pedagogut u dënua nga Gjykata e Fierit për ryshfetin
TIRANE – Pedagogu i Inxhinierisë së Minierave, që dërgohet i pandehur në gjyq me akuzën e “korrupsionit”, nuk është i vetmi i pandehur për historinë e studentes që ka ngelur 15 herë në provim. Vëllai i pedagogut, i akuzuar se ka kryer rolin e sekserit duke marrë para nga studentët, është arrestuar më 18 shtator 2010 nga Policia e Fierit. Policia e Fierit ka deklaruar se 51-vjeçari, Pandeli Tego, me profesion topograf, është hetuar për disa muaj pas denoncimit në emisionin “Fiks Fare”. Për shkak se është provuar se ai kishte marrë 3 mijë euro nga studentja e vëllait të tij në Tiranë, 51-vjeçari është arrestuar më 18 shtator 2010. Sipas Policisë, gjatë hetimeve ishte arritur të fiksohej momenti kur ai ka marrë paratë nga motra e studentes brenda në makinën e tij. Për këtë aktivitet të paligjshëm të kryer për disa kohë, vëllai i pedagogut, shtetasi Pandeli Tego, është shpallur fajtor dhe është dënuar nga Gjykata e qytetit të Fierit. Ndërkohë, pas dënimit të tij në Fier, hetimi për këtë çështja ka vazhduar në Prokurorinë e Tiranës, për pjesën e krimit të ndodhur në kryeqytet.
Trazhgim Sokolaj
© Panorama.al











