Peci, në Gjermani me 4 plumba

Feb 24, 2012 | 11:33

Aleksandër Peci, komandoja i plagosur në Afganistan

Nëntetar Aleksandër Peci transferohet në një spital amerikan të NATO-s në Gjermani.

Gërveni: Komunikon me vështirësi, ka një plagë në nofull.

Nëntetar Aleksandër Peci u dërgua dje me avion nga Afganistani në Gjermani për një mjekim më të specializuar për plagët që mori katër ditë më parë, kur u sulmua së bashku me një patrullë nga policia lokale. Kundëradmiral Kristaq Gërveni konfirmoi për gazetën se gjendja e ushtarit shqiptar është e mirë dhe ajo do të përmirësohet shumë shpejt. Sipas tij, Peci ka probleme me komunikimin për shkak të plumbit të marrë në nofull, por shtoi se spitali ka eksperiencën e duhur për t’i trajtuar këto raste.
Njoftimi i Ministrisë
Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur përmes një komunikate për shtyp, se gjatë mëngjesit ai mbërriti në Spitalin Ushtarak Amerikan në Landstuhl, në Gjermani, ku do të qëndrojë aty deri në rikuperimin e plotë. “Nëntetar Aleksandër Jak Peci, i shoqëruar nga një ekip mjekësh të specializuar, është transportuar nga Spitali Amerikan i Bazës Ajrore të Bagramit, në veri të Kabulit, drejt Gjermanisë. Në orën 8:45 ka mbërritur në Spitalin Ushtarak Amerikan në Landstuhl, në Gjermani”, thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë. Sipas këtij institucioni, “nëntetar Peci është pritur nga përfaqësuesi ynë ushtarak në Shtabin e NATO-s në Bruksel, kundëradmiral Kristaq Gërveni dhe përfaqësuesi ushtarak në Komandën e ACO, kolonel Pirro Ahmetaj”.
Kristaq Gërveni
Ndërkohë, përfaqësuesi ynë ushtarak në Shtabin e NATO-s në Bruksel, kundëradmiral Kristaq Gërveni, konfirmoi mbrëmë për gazetën “Panorama” se mjekët kanë dhënë garanci për një shërim të shpejtë të nëntetar Pecit. “Në momentet e para kur erdhi në spital në Gjermani iu bënë të gjitha shërbimet. Raporti i parë i mjekëve vlerësohet që është në gjendje të mirë. Ka katër plumba, por të gjitha plagët janë në shërim e sipër. Pas tri orësh, sepse në momentet e para iu bënë të gjitha shërbimet me aparatura, komunikuam me Aleksandrin. Komunikon me vështirësi për shkak të plumbit që ka marrë në nofull. Megjithatë, situata është e mirë dhe ka shpresë që të përmirësohet shpejt”, tha kundëradmiral Gërveni. Në të njëjtën kohë ai u shpreh se në Gjermani interesimi për shëndetin e Pecit është shumë i madh. Gjatë mbrëmjes së djeshme ai është vizituar nga ambasadori ynë në NATO, Artur Kuko, si dhe ambasadori ynë në Gjermani, Valter Ibrahimi. “Është dëmtuar në fytyrë, por nuk ka nevojë për operacion. Ata e kanë në ndjekje të vazhdueshme, të gjitha këto rastet trajtohen atje. Interesimi është maksimal. Tani pasdite ka shkuar ambasadori ynë në NATO dhe ambasadori në Gjermani. Edhe nga pala amerikane interesimi është shumë i madh. Mjekët kanë thënë që do të shërohet shpejt dhe shenjat janë të mira”, përfundoi prononcimin për gazetën Gërveni. Në të njëjtën kohë edhe zv.ministri i Mbrojtjes, Arjan Starova, konfirmoi se gjendja e Pecit është drejt përmirësimit dhe në Spitalin Amerikan në Gjermani mjekët do të kujdesen në mënyrë të specializuar për fytyrën.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura