Komandoja Peci jashtë rrezikut për jetën, del nga koma

Feb 23, 2012 | 13:34

Aleksandër Peci, komandoja i plagosur në Afganistan

Nëntetari pritet të transportohet për kurim në spital në Gjermani. Ministria: S`ka rrezik për jetën.

Komandoja i plagosur operohet për herë të dytë në veri të Kabulit.

Komandoja shqiptar, Aleksandër Peci, i plagosur të hënën në Kandahar të Afganistanit, është jashtë rrezikut për jetën. Gjendja shëndetësore e ushtarakut special shqiptar të plagosur me tre plumba është përmirësuar më tej ditën e djeshme. Lajmi është bërë i ditur dje nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. “Ju bëjmë me dije se nëntetar Aleksandër Peci është transferuar në spitalin ushtarak amerikan në bazën ajrore të Bagramit, në veri të Kabulit, një spital me personel shumë të kualifikuar për ndërhyrje kirurgjikale të vështira”, thuhej dje në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes në orët e pasdites. Sipas dikasterit në fjalë, nëntetar Peci i është nënshtruar edhe një operacioni tjetër, i cili ka zgjatur disa orë. Bazuar në raportimet e mbërritura nga Afganistani, Ministria dhe Shtabi theksuan se operacioni ka dalë me sukses të plotë dhe aktualisht gjendja shëndetësore e Aleksandër Pecit është shumë e mirë. “Ai tashmë ndodhet tërësisht jashtë rrezikut dhe funksionet e tij jetësore janë duke u kthyer në normalitet”, thuhet, ndër të tjera, në komunikatën zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes. Sipas saj, pasi gjendja shëndetësore e oficerit të jetë në nivel të qëndrueshëm për të përballuar kushtet e udhëtimit, ai do të transferohet për një trajtim mjekësor më të gjatë dhe më të hollësishëm në Gjermani.
Plagosja në mision
Aleksandër Peci, 24 vjeç, u plagos me tre plumba pak pas mesditës së hënë teksa ndodhej në mision bashkë me Feti

Vendi ku u sulmuan komandot shqiptarë në Afganistan

Voglin, i cili gjeti vdekjen. Ngjarja ndodhi në fshatin Robat, zonë e Kandaharit në Afganistan. Trupat speciale të ushtrisë shqiptare ndodheshin në patrullim duke shoqëruar personelin amerikan të USAID-it, që po lëvizte në zonë për hapjen e disa shkollave. Në këtë kohë, një efektiv i Policisë afgane ka shtënë me armë në drejtim të trupave paqeruajtëse. Në vendngjarje ka pasur një shkëmbim zjarri, nga i cili, sipas raportimeve, ka pasur të plagosur nga të dyja palët. Pas disa minutash bilanci ka qenë tragjik për trupat shqiptare që kishin humbur kapitenin Feti Vogli. Ai kishte gjetur vdekjen në vend, por kolegu i tij, Aleksandër Peci, edhe pse kishte marrë tre plumba në trup, ishte ende në jetë. Ministria e Mbrojtjes në Tiranë njoftoi fillimisht ndarjen e tij nga jeta e më pas u detyrua të përgënjeshtrojë deklaratën e parë, duke pohuar se Aleksandër Peci, për fat të mirë, ishte në jetë. Që atë natë ai iu nënshtrua një operacioni paraprak në spitalin e bazës amerikane në Kandahar. Mjekët konfirmuan se 24-vjeçari shqiptar kishte shpëtuar me organe jetësore të paprekura. Ai kishte marrë tre plumba, në pjesën e qafës dhe të mesit, duke pësuar dëmtime të legenit të këmbëve. Pas operacionit të parë, Aleksandër Peci është transportuar në bazën ajrore të Bagramit, në veri të Kabulit, ku i është bërë operacioni i dytë, që ka dalë me sukses. Nëntetar Peci, ushtarak i dalluar, edhe pse në moshë të re, ndodhej në misionin e tij të parë jashtë Shqipërisë si efektiv paqeruajtës.
Ushtaraku
Nëntetar Aleksandër Jak Peci ka lindur më 26.09.1988, në fshatin Lekbibaj të Tropojës dhe është banues në Bathore, Tiranë. Pasi mbaroi shkollën e mesme në Bathore është titulluar ushtarak aktiv me gradën “Profesionist i parë” në Repartin Ushtarak Nr. 1001. Pas kryerjes me sukses të Kursit Bazë të Forcave Speciale, më 16.01.2011 është bërë pjesë e Batalionit të Forcave Speciale, me detyrë specialist armatimi në Grupin e Parë Special të Kompanisë së Aksioneve Speciale Ujore në Batalionin e Forcave Speciale. Nëntetar Aleksandër Peci është një ushtarak i dalluar për disiplinë dhe moral të lartë në kryerjen e detyrave të ngarkuara nga eprorët e tij. Nga data 16.01.2012, nëntetar Peci është dërguar me mision luftarak “Eagle-4”, në përbërje të Batalionit të Forcave Speciale në Kandahar, Afganistan.

Sot, riatdhesimi i trupit të kapiten Feti Voglit

Ceremonial nderi në Rinas, ushtaraku do prehet te “Dëshmorët”
Procedurat e NATO-s shtyjnë kthimin në atdhe të heroit

Oficeri i vrarë në Afganistan, Feti Vogli

Institucionet e shtetit në Tiranë kanë bërë përgatitjet e rastit për nderimin e heroit të Ushtrisë shqiptare, Feti Vogli, i rënë në detyrë në Afganistan në fillim të kësaj jave. Sipas burimeve zyrtare, trupi i pajetë i kapiten Voglit mbërrin ditën e sotme në Tiranë. Burimet nga Ministria e Mbrojtjes kanë thënë se trupi i Feti Voglit mbërrin sot në Shqipëri përmes një organizimi të NATO-s, në një aksion që njihet si dërgim strategjik, për të cilin përdoret një avion i posaçëm i Aleancës. Zyrtarët nuk kanë dhënë informacion në lidhje me detajet për orën e mbërritjes së trupit të pajetë. Ceremonia e parë, ajo e heshtjes, do të zhvillohet nga Ministria e Mbrojtjes në Aeroportin e Rinasit, e më pas trupi do t’i çohet familjes për nderimet private. Ceremoniali do të zhvendoset në hollin e Pallatit të Kongreseve, për ta dërguar më pas trupin në Varrezat e Dëshmoreve të Kombit, ku edhe do të varroset. Në nderime pritet të marrin pjesë krerët më të lartë të shtetit dhe përfaqësuesit e Trupit Diplomatik. Në mbrëmje mësohet se do të ketë një darkë të posaçme për trupat e Ushtrisë, përfaqësues të qeverise dhe ambasadave të huaja në Shqipëri.
Kapiteni
Kapiten Feti Vogli, lindur më 23.05.1981, në fshatin Baldushk të rrethit të Tiranës, ishte i martuar dhe nga martesa e tij me zonjën Alva ka një vajzë 3 vjeçe me emrin Egi. Pas mbarimit të Akademisë Ushtarake në specialitetin Artileri Tokësore, ai u bë pjesë e Forcave të Armatosura, me detyrë komandant toge në Brigadën e Stërvitjes të Bazës, Bunavi. Pas kryerjes me sukses të kursit Bazë të Forcave Speciale më 16 korrik 2005, është bërë pjesë e Batalionit të Forcave Speciale me detyrë komandant Grupi. Nga data 1 qershor 2010 kryente detyrën e komandantit të Grupit të Parë Special në Kompaninë e Aksioneve Speciale Ujore. Kapiten Feti Vogli ishte një ushtarak karriere i shkëlqyer dhe si rezultat i arritjeve në detyrë është dekoruar disa herë me medalje të ndryshme si: “Medalja e karrierës” në vitin 2007 nga komandanti i Forcës së Bashkuar, “Medalja për shërbime ndërkombëtare” nga ministri i Mbrojtjes në vitin 2007, “Medalje për shërbime të shquara” nga ministri i Mbrojtjes në vitin 2010. Nga data 16 janar 2012 është dërguar me mision luftarak “Eagle 4” në përbërje të Batalionit të Forcave Speciale në Kandahar të Afganistanit.

Qeveria, një minutë heshtje
Me kërkesë të Kryeministrit Sali Berisha, qeveria, në hyrje të mbledhjes së djeshme, mbajti një minutë heshtje në nderim të Feti Voglit. “Dy ditë më parë, në Kandahar ra në krye të detyrës një komando i njësisë sonë luftarake, kapiten Feti Vogli dhe mbetën të plagosur dy komando të tjerë, komando shqiptar Aleksandër Peci dhe tjetri, një ushtarak i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Duke i uruar shërim të shpejtë dhe të plotë të dy komandove të plagosur në këtë ngjarje, unë ju ftoj të nderojmë me një minutë heshtje kapiten Feti Voglin, që ra si burrat në krye të detyrës, në një mision sa njerëzor, aq dhe hyjnor, pasi paqja është edhe kushti më themelor i jetës dhe zhvillimit”, tha Berisha.

TRAZHGIM SOKOLAJ

 

© Panorama.al

Te lidhura